-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Nga refugjat në shef gatimi: si po e ndihmon një kuzhinë në Londër spitalin në Halep

Më të lexuarat

Ka aroma që na bëjnë të lumtur, aroma që nxisin kujtime e që na çojnë drejt e në fëmijërinë. Për Imad Alarnab, aroma e kuminit dhe mentes janë kujtime të të gatuarit në oborret e mëdha të shtëpive të Damaskut, mbuluar me jasemin, pemë frutore dhe shumë diell.

Ai ka qenë një prej shefave më të famshëm në kryeqytetin sirian. Restorantet e tij, të njohura se servirnin porcione bujare dhe me receta të ngrohta familjare, ishin mjaf të frekuentuara gjatë gjithë vitit.

Por, pastaj erdhi lufta, dhe tragjedia, dhe humbja. Dy nga restorantet e Alarnab u bombarduan. Në korrik 2015, ai u largua nga Damasku gjatë natës për të ndërmarrë rrugëtimin e gjatë e të rrezikshëm drejt Anglisë në kërkim të një jete më të sigurtë për veten dhe familjen. Ai kaloi me makinë në Liban, u arratis drejt Turqisë, mori një anije për në Greqi – “ishim 54 vetë në një anije për nëntë vetë” – dhe eci në këmbë drejt Maqedonisë, e më pas në Serbi e Hungari. Në Kale, ai dhe 13 sirianë të tjerë fjetën në një shkallare kishe për 64 ditë.

Ngjitur me tregun e luleve në rrugën Columbia, restoranti i Imad fton klientët të “përjetojnë shijen e vërtetë të Sirisë”.

Kur mbërriti në Britani, punoi si shitës makinash. Por ngjarjet rrodhën që me ndihmën e disa organizatave bamirëse, ai e rimorrri pasionin sërish. Ai hapi një sërë restorantesh në zemrën e Londrës që mbusheshin plot çdo natë.

Në këtë kohë, në vend që të gatuante për veten, Alarnab dëshironte që të ndihmonte njerëz në situatë të dëshpëruar atje në shtëpinë e tij. Të gjitha fitimet nga restorantet përdoren për të financuar spitalin e Shpresës, që ka shpëtuar me dhjetëra e mijëra jetë në Halep.

Spitali “Shpresa” ishte i pari institucion me financime nga publiku në fillim të vitit 2016, duke mundësuar inkubatorë për të sapolindurit, trajtime për gratë shtatzëna dhe për ato që sapo kishin lindur fëmijët e tyre, si dhe operacione kirurgjikale të domosdoshme për të plagosurit në konfliktin shtatëvjeçar.

Bëhet fjalë për të vetmin spital pediatrik në rajonin e Halepit, që u vjen në ndihmë më shumë se 250 mijë njerëzve. Falë punës së Alarnab dhe kontribuesve të tjerë, spitali mund të qëndrojë i hapur për të paktën një muaj tjetër, sipas organizatës “Ndihmë refugjatëve”.

“Ushqimi është pjesa më e madhe e kulturës siriane. Ne nuk mund të bëjmë plane pa ushqim”, thotë Alarnab për gazetën “The Guardian”. “Ushqimi mbledh njerëzit. Kur ishim në Kale, fillimisht fqinjët pranë kishës nuk e vlerësonin praninë tonë atje. Dhe unë e kuptoj tërësisht këtë, por ne ishin 14 sirianë të dëshpërur pa zgjidhje tjetër. Me kohë ne nisëm të gatuanim për të gjithë fqinjët tanë”.

Në Kale, Alarnab dhe bashkëudhëtarët e tij kishin vetëm një karrike pikniku, një tas dhe një thikë, por këto ishin gjithçka ata kishin nevojë për të përgatitur ushqim për rreth 50 persona.

“Një fqinj në fillim ishte vërtet i vështirë. Ai na thërriste të largoheshim. Një ditë ne shkuam të peshkonim dhe unë i thashë: ‘E di që je nevrikosur me ne, dhe ke çdo të drejtë të jesh, por lëre mënjanë këtë dhe të lutem provoje këtë peshk’.

Ai tha: ‘Nuk pranoj bamirësi nga askush, duhet të paguaj diçka për të’. Unë i thashë ‘nuk mund të paguash, por nëse dëshiron të më bësh një nder, më kariko telefonin’. Shpejt, ai do të karikonte telefonat e të gjithëve në shtëpinë e  tij për dy orë çdo ditë.”

Alarnab thotë se ka takuar disa prej miqve të tij më të mirë në Kale. “Ata vinin dhe na pyesnin, kontrollonin nëse na nevojitej diçka. Një nga miqtë e mi më të mirë tani ishte atje çdo mëngjes për të na sjellë çaj dhe për të shkruar në një letër ‘Mirëmëngjes, ju dua’, me një fytyrë të qeshur që e linte atje. Është lloji i gjërave që të japin shpresë, të kujtojnë se ka ende njerëzillëk në tokë”.

Restoranti i Imad në Londër shërben meny me tre pjata të ushqimit tradicional sirian dhe është i mbushur me staf vullnetarësh. Çdo gjë në meny është pjatë që nëna e tij e gatuante në Siri.

“Nëna ime ishte kuzhinierja më e mirë”, thotë ai. “Kujtoj sesi të gjithë e përgëzonin për ushqimin e mirë dhe i kërkonin t’u mësonte recetat”.

Më pak se dy muaj pasi Alarnab mbërriti në Angli, nëna e tij ndërroi jetë. “Ajo do të kishte qenë shumë krenare për mua”, thotë ai. “Ajo thoshte gjithnjë ‘ne i bëjmë paratë, paratë nuk na bëjnë ne’. Ajo e dinte se edhe nëse unë humbja gjithçka, do ta rindërtoja jetën sërish. Humbja e vetme është kur humb dikë si ajo”.

Ndërsa ishte “e mrekullueshme që t’i kthehesha gatimit”, thotë Alarnab, për të shpërblimi i më i madh vjen kur klientët teksa largohen nga restoranti thonë ‘uau, ky ishte falafeli më i mirë që kam ngrënë’ apo ‘më thuaj, Imad, si e bën këtë humus?”./tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit