Aung San Suu Kyi, “humanitaria e madhe”, ngjan ta ketë humbur integritetin teksa OKB-ja konfirmon më në fund se ajo çfarë po ngjet me muslimanët rohingia të Mjanmarit është spastrim etnik.
Suu Kyi nuk ka patur madje kurajën morale për të thënë ca fjalë keqardhjeje për viktimat. Në vend të kësaj, ajo mund të thoshte vetëm: “Ne duhet të kujdesemi për çdokënd që është në vendin tonë.”
Ndërkaq, zëdhënësi i saj dhe zëdhënës të tjerë nisën një fushatë denigrimi kundër rohingiave, duke i akuzuar ata për djegien e fshatrave të tyre dhe për sajimin e historive të përdhunimit.
Por raportet e mirëdokumentuara na japin ne më tepër se një pamje të shkurtër të realitetit rrëqethës të përjetuar nga rohingiat. Refugjatë në arrati të mbërritur në Bangladesh pas një udhëtimi të ankthshëm rrëfyen për vrasjen e fëmijëve, për përdhunimin e grave, dhe për djegien e fshatrave. Disa prej këtyre rrëfimeve janë verifikuar nëpërmjet imazheve satelitore të siguruara nga Human Rights Watch, që tregojnë fshatra të zhdukur në tërë shtetin.
Sigurisht, fati i rohingiave nuk është krejt i ri. Por çfarë e bën atë karakteristikë dalluese trysnuese është fakti se Perëndimi gjendet tani plotësisht në anën e qeverisë që po i kryen këto akte mizore. Dhe ka një arsye për këtë: nafta!
Rezerva të mëdha të pashfrytëzuara për shkak të bojkotit perëndimor ndaj juntës së Mjanmarit janë tani të disponueshme për atë që ofron më shumë. Bëhet fjalë për një burim të ardhurash të mëdha, dhe të gjithë janë të ftuar. Shell, ENI, Total, Chevron, e shumë të tjerë, po investojnë shuma të mëdha, ndërsa kinezët, të cilët e mbizotëruan ekonominë e Mjanmarit për shumë vite, po nxirren jashtë dalëngadalë.
Eshtë kjo pasuri, dhe nevoja për ta minuar statusin e superfuqisë së Kinës në Azi, që e ka kthyer Perëndimin dhe e ka instaluar Suu Kyi-në si udhëheqëse në një vend që kurrë nuk ka ndryshuar fundamentalisht, por që vetëm i dha një imazh të ri vetes për të hapur rrugën për kthimin e “Big Oil”-it.
Veçse çmimin po e paguajnë rohingiat. Mos e lini propagandën zyrtare të Mjanmarit t’u shpërudhë. Rohingiat nuk janë të huaj, furacakë apo imigrantë. Mbretëria e tyre e Arakanit daton nga shekulli i tetë. Ata mësuan rreth Islamit nga tregtarët arabë, e me kohë ai u bë një rajon me shumicë muslimane.
Arakani është shteti Rakhine i ditëve të sotme të Mjanmarit, ku jetojnë ende pjesa më e madhe e 1.2 milionë rohingiave. Nocioni i rremë se rohingiat janë ardhës nisi në vitin 1784, kur mbreti e pushtoi Arakanin dhe i detyroi qindra e mijëra njerëz të merrnin arratinë.
Sulmet mbi rohingiat, dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i përzënë nga Rakhine, kanë vijuar. Kjo ndodhi pas disfatës japoneze të forcave britanike në Burma në vitin 1942, në 1948-n, pas puçit ushtarak në vitin 1962, dhe në 1977-n, kur junta i nxori nga shtëpitë e tyre mbi 200.000 rohingia për të marrë rrugën drejt Bangladeshit.
Junta miratoi një ligj në vitin 1982 që ua hoqi shtetësinë shumicës së rohingiave, duke i deklaruar ilegalë në vendin e tyre.
Lufta mbi rohingiat filloi përsëri në vitin 2012. Çdo episod i vetëm ka ndjekur që atëherë një narrativë tipike: përplasje midis nacionalistëve budistë dhe rohingiave, që shpesh çojnë në përzënien e mijëra prej këtyre të fundit për në Gjirin e Bengalit, për në xhungla, dhe, të atyre që mbijetojnë, për në kampet e refugjatëve.
Në mes të heshtjes ndërkombëtare, vetëm pak figura të respektuara folën në mbështetje të rohingiave. Ndërkaq, vendet muslimane dhe arabe qëndruan përgjithësisht të heshtura, pavarësisht një thirrjeje publike për të bërë diçka për t’i dhënë fund gjenocidit. Me mundësinë për ta njohur realitetin përmes emisarëve të tyre të shumtë në terren, qeveritë perëndimore i dinë fare mirë faktet e padiskutueshme, por i shpërfillin gjithsesi ato. Kur korporatat amerikane, europiane dhe japoneze u vunë në radhë për t’i shfrytëzuar thesaret e Mjanmarit, gjithçka që u nevojitej atyre ishte shenja e miratimit nga qeveria e SHBA-së. Administrata e Barack Obama-s i çmoi lart mundësitë e Mjanmarit edhe përpara se zgjedhjet e 2015-s të sillnin në pushtet Suu Kyi-në dhe Lidhjen Kombëtare për Demokraci. Mjanmari u bë një tjetër histori amerikane suksesi pas asaj date, pa u kujtuar, sigurisht, për faktet se gjenocidi po ndodhte atje prej vitesh.
Dhuna në Mjanmar ka gjasa të përshkallëzohet dhe të arrijë në vendet e tjera të ASEAN-it, thjesht sepse dy grupet kryesore etnike dhe fetare në këto vende janë dominuar dhe janë ndarë thuajse barabar mes budistëve dhe muslimanëve.
Kthimi triumfues i Perëndimit për të shfrytëzuar pasurinë e Mjanmarit dhe rivalitetet amerikano-kineze ka të ngjarë ta komplikojnë situatën dhe më tej nëse ASEAN-i nuk i jep fund heshtjes së tij të tmerrshme dhe nuk lëviz me një strategji të vendosur për t’i bërë presion qeverisë së Mjanmarit që ta ndalë gjenocidin ndaj rohingiave.
Popujt anembanë botës duhet të marrin një qëndrim. Bashkësitë fetare duhet të flasin. Grupet e të drejtave të njeriut duhet të bëjnë më shumë për t’i dokumentuar krimet e qeverisë së Mjanmarit dhe për t’i vënë para përgjegjësisë ata të cilët i furnizojnë me armë.
Kleriku i respektuar afrikanojugor Desmond Tutu e pati kritikuar fuqishëm Suu Kyi-në për mbylljen e syve para gjenocidit në vazhdim.
Kjo është gjëja më e paktë që ne presim nga njeriu i cili iu kundërvu aparteidit në vendin e tij dhe që shkroi fjalët e famshme, “Nëse jeni asnjanës në situata padrejtësie, ju keni zgjedhur anën e shtypësit.”
Marrë nga Radio 1
Përktheu: Bujar M. Hoxha – tesheshi.com