1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Ngrënia e pasurisë së jetimit

Më të lexuarat

Tema: Largohuni nga shtatë gjërat shkatërruese (pjesa e pestë)

Ngrënia e pasurisë së jetimit

Transmetohet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Largohuni nga shtatë gjëra shkatërruese. I than o i Dërguari i Allahut, e cilat janë ato? Tha shirku (idhujtaria), sihri (magjia), mbytja e njeriut pa të drejt, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, largimi nga vija e frontit, shpifja ndaj grave të ndershme.
Njëra prej mëkateve që i Dërguari i Allahut ka tërheq vërejtjen është ngrënia e pasurisë së jetimit.
Islami i kushton një kujdes të veçantë shtresave të shoqërisë të cilat nuk janë në përkujdesje nga dikush. Zakonisht këto shtresa shoqëria din ti nëpërkëmb dhe të mos kujdesen ashtu sikur e meritojnë ata. Mu për këtë, Islami i ka kushtuar një rëndësi të veçantë jetimëve, të varfërve, skamnorëve, ata që janë me aftësi të kufizuara dhe kështu me radhë.
Ajo çka edhe më shumë tregon rëndësinë e përkujdesjes së jetimit në shoqëri është edhe vetë zgjedhja e Allahut, që i Dërguari i tij Muhamedi alejhi selam të rritet jetim. Mirëpo, ai edhe pse ishte rritur jetim kishte arritur kulmin e moralit dhe etikës. Sepse, atë e kishte marr në mbikëqyrje Allahu. Një begati të tillë Allahu ia rikujtoi në Kuran. A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë? ( Duha 6). Ndërsa prej shokëve të Pejgamberit që ishin rritur jetim ishin Ebu Hurejre, Zbejr b. Avami. Prej dijetarëve që ishin rritur jetim ishin Buhariu, Imam Shafiu, Imam Ahmed b. Hambeli, Imam Ibnul Xhevzi dhe shumë të tjerë.
Ky fëmijë të cilit i ka vdekur babai, ose i kanë vdekur dy prindërit, pasuria e tij dhe kujdesi i tij është në rrezik. Për këtë, sheriati ka vendosur të drejta të mëdha për jetimin, porosi të mëdha. Neglizhenca ndaj tyre është prej mëkateve të mëdha, ndërsa marrja e pasurisë së tij, apo lënia pas dore e kujdesit ndaj tij llogaritet prej krimeve të mëdha dhe prej gjërave shkatërruese. Allahu thotë në Kuran: “A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë? A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi? A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt? ( Duha 6,7,8). Prej këtyre ajeteve kuptojmë se jetimi ka nevojë për tri gjëra , pa e vonuar njërën nga tjetra. Ka nevojë për vendbanim në të cilin ai do të strehohet, edukimi i mirë dhe kujdesi për edukimin e tij, si dhe pasuria që shpenzohet për të, apo ruajtjen e pasurisë së tij deri sa ai të rritet.
Po ashtu Kurani është kujdesur edhe për anën shpirtërore dhe sociale të jetimit. Jetimi duhet të respektohet, të sillemi but me të. Jetimin nuk duhet të nënçmojmë, ta shtypim, ta zhvlerësojmë . Allahu ka tërheqë vërejtjen që me jetimin mos të sillemi në këtë mënyrë: “Prandaj, mos e shtyp jetimin”, ( duha 9). Po ashtu Allahu thotë: A e ke parë atë që mohon Ditën e Llogarisë? Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët ( Maun 1,2).
Kurani i ka kushtuar një rëndësi të veçantë të drejtës së jetimit në pasurinë e tij, gjersa pasuria e tyre mos ti ekspozohet ngrënies pa të drejtë, apo humbjes së saj. Po ashtu Kurani ka caktuar burime të shumta prej të cilave jetimi mund të marr nga pasuria. Sikur që është nxitja për lëmosh ndaj jetimit. Allahu thotë në Kuran: Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, ( Insan 8). Në trashëgimi Allahu thotë: E kur në ndarjen e trashëgimisë të jenë të pranishëm farefisi i largët, jetimët dhe të varfrit, u dhuroni edhe atyre diçka dhe thuajuni fjalë të ëmbla ( nisa’ 8) . Në plaçkën e luftës Allahu thotë: Ta dini se çfarëdo që të fitoni si plaçkë lufte, një e pesta i takon Allahut, të Dërguarit dhe farefisit të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarit (që ka ngelur në rrugë), ( Enfal 41).
Kujdesi ndaj jetimit përfshin tri gjëra:
1. Jetimi i cili është i pasur dhe nuk ke nevojë për ndihmë. I vdes babai dhe i len pasuri fëmijës. Nëna e merr fëmijën në përkujdesje dhe e edukon atë. Nëse nuk është nëna atëherë e merr në përkujdesje gjyshi, axha, apo dikush prej të afërmve të tij. Po ashtu kanë obligim që të kujdesen edhe për pasurinë e tij. Nëse është tregti atëherë ta menaxhojnë mirë. Në këtë gjendje jetimi i pasur nuk ka nevojë për strehim, apo ndonjë ndihmë materiale. Por, ka nevojë vetëm që të kujdesen për të në edukimin e mirë të tij.
2. Jetim i varfër, i cili ka nevojë për ndihmë. Është jetimi të cilit i vdes prindi dhe nuk i len prej pasurisë asgjë. Ky jetim ka nevojë për kujdesin e tij në anën materiale si dhe për kujdesin e edukimit të mirë.
3. Jetimi i varfër, të cilit i kanë vdekur dy prindërit, nuk i kanë lënë asgjë nga pasuria. Atëherë, në këtë rast merr përsipër kujdesin e tij dikush prej të afërmve të tij, ose dikush prej bamirësve, ose ndonjë organizatë, ose shteti. Dhe ky jetim ka nevojë për strehim, pasuri dhe edukimi.
Kujdesi ndaj jetimit është prej gjërave më të mëdha me të cilat njeriu afrohet te Allahu. Nuk është logjike,e as fetare, dhe natyrshmëria e njeriut nuk e pranon që jetimi të privohet dy herë në jetë. E para të privohet nga dashuria ndaj prindërve dhe mallëngjimi për ta dhe e dyta të privohet nga kujdesi i shoqërisë dhe mëshirën ndaj tij. Kujdesi ndaj jetimit është mjet për ti shtuar njeriu veprat e tij të mira. I Dërguari i Allahut thotë: “ Kush përkëdhelë kokën e jetimit dhe këtë e bënë për Allahun, për çdo qime të flokëve që prek dora e përkëdhelësit do të ketë të mira”. Kujdesi ndaj jetimit rehabiliton zemrën e njeriut dhe e shëron atë nga vrazhdësia. Transmetohet nga Ebu Hurejre se një njeri erdhi te Pejgamberi dhe u ankua për vrazhdësinë e zemrës së tij, i Dërguari i Allahut i tha: Nëse dëshiron zbutjen e zemrës tënde shko dhe përkëdhele kokën e jetimit”. Po ashtu i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Unë dhe kujdestari i jetimit do të jem në xhenet kështu dhe ngriti gishtin tregues dhe gishtin mesëm dhe i ndau pak mes veti”. Kujdestari i jetimit në këtë hadith është për qëllim ai që kujdeset për strehimin e tij, për edukimin e tij dhe për furnizimin e tij si dhe për ruajtjen e pasurisë së tij, nëse jetimi është i pasur.
Është obligim që të kujdesemi për pasurinë e jetimëve dhe të mos e përdorim atë përveç se në të mirën e jetimit. Allahu thotë në Kuran: Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! ( En’am 152). Do të thotë se kujdestari i jetimit ka të drejtë që të bëjë tregti me pasurinë e jetimit me qëllim që ta shtoj pasurinë e tij dhe ta zhvilloj atë derisa jetimi ta arrij moshën e pjekurisë.
Prej mëkateve më të mëdha është ngrënia e pasurisë së jetimit, mos kujdesi ndaj saj dhe humbja e saj. Allahu thotë në Kuran: Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues. ( Nisa’ 10).
Për ta dorëzuar pasurinë e jetimëve në duart e tyre duhet të plotësohen dy kushte themelore. Kushti i parë që jetimi të arrij moshën madhore, d m th të ketë pjekuri fizike, dhe kushti i dytë që jetimi të arrij pjekurinë mentale, të jetë i aftë për ta menaxhuar pasurinë e tij. Kjo është nxjerr nga fjala e Allahut: Vërini në provë jetimët, derisa të bëhen për martesë! Nëse vëreni se janë pjekur, atëherë jepuani pasurinë e tyre! Mos nxitoni në shpenzimin e pasurisë së tyre në mënyrë të panevojshme dhe para se ata të rriten! Kush është pasanik, le të përmbahet në marrjen e pasurisë së tyre e, në qoftë se është i varfër, le të harxhojë aq sa është e arsyeshme dhe e drejtë. Kur t’jua dorëzoni pasurinë e tyre, bëjeni këtë në prani të dëshmitarëve. Allahu është i mjaftueshëm si llogaritës ( Nisa’ 6).
Sot në botë për shkak të luftërave të mëdha ekzistojnë më shumë se dyqind milion e gjysmë jetim. Një përqindje prej tyre zgjedhin vetëvrasjen . Një përqindje prej vajzave që mbesin jetime përdoren për amoralitet. Një përqindje e madhe e meshkujve përdoren për luftëra dhe krime të ndryshme. Të gjitha këto për shkak të humbjes së këtij obligimi dhe këtyre të drejtave ndaj jetimëve dhe kujdesin e tyre.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më: 20/03/2015
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit