Lideri populist, Geert Wilders ka shkaktuar zemërim të madh në nisje të fushatës së tij elektorale kur sulmoi popullsinë marokene të vendit. Deputeti anti-emigracion i quajti ata “fundërrina” dhe tha se dëshironte ta bënte Holandën “tonën sërish”.
53-vjeçari Wilders, u mor nën mbrojtjen e policisë dhe forcave të sigurimit në momentin kur dha komentet e tij gjatë një shëtitjeje në bastionin e partisë së tij në Spijkenisse, pjesë e një zone industrial të përzjerë në jug të Roterdamit.
“Fundërrinat marokene në Holandë… një herë përgjithmonë ata janë të gjithë fundërrina… por ka shumë fudnërrina marokene në Holandë që na i bëjnë rrugët të pasigurta, pjesa më e madhe të rinj… dhe kjo duhet të ndryshojë”, u tha ai gazetarëve ndërsa përpiqej të ecte nëpër tregun e qytetit.
Wilders, i cili ka jetuar i fshehur që prej vrasjes së vitit 2004 nga një militant, i producentit Theo van Gogh, shpreson që rritja globale e populizmit të ushqejë kandidaturën e tij për ta sjellë në pushtet në zgjedhjet parlamentare. Fushata e tij premton edhe ndalimin e emigracionit musliman, mbylljen e të gjitha xhamive dhe largimin nga Bashkimi Europian.
Ai ka kryesuar sondazhet për disa javë dhe progresi i tij po monitorohet me kujdes nga politikanët që druhen se politika në Europë po merr një kthesë të fortë në të djathtë.
Deputeti që gjithashtu, ka premtuar të ndalojë Kuranin nëse vjen në pushtet partia e tij, është dënuar në dhjetor për disa komente të mëparshme në lidhje me marokenët që jetojnë në Holandë.
Sondazhet i japin Wilders dhe partisë së tij nga 24 deri në 28 vende në parlamentin prej 150 anëtarësh, dy deri në tre vende më shumë sesa partia qeverisëse e kryeministrit liberal, Mark Rutte.
Sidoqoftë, edhe nëse del parti e parë, Wilders do të ketë vështirësi për të ndërtuar një koalicion qeverisës për shkak se pjesa më e madhe e partive e kanë përjashtuar bashkëpunimin me të, duke i konsideruar pikëpamjet e tij ofenduese ose anti-kushtetuese.
Peisazhi i fragmentarizuar politik në Holandë do të thotë se një qeveri koalicioni prej më shumë se katër apo më shumë partish do të ishte domosdoshmëri.