26.6 C
Pristina
Monday, July 1, 2024

Një ditë në pavijonin e toksikologjisë. Si po i dëmton hashashi, adoleshentët shqiptarë!

Më të lexuarat

Çështja e kanabisit në Shqipëri është kthyer në një nga temat më të përfolura në shoqëri, por edhe në media e politikë. Në një kohë kur diskutohet dhe ngrihen pikëpyetje mbi legalizimin ose jo të kësaj bime narkotike, në spitalin e toksikologjisë në QSUT regjistrohen çdo ditë raste të të rinjve që pësojnë dëmtime nga konsumi i saj.
Shefi i këtij pavijoni, prof. Dr. Zihni Sulaj, shprehet me vendosmëri për dritare.net se në mënyrë absolute nuk duhet lejuar përdorimi i kësaj substance dhe sidomos duhen zhdukur stereotipat e tillë që tregojnë për aftësitë e saj të njohura si qetësuese, pasi sipas tij, për përdorimin e marijuanës, në mjekësi nuk janë të mjaftueshme studimet që provojnë se ka efekte pozitive të garantuara.

Ernesti është një nga të rinjtë që presin në radhë jashtë derës së dr. Sulajt për vizitë. I pyetur nga dritare.net ai tregon se e ka nisur vite më parë me një cigare, ndërsa sot gjendet përpara kësaj dere.
“Isha 17 vjeç kur një shok ma dha ta provoja. Ishim një grup kështu që s’mund të mos e pranoja, ndryshe ata do të më tallnin. Pastaj vazhduam ta pinim me shoqërinë herë pas here,aq sa na u bë si duhani. Na bënte të vinim në qejf, sepse s’ke më halle kur pi atë.
Nuk jam ndjerë ndonjëherë i varur nga hashashi. Mendoja që mund ta lija kur të doja. Këtu erdha sepse një ditë e përzjeva me diçka tjetër dhe pas kësaj pata një problem serioz në zemër. E kështu, që prej asaj dite, vij këtu për të marrë mjekime.”

I vetëdijshëm se tymosja e kësaj droge, e konsideruar si e padëmshme, ka ndikuar në kujtesën e në formulimin e fjalëve të tij. Ernesti shprehet për dritare.net, se është thjesht çështje përqendrimi, pasi në një moment më të qetë, ai do të kishte folur më qartë.
Numri i përdoruesve të marijuanës është rritur ndjeshëm vitet e fundit, në Shqipëri, sidomos tek të rinjtë adoleshentë, të cilët arrijnë ta sigurojnë lehtësisht nëpër shkolla. Tek ta nuk ekziston më frika e as droja për ta përdorur.

Ndonëse nuk jep një shifër të saktë, prof. Zihni Sulaj thotë se çdo ditë në pavijonin e toksikologjisë paraqiten me dhjetra të rinj, tek të cilët efektet negative të hashashit janë dukshëm të mëdha.

“Në urgjencën tonë vijnë raste çdo ditë nga të rinj që janë në gjendje paniku, të zbehtë, të tjerë që kanë pasoja të rënda si çrregullime të kujtesës, çrregullime emocionale, të irrituar e madje ndonjëherë të dhunshëm.”- thotë mjeku për dritare.net.

Ky fenomen, i cili sipas studimeve pengon zhvillimin normal të lidhjeve nervore që marrin hov gjatë adoleshencës, ka marrë një shtrirje të gjerë tek kjo moshë delikate.

Para derës së pavijonit qëndron edhe një grua e cila duke qenë e shqetësuar për rastin e djalit të saj dëgjon me interes ato që Ernesti tregoi.

“Im bir e pi prej kohësh atë të shkretë,” – shprehet ajo, – “unë e kuptova me vonesë, përndryshe do kisha bërë të pamundurën për ta ndaluar. Por në atë kohë kishim probleme e halle të tjera në shtëpi dhe nuk e kuptoja se çfarë kishte djali që kthehej vonë e shkonte direkt në dhomën e tij.
Unë mendoja se ishte shkak ndonjë vajzë, deri sa një ditë nuk pata para për t’i dhënë. Ai u bë shumë agresiv dhe për herë të parë, nga e folura e tij, kuptova që diçka nuk shkonte siç duhej.
Më vonë e zbulova, por ai nuk do që të vijë këtu. Është i bindur se nuk ka asnjë problem, prandaj kam ardhur unë, që të pyes doktorin.”

Statistikat në vendin tonë tregojnë se 70-80% e adoleshentëve shqiptarë e kanë përdorur të paktën një herë hashashin. Së fundmi, vihet re një rritje edhe e numrit të femrave që kërkojnë ndihmë në spitale ose psikologë. Studimet ndërkombëtare tregojnë se një person që përdor marijuanë e ka funksionin mendor në nivel më të reduktuar krahasuar me të tjerët, ndërsa dr. Sulaj shpjegon se tymosja e marijuanës gjatë adoleshencës mund të paracaktojë shqetësime mendore në një fazë më të vonë të rritjes./dritare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit