1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Nikola Sanduloviq në paraburgim: Heshtje në Serbi, reagime nga niveli më i lartë në Kosovë

Më të lexuarat

Kryetari i Partisë Republikane në Serbi, Nikola Sanduloviq, është paraburgosur, ka konfirmuar Prokuroria e Nishit.

Siç thuhet në përgjigjen e nënshkruar nga kryeprokurorja Borica Mitiq, paraburgimi i është caktuar atij për shkak të “dyshimit se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Ky është gjithashtu konfirmimi i parë zyrtar i masave të marra nga autoritetet zyrtare në Serbi, pas spekulimeve që pasuan emrin e Sanduloviq në ditët e para të vitit 2024, një person me një biografi kontroverse, ku përfshihet edhe plagosja e tij nga shpërthimi i një makine 13 vjet më parë, dhe u arrestua për “përhapje paniku” më 2020 gjatë pandemisë.

Si arriti rasti në publik?

Në Serbi, komentet negative vërshonin portalet tabloide në lidhje me postimin që Sanduloviqit e bëri në rrjetin social X (dikur i njohur si Twitter) më 2 janar.

Bëhet fjalë për një video ku shihet ai duke vizituar kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz. Nuk thuhet se kur është bërë videoja. Në video, Sanduloviq vendos një kurorë në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një ditë pas publikimit të videos në rrjetin X, avokati Çedomir Stojkoviq bëri të ditur se Sanduloviqi është arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Stojkoviq vazhdoi me njoftimet e tij atë ditë edhe të nesërmen dhe në mbrëmjen e 3 janarit deklaroi se ishte bastisur banesa e Sanduloviqit në komunën e Beogradit “Savski venac”. Duke vepruar kështu, ai ndau një foto të urdhrit të bastisjes të lëshuar nga Gjykata e Lartë Publike në Beograd.

Në një nga postimet e fundit, të publikuar pak para përfundimit të këtij teksti, Stojkoviq publikoi edhe një dokument nga Drejtoria e Policisë Kriminale e Serbisë, ku thuhet se ndalimi i Sandulloviqit ka ndodhur për shkak të publikimit të një postimi në X nga Prekazi.

REL-i nuk mund ta konfirmojë vërtetësinë e këtij dokumenti.

Komentet që pasuan

Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, ka folur për ngjarjet në lidhje me Sanduloviq, para se të konfirmohej zyrtarisht ndalimi.

Ajo ka shkruar në rrjetin social X se është “thellësisht e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e Nikola Sanduloviqitit, pas raportimeve se ai ishte rrahur brutalisht nga shërbimi inteligjent serb”.

Një ditë më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rrjetin social X ka shprehur shqetësimin e tij për politikanin opozitar nga Serbia.

“Kjo po ndodh pas kërkim faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë. Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që Qeveria serbe ua imponon qytetarëve të saj për guximin që ta pranojnë të vërtetën dhe të përpiqen për pajtim. Ai gjithashtu përbën shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të stilit të Putinit ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”.

Po ashtu më 5 janar, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, në llogarinë e saj X, ndau fotografi të Nikola Sanduloviqit nga ambulanca, duke treguar një prerje në syrin e tij të majtë, së bashku me një tekst që i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë “aktin në përpjekje për të eliminuar këtë opozitë”.

Radio Evropa e Lirë nuk mund ta konfirmojë vërtetësinë, kohën ose vendin e fotografisë të këtij postimi në Twitter.

Përveç Prokurorisë, as Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë dhe as Agjencia e Sigurisë Informative (BIA) nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për Sandulloviqin. Asnjë përgjigje nuk është marrë në pyetjet për torturën e supozuar të policisë ndaj Sanduloviqit.

Kush është Nikola Sanduloviq?

Nikola Sanduloviq është kryetar i Partisë Republikane, parti e cila që nga themelimi në vitin 2015, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Në daljet e tij publike ai kritikoi autoritetet në Serbi, ndërsa ndër të tjera foli për simpatinë e tij për ish-presidentin amerikan, Donald Trump, duke përfshirë mbështetjen e tij për sulmin e mbështetësve të tij në Capitol Hill në janar 2021.

Në jetën politike të Serbisë, Sandulloviq u shoqërua me polemika, kryesisht në lidhje me akuzat për përhapjen e lajmeve problematike, të cilat kulmuan gjatë pandemisë. Në mars 2020, ai u arrestua për gjoja përhapjen e lajmeve të rreme.

Megjithatë, ngjarja më e rëndë që lidhet me emrin e tij është nga janari i vitit 2010, kur ai u plagos në shpërthimin e një bombe të vendosur nën makinën e tij në Beograd. Rasti është ende i pazbardhur. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit