Kryeparlamentari Glauk Konjufca këtë të hënë ka folur në lidhje me temën kryesore të dialogut Kosovë-Serbi, për çështjen e Asociacionit që do të fillojnë nesër në Bruksel.
Konjufca në një prononcim për mediat ka thënë se qëndrimi i tij është që dialogu të kryhet sa më parë, mirëpo, tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet me qëndrimet e fundit të Aleksandër Vuciçit.
“Na kem qef dialogu me u kry ma shpejt, po vështirë është me u kry ma shpejtë dialogu, kur Vuçiçi mendon që duhet me marrë diçka në Kosovë. Me këto qëndrime të Vuçiçit, me këto ambicie të nalta të Serbisë, mos e përjashtoni që dialogu mund të zgjasë me vite të tëra.
Po liberalizimi nuk duhet të lidhet me këtë proces.
Unë mendoj që edhe zyrtarët e BE-së që e thonë këtë gjë e kanë gabim, nëse ekziston ky si version, si qëndrim zyrtar i Komisionit Evropian unë mendoj se do të ishte kthim prapa”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari ka treguar edhe qëndrimet që ka ai për Asociacionin, duke thënë se një temë e tillë nuk duhet të rihapet.
“Qëndrimet e tona duhet të jenë të qarta sa i përket Asociacionit, atë e ka hedh poshtë Gjykata jonë Kushtetuese, pas atij vendimi përpjekja për ridefinimin e një asociacioni të ri është shumë i vështirë dhe unë mendoj që institucionet e Kosovës nuk duhet ta pranojnë një qasje të tillë.
Është shumë e rrezikshme nëse rihapet, institucionet tona duhet ta majnë qëndrim që kjo është çështje e mbyllur, nuk duhet ta pranojnë ta rihapin meqë e ka prek themelin e Kushtetutës tonë”, është shprehur Konjufca./abcnews.al