1.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Një këshillë e sinqertë për maturantët

Më të lexuarat

NJË KËSHILLË E SINQERTË PËR MATURANTËT

Ne jemi duke jetuar në një kohë të sistemit të çrregulluar të vlerave. E mira shpesh është subjekt i gjykimit, ndërsa e keqja gjithnjë e më shumë po bëhet si dukuri normale. Peshorja e matjes së të mirës dhe të keqes qysh moti ka filluar t’i peshojë gjërat shtrembër. Ajo copë mishi që e bartim në gjoks është pranguar me prangat e pasionit, andaj njeriu gjithnjë e më shumë po i përngjan kafshës dhe është bërë shërbëtor i dëshirave të tij.
Pranvera është stina e viti e cila posaçërisht dëshmon për begatitë të cilat na i ka dhuruar Allahu i Plotfuqishëm. Kjo është koha kur njeriu duke shikuar se si Zoti na nderon me gjelbërimin e ri, me lulëzimin e degëve dhe me frytet që mbijnë nga toka, do të duhej të jetë edhe më i bindur ndaj Zotit të tij. Në vend të bindjes ndaj Zotit, pranverat tona janë të mbushura me trupa të zhveshur, me muzikë dhe me dehje.
Edhe këtë vit, me mijëra maturantë të Kosovën tonë të bukur, do ta kurorëzojnë arsimin e tyre fillor ose të mesëm. Kurorëzimi i këtij shkollimi ka të drejtë të zbukurohet me lumturi dhe gëzim, por zbukurimi më i mirë në atë kurorë duhet të jetë pjekuria dhe urtësia të cilat shkëlqejnë me shpresën për një të ardhme më të mirë.
Të rinjtë dhe të rejat të cilët bërtasin dhe bëjnë egërsi rrugëve, shesheve dhe oborreve të shkollave, në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë maturantët tanë.
Prej shkollave pritet që shoqërisë t’i ofrojnë gjenerata të njerëzve të pjekur të cilët me njohuritë, urtësinë dhe me ambiciet e tyre do ta ndryshojnë botën për të mirë. Është paradoksale që ata të cilët janë përgjegjës për edukimin dhe arsimimin e të rinjve tanë, gjatë mbrëmjeve të maturës dehen bashkë me nxënësit, dhe kështu e miratojnë njërën nga të këqijat më të mëdha.
Prindërit së bashku me fëmijët, me muaj të tërë marrin pjesë në përgatitjet për atë natë, natë të mbushur me imoralitet, me alkool dhe me shfrenim. Muslimani nuk guxon t’ia lejojë vetes që të jetë në një shoqëri të tillë, në një vend të mbushur me shkelje fetare dhe mëkate. Zemrat e besimtarëve nuk mund të mbeten të qeta, derisa veset (mëkatet) na e rrëmbejnë rininë nga duart.
Ju, që Allahu i Madhërishëm ju ka nderuar me Islam, mos shkoni pas turmave të cilat do t’ju çojnë në shkatërrim! Nëse Allahu, nga numri i madh i njerëzve, ty të ka zgjedhur që të jesh musliman, dorëzoju Islamit me tërë qenien tënde, sepse nuk janë të gjithë njerëzit kështu të nderuar.
Ju, që e doni Allahun dhe të Dërguarin e Tij savs, assesi mos u bëni pjesë e asaj që nuk e do Allahu!
Mos i përdorni begatitë që ju ka dhuruar Allahu i Plotfuqishëm për të bërë mëkate.
Trupi yt, gjuha jote dhe të gjitha pjesët tjera të trupit tënd janë dhurata që t’i ka dhuruar Allahu, andaj mos ju bën dhunë atyre duke i ngarkuar me mëkate.
Mos lejo që ta injorosh mendjen tënde, kurse dëshirat të sundojnë mbi ty dhe të të çojnë në shkatërrim!
Kurrsesi mos u bëj prej atyre që do të thonë “kjo është vetëm një natë.” Ndoshta mu atë natë zemrën do ta mbushësh me njolla të zeza dhe nuk do të kesh më dritë e cila do të kërkojë falje. Zemrën mund ta zbusë vetëm bindja ndaj Zotit të Plotfuqishëm, ndërsa mëkatet e plagosin dhe çdo mëkat kërcënon që të jetë vdekjeprurës.
Shokët e Pejgamberit savs (Allahu qoftë i kënaqur me ta), për shkak të Islamit shumë herë e kanë sakrifikuar jetën, familjet dhe pasurinë e tyre, andaj ajo sakrificë i ka ngritur edhe tek Allahu, por edhe te njerëzit.
Le të jetë fuqia e dashurisë suaj për Allahun e Madhërishëm, më e fortë se sa fuqia e dëshirave të cilat ju tërheqin në mëkate.
Le të jetë dëshira juaj për atë që është e përjetshme, më e madhe se sa dëshira për atë që zgjatë një natë, dhe drita e besimit (imanit) tuaj le ta largojë errësirën e cila ju shpije në mëkate.
Mos harroni se çdokujt që ka lënë diçka për hir të Allahut të Madhërishëm, Allahu ia ka zëvendësuar me diçka shumë më të mirë!
Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit