1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga sot s’ka targa të vjetra

Më të lexuarat

Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, të cilët për më shumë se dhjetë vjet i kanë përdorur targat e vjetra të automjeteve të ish-Jugosllavisë (PR, GL, KM, UR dhe PZ), që nga sot nuk mund të lëvizin nëpër rrugët e Kosovës. Serbët kosovarë janë të obliguar që t’i ndërrojnë këto targa me targa të reja të Kosovës, qofshin ato RKS apo KS.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë që është arritur vitin e kaluar në Bruksel mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, parasheh që targat e vjetra të automjeteve të hiqen nga qarkullimi nga data 1 qershor, shkruan “Zëri”.

Në fakt, marrëveshja e ka paraparë që targave të vjetra t’u jepet fund me datën 1 nëntor të vitit të kaluar, por me një vendim të ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, është mundësuar që targat e vjetra të përdoren deri më 1 qershor.

Një ditë më parë, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanovic, ka deklaruar se vendimi për heqjen e tabelave të vjetra është i padrejtë, dhe si i tillë kontribuon në keqësimin e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Por, në raport me akuzat e Stefanovicit të enjten ka reaguar zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri. Pas përfundimit të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, Tahiri, e cila e ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka thënë se që nga sot fillon zbatimi i vendimit të qeverisë për përdorimin e tabelave, siç ka thënë ajo, legale dhe largimin e atyre ilegale.

“Desha të jap edhe porosinë për zotin Stefanovic, i cili ishte deklaruar dje për këtë çështje. Qeveria e Kosovës në emër të dhënies së një kohe për tranzicionin prej tabelave ilegale në legale i kemi dhënë kohë tetë muaj, pra prej 1 nëntorit kur ka hyrë në fuqi kjo pjesë e marrëveshjes për lëvizje të lirë, tetë muaj ka qenë mjaft kohë për të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët pra kanë përdorur dikur tabela ilegale dhe sot duhet t’i përdorin tabelat e automjeteve të shtetit të Kosovës”, është shprehur ajo.

Sikurse që është deklaruar kryeministri Thaçi ditë më parë, edhe Tahiri ka mohuar se është planifikuar ndërrimi i saj si udhëheqëse e delegacionit me Serbinë me një zyrtar tjetër qeveritar, ndërsa ka theksuar se bisedime të tjera nuk do të ketë derisa Serbia nuk i zbaton të gjitha marrëveshjet e mëhershme. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit