2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nga Redi SHEHU: Trump mes Saudisë dhe Tel-Avivit

Më të lexuarat

Vetëm katër muaj pas marrjes së detyrës si president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i hipi avionit, që kësaj radhe nuk mbante emrin e tij, por logon e shtetit për të cilin ai është zgjedhur të udhëheqë, dhe u drejtua për në Arabinë Saudite në një vizitë jo pak, por dyditore. Shumë ngelën të surprizuar nga kjo lëvizje e parë e tij në vendin të cilin të paktën mediat kryesore botërore nuk kanë reshtur dhe nuk reshtin ta etiketojnë si epiqendra e problemeve dhe kundërpesha negative e atij që pëlqehet të quhet civilizimi perëndimor. Përtej nënkuptimeve mediatike, kryesisht me sfond kulturor, me këtë vizitë, Trump, në formë indirekte, pohoi rëndësinë e padiskutueshme që ka ky vend si aleat ekonomiko-politik me SHBA-në. Një zhvleftësim kështu për fobinë që ngrihet gjithandej mbi këtë pjesë të botës, duke nënkuptuar se nga një aleancë e tillë e vjetër mes tyre duhen kërkuar e gjetur edhe arsyet e problemeve që janë  shfaqur me klasën udhëheqëse të këtij vendi si brenda ashtu edhe jashtë tij, si dhe me ndikimin që rrezaton në rajon. Pra, as më pak e as më shumë, por dy aleatë të vjetër që takohen për të përcaktuar politika të reja. Ku barrën e të keqes mediatike e mban vetëm njëri, dhe ky si gjithmonë i portretizuar si beduini i përjetshëm që është i gatshëm të paguajë kusuret  kulturore të  konsumit mediatik egocentrist dhe harracak, ndërsa tjetri, i emancipuari bjond sykaltër, që është i zënë me gjëra më të mëdha sesa të qenurit shënjestër e kudondodhur mediatike.

Vizita e Trump-it në Riad dhe takimi me autoritetet më të larta atje kulmoi me një valle shpatash ku nuk fshihej kënaqësia e presidentit amerikan teksa përhumbej në ritmin luftarak të saj. Them kulmoi në kuptimin kulturor, se, në kuptimin ekonomik, ajo eksplodoi me një kontratë qindramiliardëshe që Trump nënshkroi më autoritetet,  kryesisht e fokusuar në fushën e fitilit dhe barutit, e cila do t’i shërbejë shtetit saudit për të mirëmbajtur dhe prodhuar ndonjë konflikt që ka zënë vend në rajon prej kohësh. 110 miliardë dollarë është një kontratë e vetme që Trump-i firmosi me ministrin e Mbrojtjes saudit Muhamed bin Selman, e cila përfshin furnizimin nga ana e ShBA-së me raketa, aeroplanë, anije, sepse për Trump-in më mirë është të përballesh me Iranin me trupat e të tjerëve, e meqë pasuria e vendeve të Gjirit është praktikisht e panumërueshme, atëhere ku ka më mirë se sa t’i eliminosh armiqtë me ushtritë e të tjerëve.  Për t’u përballur me shiat në Iran, me alevitët e Asadit në Siri, me shiat e Hezbullahut dhe agresionin e fundit të shiave huthi në Jemen, kontrata të tilla militare qindramiliardëshe (në total flitet për 380 miliardë dollarë) janë menduar si forma më e mirë, tipike, e stilit amerikan, për t’i mobilizuar ushtarakisht sunnitët kundra influencave shiite në të gjithë rajonin.

E gjithë ideja e Trump është të mund të krijojë me mbështetjen amerikane dhe me financimet saudite një lloj NATO-je arabe sunnite për t’u përballur me frontin shiit, që nga ana tjetër, në një aleancë të vjetër me Rusinë, ka rritur ndjeshëm presionin e vet, sidomos në rastin e luftës në Siri. E imagjinoni dot se çfarë do të thotë kjo? Mbledhja e krerëve të mbi 50 vendeve të rajonit në Riad së bashku me presidentin Trump, i cili u desh t’i modifikonte shprehjet e tija thellësisht injorante të tipit, “Islami na urren ne” në artikulime më miqësore, “ Islami, kjo fe madhështore”, apo edhe se, “terrorizmi është diçka që i ka ndodhur Islamit jo për shkak të Islamit”, shënoi grumbullimin më të madh të diktatorëve dhe autokratëve të këtyre vendeve, të cilët nën trumbetën Trump janë të gatshëm t’i vënë flakën rajonit. Them flakën, sepse duke u  mbështetur në deklaratën e ministrit të Mbrojtjes iranian Deghan, situata është gati për të shpërthyer. Ai thotë: “Paralajmërojmë sauditët që të mos bëjnë ndonjë gjë injorante, por nëse ata bëjnë diçka të tillë, ne nuk do të lëmë gjë pa rrafshuar përveç Mekës dhe Medinës”. Një person konfliktual si Trump, i cili të gjithë fushatën e vet e mbështeti mbi konfliktualitetin, e ka të lehtë të bëjë punën më të mirë që di të bëjë, konfliktin. I fuqizuar nga entuziazmi i Izraelit për këtë konflikt të mundshëm gjithëpërfshirës, Trump u siguron sunnitëve mbrojtje raketore dhe çdo gjë tjetër përveçse dialogut, moderimit dhe presionit diplomatik për paqe.

Pasi mbaroi vallen e shpatave, Trump iu drejtua Tel- Avivit për të kërcyar tashmë vallen diplomatike me këtë vend, që nuk është ngurruar kurrë të quhet nga administrata amerikane si aleati strategjik në rajon, e të cilit që nga viti 1948 i janë dhënë deri më tani 233 miliardë dollarë, jo në kotrata, si në rastin saudit, por thjesht ndihmë: ndihmë për të ngritur dhe fuqizuar atë që sot ne e shohim si aparteid tipik ndaj popullsisë autoktone palestineze. Jo rastësisht, por sapo Trump-i hyri në zyrën e tij në janar të këtij viti, Izraeli autorizoi ndërtimin e 3.000 kolonive izraelite në Bregun Perëndimor, në kundërshtim me të gjitha rezolutat e OKB-së dhe me marrëveshjen e Oslos, e cila jo vetëm e ndalonte ndërtimin e kolonive të reja, por parashikonte edhe kthimin e refugjatëve palestinezë në shtëpitë e tyre.

Në këtë kuptim, vizita e Trump-it në Izrael ishte thjesht vazhdimi i këngës së vjetër që refren kryesor ka “bisedimet për paqe”, por që pas më shumë se 60 vitesh kanë rezultuar si një pretekst dhe fasadë për të mbuluar atë që ndodh vërtetë në terren. Ajo që e bën më tipike sjelljen e presidentit të fundit Trump lidhur me konfliktin më të gjatë në këtë rajon është se për herë të parë ai është shprehur se “do konsiderojë dy zgjidhje, si atë të një shtetit të vetëm, si atë të ekzistencës së dy shteteve në atë territor”. Në këtë mënyrë, Trump-i për herë të parë del nga qëndrimi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, e cila gjithamonë ka qenë për ekzistencën e dy shteteve, Palestinës dhe Izraelit. Ideja se ShBA-ja do të mbështesë edhe ekzistencën e një shteti (pra, të Izraelit vetëm) është deklarata më e rrezikshme dhe mbështetësja më e madhe e gjenocidit sionist mbi popullsinë autoktone palestineze. Jo vetëm kaq, por edhe mbështetja që ambasadori amerikan në Tel-Aviv, Friedman, i bën njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit është në kundërshtim me Planin e Kombeve të Bashkuara të vitit 1947, e cila parashikonte një administrim ndërkombëtar për Jerusalemin, paçka se Izraeli në mënyrë ilegale pushtoi gjysmën  lindore të tij në 1967-tën dhe në vitin 1980 deklaroi me anë të një ligji të posaçëm se ai është kryeqyteti i përjetshëm dhe i pandarë i Izraelit.

Në gjithë këtë atmosferë të njëanshme “dashurie” amerikano-izraelite, e cila pritet të fuqizohet më tej nga Trump-i, vjen edhe takimi mes Trump-i dhe Abbas-it si përfaqësues i Autoritetit Palestinez, që kurrë nuk arriti të kthehet ndërkombëtarisht në Shtetin Palestinez pikërisht për shkak të vetos së përhershme amerikane në Këshillin e Sigurimit, e ku ironia arrin kulmin kur Trump thotë: “Ata (izraelitë e palestinezë) po punojnë bukur së bashku.” Bukur, në konceptin e Trump-it, do të thotë  “marrëveshja përfundimtare” ku pa dyshim nënkupton ekzistencën e një shteti të vetëm në këtë territor.

Një vizitë e parë e tij me kontekst  fetar në trekëndëshin Saudi-Izrael-Vatikan, e cila dha pak shpresë për paqe dhe stabilitet. Nga njëra anë shitje marramendëse armatimesh për një luftë proxy mes sunnitëve dhe shiitëve, nga ana tjetër mbështetje pa kushte për Izraelin; dhe së fundmi, takimi me një Papë që nuk qesh, e në fakt nuk ka si të qeshë, teksa takon njeriun i cili është i aftë të prodhojë konflikt në mënyrë të natyrshme. E megjithatë, Melani qëndron pranë tij herë bjonde në Lindjen e Mesme dhe herë e veshur me shami të zezë në audiencën papale. Jetojmë në një botë ku politikanët përdorin religjionin, dhe ku religjiozja nuk është e tillë prej kohësh. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit