5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Një milion shuplakat e të papunëve mbi biznesmenin libanez

Më të lexuarat

Nga Besart Kadia

Sipërmarrësi është shërbyesi ynë dhe në fjalët e biznesmenit kinez Jack Ma, themelues i Grupit Ali Baba: – “miliardat e pasurisë në emrin tim janë besimi që shoqëria ka investuar mbi mua”. Sipërmarrësi sheh mundësi përfitimi aty ku njerëz si ne nuk shohin lehtë. Ata ofrojnë shërbim dhe produkte që ne nuk e dinim që ishin të mundura. Ata në shumicën e kohës janë dhe mbeten anonimë pavarësisht pasurisë së madhe që kanë. Ata funksionojnë nën rregullin e thjeshtë “të dorës së padukshme” të tregut.

Që një shoqëri të zhvillohet ka nevojë për shumë njerëz të tillë. Ka nevojë që të shohë sa më shumë prej tyre të jenë të suksesshëm pavarësisht pasaportës që ata mbajnë. Në një shoqëri të shëndetshme dhe konkurruese shteti duhet të ketë vetëm një rol: monopolin e dhunës. Ndaj dhe shteti shqiptar duhet të ketë vetëm një rol monopolin e dhunës për të garantuar një gjë dhe vetëm një gjë: lirinë ekonomike. Kushdo që ka një ide më të mirë se të tjerët duhet lejuar ta praktikojë në shoqëri e të përfitojë. Kushdo që synon ta ndërpresë këtë iniciativë me rregulla shtetërore, me taksa më të larta, me kërcënime fizike e me intimidime duhet të presë ndëshkim. Liria ekonomike me ligje të qarta që kuptohen dhe aplikohen njësoj për të gjithë është e vetmja shpresë e uljes së varfërisë në Shqipëri dhe krijimi i standardeve të larta të jetesës. Biznesmeni mendon për vete e kështu mendon për ne. Ndaj dhuna ndaj biznesmenit libanez i vendos një fytyrë e emër një “sjelljeje njerëzore”. Ajo ekspozon atë që potencialisht mund të shfaqet në çdo shoqëri ku qytetarë të cilët kanë mungesë aftësish sipërmarrëse janë gati të ushtrojnë dhunë për të fituar ekonomikisht. Kjo mund të ndodhë në Gjermani, Itali e SHBA. Por nga ana tjetër dhuna ndaj biznesmenit libanez ekspozon paaftësinë e shtetit për të promovuar iniciativën e lirë. Ajo iu shton përgjegjësi përfaqësuesve politikë që në emër të së mirës publike prodhojnë rregulla që çojnë vetëm në korrupsion. Fakti që biznesmeni libanez ka vite që mundohet të investojë në Shqipëri tregon se shteti është jo bashkëpunues dhe e sheh akoma të huajin si naiv e pa mbrojtje. Dhuna ndaj tij ngre shqetësimin e përkeqësimit të klimës së biznesit në vend.

Besueshmëria në ligje dhe në bashkëpunëtorët ekonomikë si dhe garancia e sigurisë janë jetike për investimet e huaja direkte. Në Silicon Valley njerëzit kanë krijuar një hapësirë unike në botë për të nxitur iniciativat inovatore në biznes me pak mbështetje shtetërore. Shihni pak dallimin me rolin e qeverisë në Shqipëri që është në krah të biznesit kur ai është i suksesshëm për të dalë në lajme dhe mbështetet në kurriz të tij kur kërkon votat e para për fushatë. Por lehtësisht e braktis në ditën kur ata kanë nevojë për të. Dhuna ndaj biznesmenit libanez nuk është rast i izoluar dhe kjo është shqetësuese. Vrasja e bankierit Santo, përfolja për gjobë ndaj një biznesmeni të rëndësishëm në Shqipëri, dënimi i një bande e akuzuar për gjobëvënie ndaj biznesmenit të kafesë në Tiranë etj., të kujtojnë më shumë Moskën e viteve ‘90 sesa një shtet që është “open for business”.

Në vendin më të varfër të Europës rrahja e një biznesmeni të huaj shkon mbi të gjitha kundër brandit shqiptar “mikpritja për të huajt“. Ç’mund të bëhet për të thithur investimet e huaja? Mbaj mirë ata që janë në Shqipëri. Dhoma Amerikane e Tregtisë në komentet e bëra nga anëtarët e saj shkruhet se “ qeveria duhet ta shohë biznesin si partner dhe jo armik” apo se “masat anti-informalitet gjatë vitit të shkuar kanë prishur klimën e biznesit”. Nga ana tjetër, Dhoma Gjermane e Tregtisë shprehet se investitorët gjerman shohin si të fundit mundësinë për të investuar në Shqipëri. Për më tepër Banka Shtetërore Kineze që nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare akoma nuk ka lëvruar asnjë qindarkë për projektin e Rrugës së Arbrit.

Ndërkohë që kemi humbur 35 vende në Doing Business në botë. Një milion shuplaka nuk ishin kundër opozitës por ishin pro një projekti ekonomik që pretendonte se do të ulte varfërinë e do të rriste ekonominë. Ato ishin vota besimi për të bërë reforma që janë në të mirë të qytetarit. E ndërsa të dhënat tregojnë se Shqipëria po mbetet ekonomikisht vend numëro, këto 5 vitet e fundit e qeveria ka për detyrë të ndryshojë qasjen ndaj klimës së biznesit se përndryshe një milion shuplakat e të papunëve nuk dihet kë do godasin sërish.

Shteti shqiptar e ka gjithashtu të domosdoshme të bëhet palë në zgjidhjen e pretendimeve të pronës, kur në mes janë investitorë të huaj. Ligji i vitit 2011, ku shteti ndihmonte investitorët e huaj me përfaqësim në gjykatë me Avokaturën e Shtetit nuk u rinovua në vitin 2014. Në vend të saj, qeveria ka zgjedhur të bëjë një kategorizim të investitorëve të huaj që kanë investime më të mëdha se 30 milionë euro. Një ligj i qartë që mbron investitorët e huaj dhe adreson problemet e shumta të pronësisë në Shqipëri është jetike dhe duhet implementuar sa më parë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit