-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Nga Redi Shehu: Mbi thikën që na u ngul të gjithëve…

Më të lexuarat

Pasojat e një rendi global ku moshave delikate u ofrohet vetëm çoroditje

I nguli thikën mu në zemër 14-vjeçarit. E shtyu thellë atë derisa përshkoi gjithë shoqërinë shqiptare tejpërtej. Pastaj, me krenari postoi në Colosseum-in dixhital tonin, armën së bashku me një nënqeshje rrëqethëse, duke ekzekutuar publikisht “common sense”-in me të cilin në rregullojmë përditshmërinë tonë. Një karshillëk si përshtyrje në surratin e secilit prej nesh, që krekosemi se kemi ndërtuar një farë qytetarie që gjarpëron mes smogut qytetas, por që ngelet akoma primitive nën sfondin e reklamave digjitale të ‘city light’-ve komerciale.

Para se të pyesim se përse e vrau, ne duhet të pyesim se çfarë i ofruam ne atij? Çfarë bota sot po u ofron brezit të ri? Globalizimi i ekonomisë, tregut, ideve, modës e qejfit, medias, spektaklit dhe vanitetit e të çoroditjes së familjes ka sjellë edhe globalizimin e dhunës, dhimbjes e të gjitha pasojave që ato sjellin. Me pak fjalë ka sjellë globalizimin e ulërimës, e cila merr të njëjtën trajtë pavarësisht flamujve nga vjen. Thika në të vërtetë u ngul mu në zemrën e shoqërisë tonë. U rrotullua mirë për të treguar se vdekja e saj është e pashmangshme. Kjo nuk ishte thjesht një vrasje. Jo, ajo ishte një vrasje arrogante e vlerave të cilat të struktura e të ndrojtura, kanë ngelur në skutat më të largëta të vetëdijeve tona.

Çfarë u ofrojmë ne fëmijëve tanë? Çfarë i ofron shoqëria e sotme rinisë? Më kujtohet se një njeri i mençur pat thënë se “fëmijët janë si një arkë kursimi, ku prindërit depozitojnë sjelljet e tyre”. Në fakt, fëmijët tanë janë depozita plote apo boshe të sjelljeve dhe moraleve tona.Ne nuk mund të pretendojmë të kemi një shoqëri të mirë e të drejtë, nëse atë e ushqejmë vazhdimisht me produkte që i vrasin shpirtëroren dhe e shpërbëjnë të natyrshmen brenda saj. Një shoqëri pa shpirt është një shoqëri boshe pa përgjegjësi, pa fajtorë e për rrjedhojë pa pendim. E kur nuk pendohesh, atëherë nuk ka asnjë arsye që të përmirësohesh.

Kaosi dhe përshpejtimi brenda rendit të ri të unifikuar digjital kanë zëvendësuar dy qendrat e pushtetit të shoqërive tradicionale, fenë dhe qeverinë. Ata zëvendësuan fuqinë e strukturave tradicionale mbi jetën, lidhjet familjare dhe sjelljen e individëve. Ata praktikisht përkryen procesin më të panatyrshëm në botë, atë ndarjes së vetes nga vetvetja. Atë të njeriut që biologjikisht është i gjallë ama shpirtërisht pa faj, pa pendim, pa jetë. Në këtë optikë, marrja e çdo mase institucionale, e cila ofron vetëm riparime të jashtme ka një sukses me koeficient të kufizuar. Rezultati real ndjehet kur njeriu t’i kthehet vetes së vet përmes çdo lloj procesi që të rikthen te natyrshmëria e tij, ku padyshim është edhe institucioni i një familjeje me vlera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit