0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Një fashizëm i vjetër me rroba të reja

Më të lexuarat

Ç’është Lëvizja Identitare në Europë?

Nga Farid Hafez*

Në kohën kur ekstremizmi i djathtë po përjeton një ringjallje të frikshme në Europë, është me rëndësi të kuptojmë transformimin e tij nga fashizmi klasik në një lëvizje të maskuar me rroba të reja. Ky opinion shqyrton rritjen e ndikimit të Lëvizjes Identitare në Gjermani dhe sfidat që ky fenomen paraqet për politikën ndërkombëtare dhe stabilitetin global.

Më 28 gusht, transmetuesi gjerman RTL shfaqi një reportazh të bazuar në dokumente hetimore për një nga lëvizjet e ekstremit të djathtë në Europë, që po sheh gjithnjë e më shumë rritje dhe popullaritet; Lëvizjen Identitare.

Lëvizja Identitare është bërë përfaqësuesja kryesore e të ashtuquajturës ‘e djathta e re’. Ky term është përdorur fillimisht në Francë për të përshkruar reagimin ndaj protestave studentore të vitit 1968. Kurse tani ka evoluar në një lëvizje të djathtë që synon t’i japë ekstremizmit të djathtë legjitimitet demokratik.

Shumica e partive politike, që nga Rilindja Kombëtare e Francës, te Alternativa për Gjermaninë, e deri te Partia e Lirisë në Austri, mund të konsiderohen pjesë e të djathtës së re, si një lloj përpjekjeje për të rikrijuar partitë e vjetra fashiste në një format të ri, e për të pretenduar një ndarje nga ideologjia naziste dhe për të përqafuar vlerat demokratike.

Ndërkohë që këto parti janë bërë lojtare të suksesshme në arenën parlamentare – disa prej tyre madje kanë arritur të bëhen pjesë e qeverive lokale dhe kombëtare – Lëvizja Identitare ka arritur të bëhet forca kryesore në rrugë, larg deklaratave zyrtare dhe qëndrimeve publike.

Për ta, emigracioni nga Afrika në Europë shihet si një “emigrim i madh, si eksod, dhe si ‘Zëvendësimi i Madh’.” Ata kanë punuar për vite me radhë për t’u bërë më të pranueshëm dhe më të njohur, në mënyrë që partitë politike të ekstremit të djathtë të mund të mbledhin mbështetësit e tyre pasi të kalojë vala e parë e skandaleve dhe pozitat e të djathtës të normalizohen.

Por, të besosh se këto tendenca fashiste janë zhdukur është një iluzion (wishful thinking).

Nganjëherë, ato dalin në ballë duke u strukur pas deklaratave të përgatitura mirë. Edhe pse për Lëvizjen Identitare mund të jetë me interes që të mos veprojë më si një ent publik, por si lëvizje shoqërore e lirë, përfaqësuesit të saj më të njohur, austriakut Martin Sellner, i është dashur të kalojë përmes procedurave ligjore për shkak se kishte marrë fonde nga autori i sulmit në Christchurch, Zelandën e Re, i cili pati vrarë 51 muslimanë në dy xhami.

E tani ka po ndodh sërish – ku reportazhi investigativ i transmetuar nga RTL Gjermania ekspozoi ideologjitë genocidale të së djathës ekstreme.

Një grup gazetarësh gjermanë udhëtuan nëpër Gjermani dhe Austri, ku u takuan me aktivistë të Lëvizjes Identitare, përfshirë disa me pozita zyrtare në parti politike si Alternativa për Gjermaninë. Ata ishin shumë më të hapur gjatë bisedave private sesa publikisht.

Mohimi i Holokaustit dhe simbolikat neo-naziste

RTL-ja shfaqi pamje të fshehta nga një festë në Vjenë, ku disa individë bënin deklarata ekstreme të mbushura me urrejtje; përfshirë këtu mohimin e Holokaustit, glorifikimin e genocidit dhe përdorimin e referencave ndaj simboleve neo-naziste.

Një vizitor komentoi mbi Holokaustin duke thënë: “Nuk ishin gjashtë milionë hebrenj. Maksimumi, janë vrarë 175,000 hebrenj në dhomat e gazit. Për të qenë i sinqertë, mendoj se është gjë shumë e mirë që ka ndodhur.”

Pjesëmarrësi vazhdoi më tej: “Gjermania ka nevojë për një Srebrenicë 2.0,” duke nënkuptuar me këtë një genocid ndaj muslimanëve. Më pas shtoi: “Në vitin 1995 ndodhi Srebrenica, genocidi ndaj muslimanëve. Kjo ishte shumë gjë e mirë.” Gjatë luftës në ish-Jugosllavi në vitin 1995, rreth 8,000 burra dhe djem muslimanë u vranë gjatë një masakre në Srebrenicë. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e klasifikoi atë masakër si genocid, ndërsa OKB-ja vetëm tani e shpalli si ditë përkujtimore zyrtare të genocidit.

Një tjetër pjesëmarrës në atë festë bëri një koment për numrin e viktimave, duke u shprehur: “Thuhet se kanë qenë 8888 viktima. Sa mirë do ishte sikur të kishin qenë aq shumë.”

Numri 88 është një kod i njohur për ekstremistët e djathtë që i referohet shkronjës së tetë të alfabetit, ‘H’, e cila shërben si shkurtesë për përshëndetjen naziste “Heil Hitler!” (Rroftë Hitleri!).

Fashizëm i vjetër me rroba të reja

Ajo që mund të vërehet gjatë këtyre takimeve të fshehta është vërtetimi i skenarit më të keq se si mund të shihet Lëvizja Identitare; si një fashizëm i vjetër me rroba të reja.

Po pse është kaq e rëndësishme kjo? Martin Sellner-i, përfaqësuesi jozyrtar i Lëvizjes Identitare, jo vetëm që udhëheq ekstremin e djathtë në rrugë, por edhe ka lidhje të ngushta me njerëzit e ekstremit të djathtë që kërkojnë pushtet.

Një hetim tjetër në vjeshtën e vitit 2023 tregoi se Sellner-i ishte folësi kryesor në një takim të mbyllur që diskutonte atë që ai e quante “riatdhesim,” pra deportimin me anë të mjeteve ligjore të njerëzve me ngjyrë me shtetësi gjermane.

Ideja e tij kryesore ishte që t’ua bënin jetën të padurueshme me anë të presionit për t’u asimimluar. Ish-kreu i shërbimeve të inteligjencës gjermane pritej të punonte për detajet.

Ato që u zbuluan gjatë atij takim bënë që miliona gjermanë të dilnin në rrugë për të protestuar kundër të djathtës ekstreme. Ndërkohë, partitë më miqësore, si Partia e Lirisë në Austri, kanë kërkuar haptas një Komisioner Evropian për Riatdhesimin. Ky është vetëm një nga shembujt që tregon se çfarë mund të bëhet e pranueshme pas tronditjes së parë.

Kryetarët e partive të së djathtës së re, si Herbert Kickl, FPÖ-ja e të cilit është aktualisht udhëheqëse në sondazhe pas fitimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në Austri, e cilësojnë Lëvizjen Identitare si një “projekt interesant që duhet mbështetur,” duke e krahasuar me Greenpeace-in, por të “krahut të djathtë.”

Solli në shqip Observer.al. Publikuar në anglisht në euobserver.com

*Farid Hafez është Profesor i Shquar Vizitor për Studime Ndërkombëtare në Williams College dhe Studiues i Lartë Jo-rezident në “The Bridge Initiative” të Universitetit Georgetown. Ai është themeluesi dhe kryeredaktori i “Islamophobia Studies Yearbook” (që nga viti 2010) në gjermanisht dhe anglisht, si dhe bashkëredaktor i raportit vjetor “European Islamophobia Report” (që nga viti 2015), që mbulon mbi 25 vende evropiane. Hafez paraqitet rregullisht në mediat kryesore në mbarë botën dhe është ndër studiuesit më të njohur në botë në fushën e Islamofobisë. Si autor austriak, Hafez-i është nderuar me çmimin prestigjioz Bruno Kreisky për Librin Politik të Vitit 2010 për antologjinë e tij mbi islamofobinë në Austri. Ai ka mbi 50 botime dhe publikon në revista të njohura ndërkombëtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit