Nis sot në Mbretërinë e Bashkuar, samiti i G7-ës, i pari – për dy vitet e fundit – me të gjithë liderët e pranishëm. Nga samiti pritet dhe deklarata që shtatë vendet më të industrializuara në botë do të dhurojnë një miliard doza vaksinash për vendet më të varfra, për t’i ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.
Ndërkohë kryeministri britanik Boris Johnson, konfirmoi se vendi i tij do të dhurojë brenda vitit të ardhshëm, 100 milion doza nëpërmjet aleancës së Covax. 5 milion prej tyre brenda muajit shtator. Ai theksoi se kolegët e tij duhet të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që të vaksinohet e gjithë bota brenda këtij vit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zotuar të japin 500 milion vaksina që janë pjesë e totalit prej një miliard brenda G7-ës. Samiti i G7-ës risjell në vëmendje sfidën e perëndimit ndaj Kinës për koronavirusin, në kuadër të së cilës do të kërkohet një hetim i ri nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Presidenti amerikan Biden dhe kryeministri britanik Johnson janë gati të shpallin një ‘kartë të re atlantike’ për të përforcuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve. Presidentja e komisionit të Bashkimit Europian Von Der Lejen kërkon bashkëpunim më gjithëpërfshirës duke cilësuar Rusinë dhe Kinën si burime shqetësimesh.
Tema është në qendër dhe të agjendës italiane me kryeministrin Draghi që takohet të shtunën me kreun e Shtëpisë së Bardhë Biden./abcnews.al