Për herë të parë në historinë e Serbisë zgjidhet një parlamentare me mbulesë për të përfaqësuar qytetarët e Sanxhakut në parlament. Dr. Misala Pramenković, përndryshe teologe me profesion, u zgjodh deputete në parlamentin e Serbisë. Znj. Misala Pramenković është përfaqësuese e Partisë për Drejtësi dhe Paqe (Stranka Pravde i Pomirenja) dhe do të jetë përfaqësuese e Sanxhakut e dalë nga zgjedhjet e fundit në Serbi. Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, aleanca e kryesuar nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Presidentit Aleksandar Vuçiq fitoi me shumicë dërrmuese në zgjedhjet parlamentare.
Ndërkaq në mesin e partive të pakicave, Unioni i Hungarezëve të Vojvodinës fitoi 9 vende, Partia e Drejtësisë dhe Paqes (SPP) 3, Alternativa Demokratike Shqiptare 3 dhe Partia e Veprimit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak) 2 vende në Parlament. Përmendim këtu se në Parlamentin e Kosovës që prej dy legjislaturave kemi dy gra të mbuluar anëtare të parlamentit, ndërsa parlamenti shqiptar akoma nuk ka pasur në përbërjen e vet ndonjë grua të mbuluar, megjithëse popullsia muslimane në vend është gati 70%.