Transmeton Imam Ahmedi, Tirmidhiu, Ibën Hibani dhe Hakimi, i cili e vlerëson si të saktë nga Shedad ibën Eusi, radijallahu anhu, i cili thotë:
Kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lall-llahu aljehi ve sel-lem, duke thënë: “Kur njerëzit grumbullojnë ari dhe argjend ju grumbulloni këto fjalë:
“Allahu im, prej Teje kërkoj të më stabilizosh në këtë çështje (fe) dhe të më bësh të vendosur në udhëzim. Prej Teje kërkoj të më bësh prej atyre që i falënderojnë begatitë Tua dhe të adhurojnë mirë. Prej Teje kërkoj të më japësh zemër të shëndoshë dhe gjuhë që e thotë të vërtetën. Prej Teje kërkoj të më japësh nga të mirat që Ti i di dhe kërkoj strehim te Ti nga të këqijat që Ti i di dhe kërkoj falje prej Teje nga ato që Ti i di, sepse Ti je Ai që e di të fshehtën”. (shiko: “Es-Sahiha”, nr. 3228).
Pra, kjo lutje me këto fjalë është më e mirë për njeriun se posedimi i arit dhe argjendit, sepse janë prej veprave të mira dhe të përhershme, el-bakijatu es-salihatu, nga të cilat njeriu ka dobi në dynja e ahiret, kurse çdo gjë që është e kësaj natyre është më e mirë se sa ndonjë gjë nga e cila kemi dobi vetëm në dynja.
Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira, që mbetën përherë, janë më mirë të shpërblyera te Zoti dhe janë shpresë më e mire”. (El-Kehf: 46).
Kjo që ua paraqes sot ishte ajo që vjela nga hulumtimi i kësaj dite në internet. Allahu na e bëftë shëndet dhe bereqet, në din dhe dynja! Amin!
Bekir Halimi