0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nga Redi SHEHU: Ese për një vit postnormal

Më të lexuarat

Gjërat po na bëhen përherë e më të vështira, të pakuptimta dhe shpesh konfuze. Ngjarjet rrjedhin pafrymshëm, duke marrë me vete kuptimin e tyre, duke na lënë në prehrin e pasigurisë dhe përshpejtimit, si normë e të jetuarit të asaj që mbetet nga kjo tepricë kaotike. Ngjarjet e rënda, fatkeqësitë natyrore dhe krizat nuk po ndodhin tashmë njëra pas tjetrës dhe të distancuara në kohë. Jo, aspak! Pa pikë mëshire, ato po ndodhin të gjitha bashkë dhe njëkohësisht, pikërisht në një botë si kjo e jona, ku çdo gjë është e lidhur me çdo gjë tjetër dhe ku vështirë të gjesh diçka në izolim të plotë, ku përveçse komunikojmë me njëri-tjetrin dhe shkëmbejmë të mirat, në të njëjtën kohë shpërndajmë viruset dhe problemet, ku reflektimi, vëzhgimi dhe përgjegjësia duken disa “vese” të harruara në këto kohë virtytesh të pakëndshme. Të përhumbur në garën për gjetjen e çfarëdolloj mekanizmi që prodhon mirëqenie, të çfarëdolloj mekanizmi të lehtë që prodhon mirëqenie, sepse ai i vështiri do të ishte tepër i vështirë për një shoqëri që e kërkon mirëqenien vetëm në funksion të mirëqenies. E ku ka mekanizëm më të lehtë që prodhon mirëqenie sesa pushteti? Atëherë, një turravrap drejt pushtetit të çdo forme për të prodhuar mirëqenie, sepse mirëqenia na duhet, me të do ecim përpara, me qëllimin sublim për të prodhuar vazhdimisht vetëm mirëqenie në një botë ideale të mirëqenies së mirëqenies!

Mirëpo përshpejtimi për t’i ndryshuar gjërat aq më shumë na bën të kuptojmë se nuk kemi  lëvizur fare nga vendi, se jemi po aty, me reforma pas reformash, me ligje pas ligjesh, që kanë nevojë të përhershme për t’u reformuar dhe për t’u ribërë. E kështu nuk kuptojmë pakuptimin tonë, nuk kuptojmë se jemi në injorancë të injorancës tonë, paçka se mjetet dhe format e komunikimit i kanë kaluar mundësitë e imagjinatës; dhe përsëri duket se nuk komunikojmë për të jetuar, por jetojmë për të komunikuar në format më lustruese me selfie. Ky udhëtim i pafund i egos,  që shndërrohet në ikona abstrakte individësh që nuk ekzistojnë edhe pse fotoja është aty! Përshpejtim për të ikur ku? Për të ikur nga çfarë? Nga situatat që nuk njohin përgjigje? Apo nga pamundësia për të dhënë përgjigje të thjeshta?

Në përpjekjen për t’u dhënë një kuptim gjërave të cilat na shfaqen herë komplekse e herë vetëm në formatin bardh e zi, mënyra tradicionale dhe konvencionale e të menduarit  tashmë të nxjerr jashtë loje. Nuk kuptohet nga e përgjithshmja, nga ajo që quhet masa, e cila është nisur për diku, por nuk di të thotë se ku, me një mënyrë jetese dhe mendimi që s’ka një fillim dhe nuk ka po ashtu një destinacion; masë e cila kërkon strehë në institucionet, por ato, institucionet, janë vetë pjesë e problemit, jo pjesë e zgjidhjes, ku korrupsioni dhe të korruptuarit nuk janë pjesë e sistemit, por është sistemi vetë i lubrifikuar nga lakmia dhe nevoja publike që çiftëzohet me babëzinë. Korporatat nxitojnë dhe ato drejt ndërtimit të njeriut të tregut pozitivisht negativ, i cili buzëqesh me dështimin e tjetrit dhe vetëndërtohet nga fatkeqësia e fqinjit, ku mirësjellja aktivizohet vetëm përballë koincidencave të shndritshme interesi dhe ku marramendja nuk njeh stacion pushimi.

Një vit lobesh e përkatësish, jashtë së cilave je thjesht një qenie biologjike e dënuar për konsumizëm, me një fund pothuajse të paracaktuar. Ide të parafabrikuara, të ambalazhuara me fjongo analitike që përpiqen të komentojnë kotësinë e të qenurit vetvetja dhe dobinë e të qenurit legjionar i përkatësive të majme politiko-financiare dhe kulturore. Një vit lakuriq, i zhveshur nga veshjet e nga vlerat, i sofistikuar në prapësi dhe primitiv në mbarësi. Vit gjymtyrësh thumbuese e mendimesh shkatërruese, pa meditim e pa inspirim, i shpejtë në dërrmim dhe i avashtë në mbarështrim, plot kthina të lodhshme çoroditëse e venitëse, që shpërbëjnë dritën e që mbysin frymëmarrjen! I papërmirësueshëm në premisa, me vullnet social të asfiksuar, shëmbëllen me një telash të domosdoshëm, pa të cilin je asgjëja! I vërtetë dhe në të njëjtën kohë i deformuar, ky realitet aktron çdo minutë skenarin e asaj se si nuk duhej të ndodhte, mediatikisht i fabrikuar e realisht i copëtuar mes fasadash prej xhami e suvash të rrjepura.

Tendenca për t’u jargavitur gjithmonë me të fortin dhe për ta shkelur e rrjepur të dobëtin, insistimi për të qenë të dominuar  nga e bardha dhe e zeza minus të gjitha ngjyrat e universit. Një vit ku pikëpamjet ekstreme të politikës marrin format e ikonografisë komike, e cila i bën këto pikëpamje akoma më abstrakte. Përultësia, modestia dhe përgjegjshmëria janë të alienuara, sepse flasin me një gjuhë tashmë të pakuptueshme, sepse monopoli i të vërtetetës na paska rënë dhe secili mund të ndërtoka të vërtetën e tij, paçka se ajo  rrethohet me shumë fytyra të rreme, sepse mirësia na qenka budallallëk, hileja zgjuarsi, poshtërsia shkathtësi, e virtyti përbën lajm shqetësues.

Të kapur pas shpresës, të bindur tek shpresa, vazhdojmë të përsërisim të njëjtin varg që nuk mbaron, me energji të shpenzuara për të zgjidhur një lëmsh që gjithmonë bëhet akoma më i madh; probleme që zgjidhen përmes problemesh të tjera, e kështu pafund peisazhi problematik merr trajtë esenciale. Do të donim një vit pa sjellje hipokrite, pa masa të cekëta, me vullnet e dëshirë thelbin e të cilave duhet lodhje për ta formësuar. Do të donim një vit që pret të përmirësohet nga individë, por këta individë akoma s’kanë lindur, ndërsa ne jemi individë të cilët presim të na lindin idetë. E ndërkohë vite të tjera vijnë të patejdukshme, plot me surpriza çoroditëse, plot perde intriguese, por normalja tek ato nuk shquhet tashmë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit