15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Norvegji, Breivik ishte i droguar gjatë sulmit

Më të lexuarat

Anders Behring Breivik përdori stimulantë përpara se të lëshonte sulmin e tij vdekjeprurës në Norvegji në datën 22 korrik të vitit të shkuar, u bë e ditur gjatë procesit që po zhvillohet në Oslo.

Një ekspert i toksikologjisë dhe mjekësisë ligjore, Joerg Moerland, deklaroi në cilësinë e dëshmitarit se vrasësi kishte marrë një përzjerje ephedrine, kafeine dhe aspirine.

”Mund të thuhet se ai ishte lehtësisht ose mesatarisht i droguar. Substanca ka luajtur një rol stimulues në veprimet e tij”, deklaroi eksperti gjatë procesit.

Breivik ka pranuar përgjegjësinë e sulmit me bombë në Oslo dhe atë me armë në Utoja, ku 77 persona mbetën të vrarë dhe 242 të plagosur, por mohon përgjegjësinë kriminale për këto veprime.

Gjatë gjyqit, do të vlerësohet edhe nëse autori i masakrës më të rëndë në kohë paqeje në Norvegji, është i aftë mendërisht.

Ky vendim do të përcaktojë nëse 33-vjeçari do të vuajë dënimin që do të marrë në një burg të sigurisë së lartë apo në një institucion të shëndetit mendor.

Një javë më parë, Breivik i vendosi kusht gjykatës për pranimin e dënimit të tij vetëm nëse ajo do ta shpallë të aftë mendërisht. Sipas vrasësit, një vendim i kundër do të zhvlerësonte veprimin e tij “heroik”, i motivuar vetëm nga ndienjat e thella të atdhedashurisë.

Në sulmin e një viti më parë, atentatori shënjestroi një kamp të rinjsh të një partie që përkrah multikulturalizmit. Sipas Breivik, kjo ishte e domosdoshme për të ndërgjegjësuar Norvegjinë për rrezikun e emigracionit dhe përhapjes së islamizmit.

Gjatë gjyqit të së enjtes, u dhanë edhe prova bindëse kundër pretendimeve të Breivik se është pjesë e një grupi anti-musliman radikal europian. Sipas të gjitha gjasave të policisë norvegjeze, ai ka vepruar tërësisht i vetëm./tch/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit