-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Nga sihariqet e Haxhit

Më të lexuarat

Nga: Dr. Jusuf Kardaui

Nga sihariqet e Haxhit

Vëllezër të dashur myslimanë! Në këto ditë të bekuara, besimtarët vërshojnë nga çdo cep i botës. Nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug drejt shtëpisë së shenjtë, Qabes së bekuar. Ata synojnë këtë vend të shenjtë, për të kryer ritualin e Haxhit, ritual të cilin Zoti e ka bërë obligim për çdo mysliman dhe myslimane një herë në jetë, për këdo që i përballon shpenzimet dhe udhëtimin. Zoti thotë në Kuran: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Beken (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al Imran, 96-97)
“E kush nuk beson” është ai që i kthen shpinën Haxhit dhe nuk i përgjigjet thirrjes hyjnore për ta kryer këtë ritual edhe pse i ka mundësitë. “E kush nuk beson” është përdorur në vend të atij që heq dorë nga haxhi, për të treguar sesa e rëndë është të mos kryesh haxhin nëse ekzistojnë mundësitë. Është mëshirë e Zotit që Haxhi është obligim vetëm një herë në jetë. Profeti a.s u tha një ditë shokëve të tij: “O njerëz! Zoti ua ka bërë obligim Haxhin, prandaj kryejeni atë!” Dikush e pyeti: “A çdo vit o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s heshti. Burri ia përsëriti sërish pyetjen dhe Profeti a.s nuk foli sërish. Kur u pyet për herë të tretë, Profeti a.s tha: “Nëse do të thosha “po” do të bëhej obligim çdo vit dhe nuk do mundeshit.” Prandaj themi që është mirësi e Zotit që ky ritual është obligim vetëm një herë në jetë. Haxhi është një detyrë e veçantë dhe adhurim gjithëpërfshirës.
Ritualet e dukshme dhe ato të fshehta
Ritet në Islam janë të larmishme, ka prej tyre që janë të dukshme pasi janë rituale fizike, por ka dhe të tjera që janë të fshehta pasi lidhen direkt me zemrën. Ritet e dukshme janë ato që kryhen me gjymtyrët e trupit, që shihen dhe konstatohen prej njerëzve. Sakaq, ritet e brendshme dhe të fshehta janë ato të zemrës, si dashuria për Zotin, sinqeriteti, përulja, mbështetja tek Zoti, shpresa, frika nga dënimi i Tij etj… Rite të tilla janë mishërim i devotshmërisë së zemrës, organi të cilin sheh dhe vëzhgon Zoti i lartësuar, para se të shohë çdo gjë tjetër.
Profeti a.s thotë: “Zoti nuk sheh pamjen tuaj, por sheh zemrat tuaja.”
Tek ritet e dukshme hyjnë ritet që kanë të bëjnë me gjymtyrët, financën, veprat që duhen bërë dhe ato që duhen shmangur. Ka rite në të cilat lipset të veprosh diçka, ashtu siç ka të tjera në të cilat lipset të distancohesh prej tyre, siç është agjërimi, ku besimtari distancohet nga ushqimi si formë kënaqësie për Zotin. Disa rituale kryhen dhe kërkojnë lodhje fizike, siç është namazi dhe agjërimi. Të tjera kërkojnë shpenzimin e pasurisë, e cila konsiderohet simotra e shpirtit. “Njerëzit janë të prirur nga koprracia.” (Nisa, 128)
“Njëmend, njeriu rëndom është koprrac”. (Isra, 100)
Këtu vlen të përmendim dhënien e zekatit dhe sadakasë. Por ekzistojnë dhe rituale të tjera, të cilat bashkojnë kontributin fizik dhe atë shpirtëror, siç është Haxhi dhe xhihadi në rrugën e Zotit. Haxhi është një ritual fizik dhe financiar sepse lipset mundi dhe shpenzimi i pasurisë.
Ka qenë vullneti i Zotit që Haxhi të kryhet në atë luginë të thatë të Mekës. Ai nuk ka dashur që ky ritual të kryhet në vende të bukura si Libani, Zvicra apo ndonjë vend tjetër. Ai deshi që ky ritual të kryhet në luginën e Mekës, luginë e thatë dhe pa bimësi, me qëllim që njeriu të lodhet dhe të vuajë. Ditët e Haxhit i përngjajnë ditëve që eksploruesit kalojnë në zona të pabanueshme, ata bëjnë jetesë të thjeshtë, larg luksit, lëvizin nga një vend në tjetrin, shpenzimet e përditshme janë tepër modeste dhe i zë gjumi kudo ku për jastëk kanë krahun e tyre.
Haxhi në lashtësi dhe në kohët moderne
Haxhi në kohët moderne është lehtësuar maksimalisht krahasuar me lashtësinë. Mjetet e transportit e kanë bërë Haxhin shumë të lehtë dhe të përballueshëm.
Imam Nesefiu tregon se gjatë Haxhit kishte parë një burrë që sillej rrotull Qabes. Ai e kishte pyetur: “Nga jeni?” Burri i kishte thënë emrin e një vendi tepër të largët. Imam Nesefiu e pyet: “Kur je nisur për Haxh?” Burri i thotë: “A e shikon kokën time?” “Po” i thotë imam Nesefiu. Burri: “A dallon ndonjë qime të zezë?” Imam Nesefiu i thotë: “Jo, të gjitha janë të thinjura”. Burri ia kthen: “Jam nisur kur në kokë nuk kisha asnjë qime të thinjur, kurse tani nuk kam asnjë qime të zezë.”
Shumë njerëz, kohë më parë, merrnin rrugën e Haxhit dhe me të ndaluar në një vend, punësoheshin për të siguruar të holla për udhëtim. Kështu, ata kalonin nga një vend në tjetrin duke punuar, derisa mbërrinin përfundimisht në Haxh, pasi të ishin thinjur. Kurse në kohët tona, edhe nga fundi i botës të jesh, për disa orë e sheh veten në Mekë. Por sido që të jetë, Haxhi përmban vështirësi fizike, pasi në thelb ai është një ritual që kërkon mund fizik dhe shpenzim financiar. Besimtarit do i duhet të paguaj biletën e udhëtimit ajror, rrugor apo detar qoftë sipas kushteve dhe mundësive. Kushdo që ka mundësi ta kryejë Haxhin e ka obligim atë.
Shpejtoni në Haxh me t’iu krijuar kushtet
Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me çështjen nëse Haxhi duhet kryer menjëherë me tu krijuar kushtet, apo mund të shtyhet dhe më vonë. Dijetarët që mendojnë se mund të shtyhet ngase nuk mund ta kryejë Haxhin pasi iu krijuan kushtet. Personi në fjalë mban përgjegjësi, pra është gjynahqar për vonesën. Nëse varfërohet pasi ka qenë i pasur, i vështirësohet pasi e kishte të lehtë, sëmuret pasi ishte i shëndetshëm ose vdes pa e kryer Haxhin edhe pse dikur e kishte të mundur, ai do të japë llogari për zvarritjen dhe vonimin. Prandaj, është më mirë që myslimani ta kryejë Haxhin me t’iu krijuar kushtet dhe nuk ka arsye që e pengojnë. Në një hadith, Profeti a.s thotë: “Shpejtoni ta kryeni Haxhin, pasi askush nuk e di çfarë i ndodh.” I shëndetshmi mund të sëmuret, i riu plaket, i pasuri varfërohet dhe i gjalli vdes. Prandaj konkurroni për vepra të mira.
Të kesh mundësi të kryesh Haxhin do të thotë: Mundësi financiare dhe mundësi fizike. Pra, personi duhet të ketë shumën e nevojshme e cila ia mundëson të mbërrijë në tokën e shenjtë me çfarëdo lloj mjeti. Nëse nuk i përballon dot shpenzimet e udhëtimit me aeroplan dhe ka mundësi të shkojë me makinë, të shkojë me makinë. Po ashtu, nëse e ka të pamundur të qëndrojë me javë siç bëjnë haxhilerët e tjera, le ta shkurtojë Haxhin. Siç e dimë, haxhi kryhet për pesë ditë dhe në raste të veçanta, mund ta shkurtojë në katër ditë, pra dita e Teruijes, dita e Arafatit, dita e Kurban Bajramit dhe dy ditë më pas. “Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah.” (Bekare, 203)
Kushdo që i përballon financiarisht shpenzimet e Haxhit, për katër apo pesë ditë duhet ta kryejë këtë obligim. Vizita e Medinës nuk është nuk ka të bëjë me ritualin e Haxhit, pra nuk është kusht. Vizitën e Medinës mund ta realizojë edhe herë tjetër, sakaq Haxhi nuk duhet shtyrë dhe vonuar, nëse janë mundësitë. Mjafton që besimtari të sigurojë shumën e nevojshme të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit, pa përfshirë shumën që i lipset për dhurata. Nuk duhet të harrojmë se obligim është kryerja e Haxhit dhe jo blerja e dhuratave. “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka” (Bekare, 286)
“Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.” (Talak, 7)
Barrierat që pengojnë kryerjen e Haxhit
Kushdo që e ka të mundshëm Haxhin financiarisht dhe nuk ka asnjë pengesë shëndetësore dhe fizike, duhet ta kryejë Haxhin. Nëse ai ka ndonjë pengesë të përhershme, kryerjen e Haxhit për të, mund ta bëjë njëri nga fëmijët e tij, vëllezërit ose të afërmit. Kjo, vetëm nëse nuk pritet që gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet. Gjatë Haxhit, ka rite që besimtari duhet ti veprojë vetë, por ka dhe rite të tjera që mund t’ia besojë dikujt tjetër. Nëse nuk mund të ecë në këmbë, atëherë tavafin ai mund ta kryejë i ulur në një karrocë, e cila shtyhet nga një person tjetër. Po ashtu dhe rendja mes Safës dhe Meruas. Për qëndrimin në Arafat nuk lipset asgjë, pasi ai është thjesht qëndrim dhe nuk lipsen veprime të caktuara që kërkojnë mund. Lidhur me hedhjen e gurëve në Xhemerat, ai mund t’ia besojë dikujt tjetër këtë mision, vetëm nëse e ka të pamundur për shkak të fluksit të madh të njerëzve. Megjithatë, nëse e ka të mundur ti hedhë vetë gurët edhe pse ka fluks, burrë qoftë apo grua. “Dhe madhërojeni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut).” (Bekare, 203)
Në disa vende, numri i haxhilerëve është i kufizuar, për shkak të fluksit të madh të besimtarëve që duan të kryejnë Haxhin. Për ta pasur situatën nën kontroll, autoritetet e Arabisë Saudite, në bashkëpunim me shtetet myslimane, kanë vendosur një numër të kufizuar haxhilerësh për çdo shtet, sipas popullsisë përkatëse. Kjo është bërë me qëllim që të shmanget kaosi dhe rrëmuja, siç ka ndodhur vitet e mëparshme, ku kanë vdekur haxhilerë sidomos tek xhemeratet. Bazuar në këtë, shtetet hedhin shortin për të zgjedhur personat që kanë shënuar emrat. Në rast se dikujt nuk i del emri, kjo është arsye për të që e pengon të kryejë Haxhin dhe i duhet të presë vitin tjetër. Arsye të tilla nuk janë në dorën e besimtarit dhe në këto raste, ai është i justifikuar nëse nuk shkon dot në Haxh.
Çdo ritual i dukshëm, shoqërohet nga një tjetër i fshehtë
Haxhi është një ritual fizik dhe financiar, i dukshëm dhe i fshehtë. Çdo ritual dhe praktikë e dukshme, shoqërohet nga një tjetër e padukshme dhe e fshehtë, që është nijeti dhe sinqeriteti për Zotin. Profeti Muhamed a.s thotë: “Kush kryen Haxhin për hatër të Zotit dhe nuk e shoqëron me fjalë apo vepra banale, kthehet si ditën që e ka lindur nëna.”
Këtë shpërblim e fiton ai që e kryen Haxhin vetëm për hir të Zotit, pa dashur të mburret dhe të lavdërohet para njerëzve, ose thjesht për të fituar titullin haxhi filani. Ai që shkon në Haxh për hir të Zotit, nijetin e bën vetëm për Zotin dhe për asnjë interes tjetër.
Fjalët banale, janë ato fjalë dhe biseda të cilat zakonisht kanë të bëjnë me aktivitetin seksual, fjalë të cilat janë të papranueshme kurdo, por sidomos gjatë Haxhit. “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë Haxhin, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet.” (Bekare, 197)
Kurse veprat banale, janë gjynahet e ndryshme. Sakaq, grindjet dhe sharjet, zakonisht zhvillohen me bashkudhëtarët në Haxh, shitësit dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë ritual, i cili duhet të jetë ritual paqeje dhe tolerance. Ky ritual duhet ruajtur i pastër nga çdo gjë që i cenon dëlirësinë dhe qëllimin për të cilin kryhet.
“Kush kryen Haxhin për hatër të Zotit dhe nuk e shoqëron me fjalë apo vepra banale, kthehet si ditën që e ka lindur nëna.”
Haxhiu që ruhet nga veprat dhe fjalët banale, sikur lind për së dyti, i pastër nga gjynahet. Kushdo që dëshiron të fillojë një faqe të re me Zotin, le ta bëjë nijet të shkojë në Haxh dhe ta fillojë këtë ritual me këtë qëllim. Ai dëshiron të rilindë për së dyti. Tregues i pranimit të Haxhit është që marrëdhëniet e besimtarit me Zotin pas Haxhit, të jenë më të mira se para tij. Për fat të keq, disa njerëz shkojnë e kthehen pa ndryshuar asgjë nga jeta e tyre, ata janë njëlloj si para Haxhit ashtu dhe pas tij. Madje, disa kthehen nga Haxhi më keq se vajtën, pasi u hyjnë në hak njerëzve, u zhvatin pasuritë duke mos e ditur nëse është hallall apo haram ajo që po bëjnë. Sikur në Haxh ka marrë leje që të lejojë haramin dhe të shvasë pasuritë e botës padrejtësisht.
As Haxhi dhe as xhihadi nuk i shlyejnë detyrimet ndaj të tjerëve
Dijetarët pohojnë se gjynahet që i fshin Haxhi, janë ato gjynahe që janë mes robit dhe Zotit. Sakaq gjynahet mes njerëzve nuk shlyhen me Haxh, por duke i kthyer secilit të drejtat që i takojnë. “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt.” (Nisa, 58)
Këtu, bën përjashtim dikush që e ka të pamundur t’ua kthejë njerëzve të drejtat që u takojnë dhe që u janë shkelur prej tij. Nëse një njeri i tillë u ka hyrë në hak kushedi mijëra njerëzve gjatë jetës, u ka zhvatur pasuritë me mashtrim, monopole etj… dhe tani dëshiron të pendohet, por pa pasur mundësi t’ua kthejë të drejtat personave përkatës, gjynahu i tij shndërrohet në gjynah me Zotin. Në këtë rast, Haxhi ia fshin gjynahet. Por në qoftë se ai ka me miliarda dhe dëshiron ta pastrojë veten me Haxh ndërkohë që ka detyrime ndaj njerëzve, këto detyrime i mbeten në qafë dhe i themi: Nëse kryen Haxhin me qindra herë dhe shkon në Umre me mijëra herë, Zoti nuk ti fal gjynahet derisa tu kthesh të drejtat personave përkatës.
Edhe martirizimi për hir të Zotit, që është shumë herë më i vlefshëm se Haxhi, nuk i fshin detyrimet ndaj njerëzve. Transmeton imam Muslimi se i dërguari i Zotit a.s ka thënë: “Martirit i falet çdo gjynah, përveç borxhit.”
Një person e pyeti Profetin a.s: “O i dërguar i Allahut! Nëse vritem në rrugë të Zotit, a më falen gjynahet?” Profeti a.s iu përgjigj: “Po.” Pasi burri u kthye dhe bëri disa hapa, Profeti a.s e thirri dhe i tha: “Çfarë më the qëparë?” Burri iu përgjigj: “Nëse vritem në rrugë të Zotit, a më falen gjynahet? Ju më thatë po.” Atëherë Profeti a.s i tha: “Të falen të gjitha gjynahet nëse vritesh në rrugë të Zotit, përveç borxhit. Këtë ma komunikoi Xhibrili a.s në këto çaste.” Pra, Xhibrili kishte zbritur posaçërisht për ti thënë se vetëm borxhi nuk i falet atij që martirizohet për hir të Zotit. Nëse edhe martirizimi në rrugë të Zotit nuk e fshin një gjynah që ka të bëjë me detyrimet ndaj njerëzve, është e pamundur që ta fshijë haxhi edhe nëse u ruhet fjalëve dhe veprave banale.
Cili është Haxhi i pranuar?
Profeti Muhamed a.s thotë: “Një Haxh i pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.” Shumë njerëz, kur nisen për në Haxh e lusin njëri-tjetrin: “Zoti ta bëftë rizk një haxh të pranuar, gjynahe të falura dhe mund të shpërblyer. Por cili është haxhi i pranuar që ka si shpërblim xhenetin? Një haxh i tillë, duhet të plotësojë disa kritere:
Së pari: Nijeti i pastër vetëm për Zotin.
Së dyti: Shpenzimet të jenë nga pasuri e fituar me hallall. Prandaj, myslimanët që kanë bërë nijet të shkojnë në Haxh, bëjnë çmos që shuma e nevojshme të jetë hallall. Të jetë larg çdo dyshimi, të mos jetë nga kamata bankare, të mos i jetë zhvatur dikujt padrejtësisht. Pra, të ketë burim hallall, të jetë fituar nga mundi dhe djersa e tij. Nëse dikush merr një rrogë, por puna e tij nuk e justifikon atë rrogë, siç veprojnë disa njerëz me vendet e punës në shtet, ku mungojnë shpesh, shkojnë vonë etj… kjo nuk është pasuri hallall. Kjo nuk është pasuri e fituar me djersë e mund, për ta merituar rrogën. Një person i cili kërkon ti pranohet haxhi, duhet që shuma përkatëse të jetë fituar në rrugë hallall.
Një poet arab thotë: “Nëse shkon në Haxh me pasuri haram, haxhin e kanë kryer devetë, jo ti”
Pra, nuk ke bërë haxh ti, por deveja apo makina me të cilën ke udhëtuar. Prandaj myslimani duhet të mjaftohet me pasurinë hallall. Ka njerëz të cilët i mbajnë sytë gjithmonë nga harami, nuk bindet me pasurinë e paktë dhe nuk e ngop e shumta. Ata i ngjajnë xhehenemit, ku sa më shumë njerëz të hidhen në të dhe të pyetet: “A u mbushe?” Do të përgjigjet: “A ka të tjerë?” Ai që ka një mijë, kërkon milionin, ai që ka milionin synon dhjetë milionin, ai që ka dhjetë milionin kërkon njëqind. Njeriu është lakmitar dhe nuk ngopet. Këtu bën përjashtim besimtari, i cili rend pas hallallit. Ruhu nga haramet, të jesh adhuruesi më i mirë, kënaqu me riskun e caktuar prej Zotit, të jesh pasaniku më i madh.
Detyrimet ndaj njerëzve janë të padiskutueshme
Dijetarët kanë thënë se kushdo që ka borxhe, nuk i lejohet të kryejë Haxhin, derisa të marrë leje nga borxhdhënësit. Kjo, sepse borxhi hyn tek detyrimet ndaj njerëzve, kurse Haxhi është detyrim ndaj Zotit. Detyrimet ndaj Zotit gëzojnë hapësira tolerance dhe falje, kurse detyrimet ndaj njerëzve janë të padiskutueshme. Egoizmi është në natyrën e njeriut, prandaj lipset që para Haxhit të shlyhen detyrimet njerëzore. Nuk ke përse të nisesh në Haxh, pa shlyer borxhet më parë, veç nëse borxhi shlyhet me këste si në rastin kur merren nga shteti për tu shlyer për një kohë të gjatë. Por nëse i ka marrë borxh dikujt, mos niset për në haxh, pa marrë lejen dhe miratimin e borxhdhënësit. Por edhe nëse borxhdhënësi e lejon, ai nuk duhet të shkojë nëse haxhi e pengon për ta shlyer borxhin në kohë.
Haxhi është një ritual sa i lashtë aq dhe i ri
Haxhi është një obligim madhështor dhe një ritual i pashoq. Ai është një ritual i lashtë, pasi zë fill që në kohën e profetit Ibrahim a.s.
“Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje “Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur. Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara…!” (Haxh, 26-28)
Haxhi nuk bëhet se Zoti ka nevojë, pasi diçka e tillë është e paimagjinueshme. Haxhi bëhet për nevojat dhe interesin e vetë besimtarëve. “dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Ali Imran, 97)
Ritualet dhe praktikat që duhet të kryejnë besimtarët, janë me qëllim që ti lartësojnë dhe pasurojnë shpirtërisht e moralisht ata, që ti afrojnë më shumë pranë Zotit, e kështu të arrihen përfitimet sociale nga këto rite. Nëse Zoti na obligon me një ritual të caktuar, kjo nuk do të thotë se Ai ka nevojë apo përfiton nga ky ritual. Atij nuk i bëjnë dobi ritualet dhe adhurimet tona, ashtu siç nuk e dëmtojnë gjynahet tona.
“O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” (Fatir, 15)
Zoti na obligoi me faljen e namazit për ta frenuar veten nga e liga. Ai na obligoi zekatin, që të na pastrojë dhe na obligoi agjërimin që të bëhemi të devotshëm. Ai na obligoi Haxhin, qëllimin e të cilit e cekën në ajetin: “që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara…!” (Haxh, 28)
Padyshim që si në rang individual ashtu dhe në rang shoqëror, dobitë e haxhit janë të shumta. Individi mysliman kthehet nga Haxhi me shpirt të pastër, me zemër të dëlirë, më i vendosur se kurrë për vepra të mira dhe distancim nga e liga. Kjo është ajo që vërehet tek pjesa më e madhe e haxhilerëve. Njeriu pas haxhit është më i mirë se para tij. Haxhi e mbush me energji shpirtërore, psikologjike dhe emocionale, për ti bërë ballë betejave të jetës.
Haxhi është një ritual që kryhet në një tokë të bekuar, ku ka lënë pas gjurmët profeti Ibrahim a.s bashkë me të birin Ismailin a.s. Aty ka lindur dhe është rritur profeti Muhamed a.s. Pelegrinët sjellin ndërmend Ibrahimin a.s. duke ndërtuar faltoren e Qabes, sakaq i biri Ismaili a.s e ndihmonte me gurë dhe ç’të mundej. Teksa punonin, të dy luteshin me përgjërim: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën:
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (Bekare, 127)
Nga lokaliteti në globalitet
Panorama që i paraqitet myslimanit në Haxh është e tillë që e mbush me forcë dhe energji. Haxhiu sheh myslimanët e mbledhur anë e mbanë botës me duart drejt qiellit duke cituar: “Lebbejk Allahume lebbejk”“Iu përgjigjëm thirrjes tënde o Zoti ynë”. Ai sheh sytë e tyre të përlotur, ngashërimet pranë derës së Qabes dhe gjatë tavafit, sheh fytyra të përgjëruara dhe buzë që dridhen. Të gjitha këto e prekin thellë në zemër dhe i japin forcë. Njeriu nuk është i ngurtë si guri, por përbëhet nga ndjenja dhe emocione. Ky udhëtim madhështor e pajis myslimanin me ushqimin shpirtëror dhe emocional të nevojshëm.
Nga një këndvështrim tjetër, Haxhi e pasuron horizontin kulturor të myslimanit. Një njeri i cili gjithë jetën ka jetuar në një vend të izoluar, mes miqve dhe të afërmve, pa ditur se çfarë ndodh më larg, Islami i ofron rastin të shkëputet nga lokaliteti i tij në një botë tjetër. Ai sheh njerëz të të gjitha ngjyrave, racave, shtresave dhe vendeve. Dikush vjen nga Kina, një tjetër nga Afrika e Jugut, një nga Australia, një nga Brazili, Azia, Afrika lindore etj… Ky ritual i mëson myslimanit se feja e tij nuk është fe lokale, por është fe globale dhe se vëllezërit e tij në fe, janë ë përhapur në mbarë botën.
Trajnim mbi parimet dhe vlerat e larta
Haxhi është dhe trajnim praktik lidhur me parimet islame. Ai e trajnon myslimanin me vlerat e larta dhe parimet e sanksionuara në islam, sidomos ato socialet si barazia, vëllazëria, uniteti, paqja etj… Të gjitha këto mishërohen në mënyrë perfekte gjatë ritit të Haxhit. Xhamia e realizon barazinë, por njerëzit sërish mbeten të ndryshëm në veshje, dikush vishet me kostum, dikush me rroba të lira, dikush mban kapele të shtrenjtë, dikush nuk e mbulon fare kokën. Nëpërmjet ritualit të Haxhit, Zoti ka dashur ti shuajë të gjithë dallimet në veshje, me qëllim që të gjithë të kenë veshje sa më të thjeshtë. Disa filozofë kanë pohuar: “Herë pas here, njeriu ka nevojë të takohet me natyrën, të jetojë në krahët e saj.” Këtë e kanë thënë shumë filozofë perëndimore, si Rusoi e të tjerë, por që askush prej tyre nuk e realizoi dot. Sakaq, islami e ka realizuar nëpërmjet ritualit të Haxhit, ku njeriu i qaset jetës në natyrë, vishet me rroba tepër modeste, rroba të bardha për prodhimin e të cilave nuk lipset ndonjë industri komplekse, nuk përmbajnë penj dhe qëndisma. Kështu, haxhiu i kthehet jetës së natyrshme, ai ndihet i barabartë me të tjerët. Gjatë qëndrimit në Arafat, tauafit, rendjes mes Safas dhe Mervas, nuk e dallon dot princin nga qytetari, as ministrin nga fshatari, të gjithë janë njëlloj. Ky ritual na bën të ndihemi të barabartë dhe unik. Haxhilerët i dëgjojnë fjalët e tilla në predikimet e rastit, por e shohin dhe e prekin këtë realitet në çdo cep të tij. Ata ndjejnë unitetin e këtij umeti të cilët kanë një Zot të vetëm, një profet të vetëm, një libër të vetëm, një kible të vetme dhe rituale të përbashkëta. E përse nuk duhet të jenë të bashkuar, ndërkohë që bashkimin e sheh të mishëruar në ritualin ne haxhit?!
Haxhi udhëtim paqeje
Rituali i Haxhit, për myslimanin është një udhëtim paqeje drejt tokës së paqes, në kohën e paqes. Ai është udhëtim paqeje me veshjen e ihramit, pasi me ta veshur këtë rrobë, haxhiut i ndalohet kategorikisht të lëndojë dikë tjetër, qoftë dhe duke debatuar me të. Atij i ndalohet dhe gjahu, për vete apo për  të tjerët. “O besimtarë! Mos gjuani, duke qenë në Ihram!” (Maide, 95)
 “ju është ndaluar gjuetia e tokës, deri sa të jeni në Ihram.” (Maide, 96)
Haxhiu i veshur me ihram, e ka të ndaluar të presë dhe këpusë edhe fijet e barit mbi tokë. Nuk i lejohet pasi ai duhet të jetë në paqe dhe harmoni me gjithçka përreth tij. Ai as nuk i pret dhe as nuk i rruan flokët dhe thonjtë. Sot njerëzit bëjnë thirrje për paqe, sakaq Islami ia mëson myslimanit të jetë në paqe me gjithçka që e rrethon dhe e gjitha në tokën e paqes, atë vend ku kushdo që e shkel ndihet në paqe dhe i sigurt. Hasreti Umeri thoshe për këtë vend: “Po të shihja dhe vrasësin e tim eti në atë vend të shenjtë, nuk do e prekja me dorë.”
Ajo tokë është e sigurt dhe e paqtë, gjë të cilën na e mëson rituali i haxhit, i cili është një kongres madhështor, punimet e të cilit zhvillohen në një vend madhështor. Ai që i ka ftuar të pranishmit në punimet e këtij kongresi, është vetë Allahu i madhëruar, thirrje të cilës i përgjigjen me miliona myslimanë të ardhur nga çdo cep i botës. Vetë profeti Muhamed a.s është shprehur se: “Haxhilerët dhe vizitorët gjatë Umres, janë delegatët e Zotit, Ai i ka ftuar dhe ata i janë përgjigjur. Ata i luten dhe Ai u përgjigjet.” Ata janë delegatët e Zotit, që kanë ardhur në shtëpinë dhe tokën e Tij. Ky është rituali madhështor i Haxhit, për të cilin e lusim Zotin të na e mundësojë kryerjen e tij, të na e pranojë dhe të na pastrojë nga gjynahet.
Vlera e dhjetë netëve të para të muajit Dhul Hixhe
Me fillimin e muajit të Dhul Hixhes nisin edhe dhjetë netët e mira të këtij muaji. Netë për të cilat Zoti betohet në Kuran. “dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!” (Fexhr, 2)
Këto dhjetë netë, janë netët më të mira të gjithë vitit. Është transmetuar se Profeti a.s ka thënë për këto dhjetë netë: “Nuk ka ditë kur punët e mira janë më të dashura tek Zoti sesa këto ditë.” Dikush e pyeti: “O i dërguar i Allahut!” As xhihadi në udhë të Zotit?!” Profeti a.s u përgjigj: “As xhihadi në udhë të Zotit, përveç atij që del në xhihad vetë dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.” Pra dikush që sakrifikon veten dhe pasurinë në xhihad.
Në një hadith tjetër, lidhur me vlerat e këtyre ditëve dhe netëve, Profeti a.s shprehet: “Prandaj i shtoni tespitë (subhanallah), tehlilet (La ilahe il-lallah) dhe tekbiret (Allahu ekber).”
O myslimanë! Shtojeni leximin e Kuranit gjatë këtyre ditëve, përkujtojeni Zotin sa më shumë, bëni vepra të mira dhe jepni sadaka! Shpërblimi dhe sevapi i këtyre ditëve është i shumëfishuar. Tek këto ditë bën pjesë dhe dita e Arafatit, absolutisht dita më e mirë e vitit. Ashtu siç nata e Kadrit është nata më e mirë e vitit, dita e Arafatit është dita më e mirë e vitit. Prej nesh kërkohet që ta agjërojmë këtë ditë. Profeti a.s thoshte: “Kush agjëron Arafatin, i falen gjynahet e dy viteve, vitit të kaluar dhe vitit që vjen.”
Agjërimi është i përligjur gjatë nëntë ditëve të Dhul Hixhes, por dita që ka vlera më shumë është ajo e Arafatit e cila duhet agjëruar.
E lusim Zotin që të sotmen tonë ta bëjë më të mirë se të djeshmen, të nesërmen ta bëjë më të mirë se të sotmen! O Zot! Na shpërble për të mirat dhe na fal për të metat! Amin!
 
Perktheu: Elmaz Fida

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit