Me një ceremoni mbresëlënëse në stadiumin olimpik të Azerbajxhanit nisën zyrtarisht Lojërat e katërta të Solidaritetit Islamik.
Në Baku parakaluan me radhë 56 vende nga i gjithë globi, me delegacionin shqiptar që kishte gjithashtu një vend nderi në kryeqendrën e azerëve.
Ceremonia, e cila ishte blinduar nga mijëra forca sigurie, rezervoi ngjyrat tradicionale dhe përfshiu në koreografi pjesë të ndryshme të vendit organizator.
Delegacioni kuqezi parakaloi nën ritmet e Lojërave të Solidaritetit, me stafin dhe 5 sportistët që do të jenë këto ditë pjesë e garave, Relaksa Dauti, Arta Merturi, Spajdi Selamaj, Deni Baholli dhe Elord Gjana.
Gjimnastika ritmike, boksi, volejbolli, hendbolli dhe tenisi ishin të parët sporte që ngritën siparin e garave këtë të premte në Baku.
Lojërat Islamike do të përfundojnë me një tjetër ceremoni, që organizatorët kanë premtuar se do të jetë elektrizuese mbrëmjen e 22 majit në Baku.