1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Një gjyq moral ndaj pasojave të komunizmit

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Disa senatorë italianë pre zantuan të enjten e 7 nëntorit, një “Apel për një Nuremberg të Komunizmit”. Senatorët prof. Renato Cristin, prof. Roberto de Mattei, dr. Dario Fertilio, sen. Adolfo Urso, sen. Lucio Malan dhe hon. Vito Comencini, ishin disa prej emrave që kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një gjyq moral ndaj krimeve të komunizmit. Sipas senatorëve, një gjyq i tillë do t’i prezantonte botës pasojat në ishdiktaturat komuniste, për t’u dhënë fund influencave apologjike të asaj ideologjie, që përçudnoi mjaft nga popujt që vuajtën nga “real-socializmi”. Ata kanë shpjeguar në propozimin e tyre se një gjyq i tillë do t’i bënte botës prezent ligësinë e sistemeve të tilla, siç ndodhi me pasojat e nacional-socializmit gjerman me hebrenjtë, si dhe do të ndihmonte popujt që të shmangnin pasojat e diktaturave të tilla ideologjike edhe në të ardhmen. Për to, nevoja e një kulture antitotalitare nuk ka vetëm vlera historike, por duhet të krijojë një mendësi të rëndësishme, duke i dënuar krimet dhe duke mbajtur përgjegjësi morale. “Ne kërkojmë krijimin e proceseve gjyqësore të Nurembergut për Komunizmin, për një gjykim global që shqyrton krimet e vërteta të kësaj ideologjie, që cakton përgjegjësitë politike dhe institucionale, ndëshkon degjenerimin e saj moral dhe u bën të qartë të gjithëve dehumanizimin e thellë të komunizmit dhe papajtueshmërinë e tij me shoqëritë e lira”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga senatorët.

Një apel i senatorëve, që duket sikur u shkon përshtat debateve më të fundit në Shqipëri, ku vetëm botimi i disa fakteve për krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore prej forcave të rreshtuara me komunistët shqiptarë, rihapi një betejë jo vetëm nga përfaqësuesit politikë të së majtës, por edhe historianëve, analistëve dhe trashëgimtarëve të familjeve të përmendura në atë studim. Ky rikthim i vrullshëm i debatit, kur në qendër të Tiranës janë varur portrete edhe të personave me dyshime për heroizma ndaj pushtuesve, apo me një të shkuar edhe si pjesëmarrës në projektet e ish-Sigurimit famëkeq të diktaturës, tregon se ende e shkuara ka një rezistencë, sidomos në shfaqjen e simbolikave dhe në mbrojtjen nga historiografia e shkuar, e cila gjatë këtyre 29 viteve nuk ka guxuar të flasë as për numrin real të të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore e jo më për ndonjë krim të kryer në konfliktin me forcat nacionaliste të kohës, si “Balli” dhe “Legaliteti”.

Propozimi i senatorëve italianë vjen vetëm dy muaj pasi Parlamenti Eurpian miratoi me shumicë votash një rezolutë “Mbi Rëndësinë e Kujtesës së Përbashkët” (25 shtator 2019), ku theksonte rëndësinë e kujtesës historike mbi krimet që sollën regjimet diktatoriale. Rezoluta bënte thirrje për një ndërgjegjësim më të madh të të rinjve për t’u njohur me të shkuarën, duke këmbëngulur në rëndësinë që ka dënimi moral dhe përcaktimi i fajësive individuale dhe institucionale.

Një gjyq i tillë, siç propozohet nga Rezoluta e PE dhe nga senatorët italianë, do të ishte i vlefshëm edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, e veçanërisht për të rinjtë, që ta shihnin kujtesën si pjesë të domosdoshme të së tashmes, për ta kthyer në një mënyrë mendimi, sidomos për t’u përballur me atë banalitet që kërcënon shoqëritë me një të kaluar plot hendeqe morale. Në Shqipëri, fokusi duhet të jetë në debatin me të rinjtë, të cilët rrezikojnë të njohin vetëm njërën anë të medaljes, për shkak të rezistencës që ka një pjesë jo e vogël e shoqërisë për të mos lëshuar terren nga ajo çfarë është formatuar mbi 50 vite në tekstet shkollore dhe akademike, ku historiografia është shkruar nga ndikimi i drejtpërdrejtë politik i asaj kohe, ku janë shtrembëruar shumë të vërteta, sidomos mbi figurën e ish-Mbretit Zog apo mbi qëndrimet që kanë mbajtur nacionalistët.

Duhet pohuar se disa botime të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit kanë mundur të sjellin dëshmi të rëndësishme nga të mbijetuarit e kampeve apo burgjeve komuniste, ndërkohë që Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC), i udhëhequr nga Jonila Godole, ka afruar të rinjtë të njihen me atë periudhë të errët të shoqërisë shqiptare përmes konkursit “Pyet gjyshërit” apo përmes seminareve të ndryshme. Së fundmi, në bashkëpunim edhe me Platformën Europiane të Kujtesës, IDMC ka futur Shqipërinë në një axhendë të rëndësishme të debatit mbi kujtesën dhe krimet e së shkuarës, me qëllim që shoqëria të mundë të njohë vetveten dhe të gjejë rrugët për një ndëshkim moral të së keqes, që vjen nga të tilla ideologji.

Por kjo përpjekje e ISKK-së, IDMC-së apo edhe institucioneve dhe shoqatave të tjera që janë marrë këto vite me kujtesën dhe zbardhjen e krimeve të së shkuarës, ka nevojë për një mbështetje përmes ligjeve, që do të detyrojnë pasqyrimin e së shkuarës përmes fakteve dhe dëshmive në historiografi, dokumentarë e tekste shkollore. Ndaj, për të bërë të mundur ndërtimin dhe njohjen reale të kulturës antitotalitare, është e rëndësishme që Rezoluta e Parlamentit Europian dhe propozimi i senatorëve italianë të ketë një mbështetje edhe nga ligjvënësit shqiptarë dhe nga të gjithë ata faktorë publikë që dëshirojnë vërtet që shoqëria jonë ta shohë në sy të shkuarën dhe të mësojë prej saj kufijtë e rrezikshëm të ligësive, të cilat vijnë nga regjimet totalitare, me qëllim që një mendësi e tillë të jetë e përjashtuar nga jeta jonë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit