0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

NJË ORAR MËSIMOR PËR MUA DHE FËMIJËN TIM

Më të lexuarat

NJË ORAR MËSIMOR PËR MUA DHE FËMIJËN TIM

Artet e studimit.
Pyetje: Selam alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu – Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi ju!
Unë jam nëna e dy fëmijëve, e një vajze mosha e të cilës është tre vjeç dhe një djali mosha e të cilit është pesë muaj. Njëkohësisht unë jam studente e vitit të katërt në universitet. Desha të konsultohem me ju, përsa i përket ndëshkimit të fëmijës dhe ndikimit të tij në moralin e fëmijës. Ka ndodhur  disa herë, që vajza ime e tepron me kërkesa, sidomos kur më shikon të përgatis mësimet apo të shkruaj, madje dy herë që kam vënë dorë mbi të, teksa ajo është vetëm tre vjeç.
Çfarë të bëj me vajzën time, kur ajo më shtyn ta godas? Ç`ndikim ka tek ajo rrahja e saj në këtë moshë?
Vërejtje: Pasi unë e godas dhe ajo qan, kthehet sërish tek normaliteti i saj dhe unë i them: Përse veprove kështu e kështu? E pyes nëse është zemëruar me mua dhe më thotë se jo. Por pasi e godas, më bren ndërgjegjja… Çfarë të bëj…? U falënderoj së tepërmi.
Përgjigjet eksperti: Prof. Izet Tuheme
Zgjidhja e problematikës:
Alejkum Selam ue Rahmetullahi ue Bereketuhu
[Edhe mbi ju qoftë Paqja, Mëshira dhe Begatia e Allahut!]
Në përgjigje të pyetjes tënde them, se ajo personifikohet në dy pika thelbësore të cilat janë:
Së pari: Ndikimi i goditjes apo rrahjes në moralin e fëmijës tënd.
Së dyti: Çfarë të bëni me të kur të filloni të mësoni, sidomos kur shikoni se ajo i shton kërkesat e saj në kohën e studimit tënd.
Sa i përket pikës së dytë, duke të kërkuar leje të filloj me të, e cila ka subjektin se si të veprosh me fëmijën tënd kur të studiosh. Unë them:
Së pari: Të duhet ta dish se qepja e fëmijës pas teje gjatë studimit tënd, është një çështje shumë e natyrshme për moshën e saj. Ajo nuk dëshiron që ti si nëna e saj, të preokupohesh me tjetër kënd apo diçka tjetër veç saj, ndaj dhe të duhet të sillesh butësisht me të dhe të veprosh me metodën në vijim:
1. Caktoji asaj një kohë të caktuar ditore, në të cilën të lozësh me të dhe kjo kohë të jetë gjysmë ore ose një orë, sipas mundësive të tua. Kjo kohë të jetë fikse dhe e qëndrueshme. Kur të fillosh të lozësh me të, thuaji: “Hajde e dashura ime të lozim bashkë, sepse është koha e lojës”. Kështu fillo të lozësh e lumtur me të.
2. Dhjetë minuta para se të mbarojë koha e lojës, tregoi se pas pak loja juaj do të mbarojë.
3. Pasi të mbarojë loja, tregoi asaj se koha jote e lojës me të ka mbaruar. Lëri asaj disa fletë dhe ngjyra apo disa lodra që të luajë më vete; duke i treguar se ti tani do kryesh disa punë të veçanta shtëpie apo se do studiosh.
4. Në fillim fëmija do këmbëngulë, që të vazhdosh të lozësh me të dhe do të qajë që t’ia përmbushësh dëshirën e saj. Të duhet të sillesh butë dhe me durim dhe kurrsesi nuk duhet të përdorësh goditjen. Të duhet që me kulmin e butësisë dhe në të njëjtën kohë me kulmin e vendosmërisë, t`ia bësh të qartë fëmijës, se koha e lojës mbaroi dhe tani është koha e punës.
5. Para se ta lësh atë të lozë vetë, vendosi asaj një gotë uji përbri, disa mbështetëse si dhe disa sende që mendon se ajo do të t’i kërkojë gjatë kohës së studimit tënd. Thuaji asaj me butësi: “Shiko e shtrenjta ime, mami të ka sjellë çdo gjë që do ti”.
6. Fillo të bësh çështjen që vendose të bësh, studimin apo punë të tjera të shtëpisë dhe mos e merr në konsideratë këmbënguljen e saj. Përpiqu të tregohesh e qetë, sepse fëmija yt në këtë fazë do të testojë dimensionin e përkushtimit tënd në vendimin e marrë dhe po të gjeti këmbëngulëse dhe të vendosur në ndarjen tënde kohore midis lojës me të dhe punës, ka për të kuptuar se ky është rregulli që sundon në shtëpi dhe se çdo gjë ka kohën e vet (gjumi-ushqimi-loja-puna-namazi etj).
7. Kujdes që studimi mos të të marrë një kohë të gjatë. Të duhet të rehatohesh çdo gjysmë ore. Në këtë periudhë pushimi mund të kontrollosh fëmijët e tu dhe të lozësh me ta në kohën e çlodhjes, duke i sqaruar vajzës, se ti pas çlodhjes së shkurtër do t’i kthehesh studimit.
8. Bëje fëmijën tënd që gjatë kohës që ti studion, ta mbajë mendjen tek loja që do lozni bashkë, në fillim apo gjatë çlodhjes së shkurtër të studimit. Një gjë e tillë do e bëjë atë, të mos të qepet pas teje gjatë studimit; për shkak të nxitësit që e nxit atë, që në këtë rast është loja me të, para ose pas studimit.
9. Mos i kushtëzo asaj që po të la të qetë gjatë studimit, ke për të lozur me të, duke i thënë për shembull: “Nëse e le mamin të studiojë, do lozim kështu e kështu”. Përkundrazi, bëj që fëmija ta kuptojë studimin dhe lojën si pjesë e rregullores së jetës të saj ditore me ty, pa kusht paraprak, ashtu siç ta shpjegova më herët.
 
Së dyti: Vijmë tek ndikimi i goditjes në moralin dhe gjendjen shpirtërore të fëmijës në këtë periudhë të jetë së tij:
Kur të tentosh ta godasësh apo rrahësh fëmijën tënd, kujtohu se ti kësisoj po edukon një personalitet, i cili do të karakterizohet në të ardhmen me këto atribute:
1. Do të bëhet një personalitet i dobët, i destabilizuar dhe i karakterizuar nga frika dhe stepja.
2. Që nuk ka besim në vetvete dhe aq më tepër që e ka shumë të dobët besimin tek ti.
3. Konflikti që do zhvillohet brenda fëmijës, do ta vendosë atë në një thepisje midis dashurisë dhe urrejtjes tënde, për faktin se ajo ty të ka burimin e dashurisë dhe prehjes shpirtërore; dhe në krahun tjetër ti për të do konsiderohesh burim dëmi dhe lëndimi.
4. Përkeqësimi i raporteve midis jush, frytet e hidhura të së cilës ke për t’i vjelë ditë pas dite, sidomos në periudhën e adoleshencës, në të cilën individi i ri ka nevojë shumë të madhe për një nënë të ndjeshme dhe të kuptueshme për natyrën e periudhës. Por fatkeqësisht fëmija yt nuk do të strehohet tek ti, por ka për t’u strehuar në kërkimin e dashurisë, vlerësimit dhe prehjes, jashtë shtëpisë së vet.
5. Po kështu goditja apo rrahja, sjell frikën, frika sjell gënjeshtrën dhe gënjeshtra sjell të gjitha fatkeqësitë, të mëdhatë dhe të voglat.
6. Fëmija do të imitojë ty sa i përket nervozizmit, mospërmbajtjes së nxehjes dhe reagimeve.
7. Gjithashtu dua të të tërheq vërejtjen, se kur ti i kërkon falje fëmijës tënd pas goditjes, me këtë veprim më shumë prish punë sesa rregullon, pasi një ndjesë e këtillë (nëse përsëritet dendur) do shkaktojë rebelimin e saj dhe guximin e saj për të kundërshtuar.
Së fundi, të këshilloj që të lexosh materiale të ndryshme, që kanë të bëjnë me nervozizmin e nënave dhe kurimin e tij…
Zonjë e nderuar! Mendoj se u ndërgjegjësuat mbi dimensionin e rrezikut të rrahjes dhe goditjes së fëmijëve të tu, ndaj dhe shpresoj dhe të kërkoj që kurrë të mos strehohesh tek rrahja dhe sa herë të tentosh për ta bërë një gjë të tillë, kujto të gjitha efektet negative tek fëmija, të cilat i cekëm më herët.
Në fund, e lus Allahun e Lartësuar të të japë sukses në atë që është një gjë e dashur tek Ai dhe e kënaqshme për Të si dhe e lus Atë të ta lehtësojë udhëzimin në gjithë çështjen tënde. Amin.
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit