4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Një demarkacion i ri, pa u kryer i vjetri

Më të lexuarat

Analistët komentojnë idenë që Kosova dhe Serbia të flasin në Bruksel për demarkacionin e kufirit.
Të martën, ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri, tha se Kosova do të kërkojë që në valën e re të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë të bisedohet për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Serbinë.

Bisedimet për këtë proces pritet të propozohen nga pala kosovare në takimin mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, përderisa Kosova dëshiron ta fillojë një bisedim të tillë për një demarkacion të ri, kjo e fundit nuk e ka përmbyllur ende problemin me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

Në këtë pikë, opozita që nga gushti i vitit 2015, po i bojkoton të gjitha seancat e Kuvendit të Kosovës, duke u munduar me të gjitha format ta pengojë edhe mbajtjen e tyre.

Nga ana tjetër, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi po has në kritika vendore e mbështetje ndërkombëtare me Departamentin Amerikan të Shtetit që doli dalë me një qëndrim se vija kufitare Kosovë- Mali i Zi, e përcaktuar me marrëveshjen për demarkacion, është në rregull.

Por analisti kosovar Nexhmedin Spahiu nuk e sheh të arsyeshme të hapet një temë për një demarkacion pa u mbyllur një tjetër.

“Demarkacioni që më së pakti është prit me pas probleme, ai me Malin e Zi, na nxori krejt këto telashe, si shkak i papërgjegjshmërisë së liderëve tanë, ndërsa ky i Serbisë do të jetë shumë më i vështirë dhe shumë me më shumë përgjegjësi”, tha Nexhmedin Spahiu për KALLXO.com.

Deri më tani, Kosova e ka të përfunduar demarkacionin vetëm me Maqedoninë, ndërsa nuk e ka nisur fare atë me Serbinë e Shqipërinë.

Ai tha se demarkacioni mes Kosovës dhe Serbisë, një ditë duhet të filloj, dhe kjo është shumë e qartë, por “rëndësi të madhe ka koha se kur do të fillojë dhe kur do të përfundojë”.

“Për neve është me interes që problemet e hapura me Serbinë, me i mbyll sa më shpejtë dhe me i mbyll në mënyrë të tillë që Kosovës me ju garantu sovraniteti dhe integriteti territorial”, shtoi Spahiu.

Ai tha se Serbia ka shumë më shumë fakte në duar përfshirë edhe dokumentet, siç janë ngastrat kadastrale të cilat ai pret që do t’i shfrytëzojë për të fituar territor.

Por për Spahiun, problematike është se a është Kosova e gatshme për bisedime të tilla.

“Kosova siç po duket nuk është e përgatitur për kurgjë. Kosova po shkakton problem nga padituria dhe pa përgjegjshmëria e qeverisë”, u shpreh Nexhmedin Spahiu.

Ndërsa analisti Belul Beqaj shprehu kritika ka në drejtim të Bashkimit Evropian për shkak se i ka vënë kusht Kosovës çështjen e rregullimit të kufijve.

Demarkacioni me Malin e Zi është një nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

“Problemi edhe i BE-së, Serbisë edhe i Kosovës është që nuk mërziten shumë se si do të dalë marrëveshja, ngaqë nuk do e zbatojnë atë”, tha Beqaj.

Por hapjen e demarkacionit me Serbinë, Beqaj e quan “papjekuri politike”.

“Bisedimet për një temë tjetër, për një demarkacion tjetër, tregojnë që këta nuk janë të pjekur, këta vetëm duan të ngrisin tema, të hyjnë në tema të reja pa i realizuar të vjetrat”, tha Beqaj.

Ai madje e quan edhe “vazhdimësi e politikës shterpe”.

Por Azem Vllasi, politikan i dikurshëm në Kosovë, e quan si ide të mirë hapjen e temës së përcaktimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është për t’u supozuar që pala serbe nuk do ta pranojë këtë temë, sepse pala serbe nuk i njeh kufijtë, por duhen tema të tilla, jo si deri më tash që vetëm Serbisë t’i konvenojnë temat që janë diskutuar e kanë të bëjnë vetëm me punë të brendshme të Kosovës”, tha Vllasi.

Ai u shpreh se Kosova në masë të madhe do të jetë e gatshme për demarkacionin, pasi që beson se do të aplikohet parimi i njëjtë që ka vlejtë për caktimin e kufijve të shteteve të reja që kanë dalë nga ish Jugosllavia.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit