0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Nga Nuredin Nazarko: Fama dhe arroganca

Si njëra mund ta prodhojë tjetrën, si duhet menaxhuar për të kundërtën…

Më të lexuarat

Harresa e statusit të mëkëmbësit e shtyn njeriun të përpiqet gjatë gjithë jetës të arrijë medoemos një status të caktuar në shoqëri. Njeriu vështron se cilat janë gjërat të cilat e katapultojnë shpejt në shoqëri dhe përpiqet t’i hyjë këtyre rrugëve, shpesh duke mos i bërë hesapet me hanxhinë. Mjafton që emri, pozita dhe fama të shpërhapen në një masë të gjerë njerëzish dhe pjesa tjetër nuk ka rëndësi.

Njeriu vjen në këtë jetë me një status të lartë, statusin e të qënit mëkëmbës i tokës. Duke qenë se shumë ideologji janë përpjekur ta zhbëjnë këtë status, njeriu e harron pozitën e privilegjuar që e ka me ardhjen në jetë. Jeta nuk është çështje zgjedhje individuale. Askush nuk ka dhënë dakordësinë për të qenë këtu, por gjithësekush që është mbi tokë ka përgjegjësi për mënyrën e të jetuarit dhe për rrugën që zgjedh për ta përmbushur mëkëmbësinë.

Harresa e statusit të mëkëmbësit e shtyn njeriun të përpiqet gjatë gjithë jetës të arrijë medoemos një status të caktuar në shoqëri. Njeriu vështron se cilat janë gjërat të cilat e katapultojnë shpejt në shoqëri dhe përpiqet t’i hyjë këtyre rrugëve, shpesh duke mos i bërë hesapet me hanxhinë. Mjafton që emri, pozita dhe fama të shpërhapen në një masë të gjerë njerëzish dhe pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Përpjekje për të qarkulluar si njeri tepër i rëndësishëm dhe ja ku u krye misioni. Tani punon vetë fama që ke arritur.

Po a është fama një bekim? Shumë syresh e besojnë një gjë të tillë, madje jo pak herë ndjejnë edhe zili ndaj atyre që kanë një famë të caktuar, duke dashur të jenë patjetër në qendër të vëmendjes. Shumë besojnë se njerëzit që arrijnë të kenë një famë të caktuar janë më të privilegjuarit e kësaj jete. Gënjehen nga masat e gjera që i ndjekin dhe  simpatizojnë, madje disa duke kaluar edhe në adhurim të njeriut nga njeriu. Ata duan të jenë si ata/ato dhe në pamundësi për të qenë të tillë, përpiqen t’i imitojnë në fjalët dhe veprimet e tyre, me shpresë se një ditë të bukur do të jenë po kaq të famshëm sa të adhuruarit e tyre.

Në të vërtetë, fama është një peshë që shtyp ngadalë. Fillimisht ndjehesh mirë, sepse je në qendër të vëmendjes, pasandaj je kryefjala e diskutimeve dhe kur e sheh veten në mes të vorbullës edhe po të duash të tërhiqesh, nuk tërhiqesh dot, sepse do të duket vetja krejt i pavlerë dhe i parëndësishëm në shoqëri. Nëse do të kesh gjithmonë të njëjtën performancë dhe të përmbushësh me patjetër dëshirën e publikut, atëherë do të flasësh e veprosh gjëra për të cilat as që të kishte shkuar ndonjëherë mendja, por që fama që kërkon ta mbash me patjetër të detyron tashmë t’i përgjunjesh, duke humbur shumëçka nga vlerat njerëzore.

Bashkë me famën dhe përgjunjen ndaj saj, lind edhe një problem tjetër, që është bashkëshoqërues i famës, aty ku fama është qëllim në vetvete, arroganca. Të qenit i përveçuar nga masa, i admiruar e adhuruar prej saj, ta ushqen ndjesinë e superioritetit. Fillon e sheh veten në piedestale që ia ndërton masa me pavetëdijen e saj dhe po prej këtyre piedestaleve e përçmon po të njëjtën masë, sepse e njeh veten më së miri se sa vlen. Këtu buron dhe arroganca. Duke e menduar veten si shumë të rëndësishëm dhe ndonjëherë edhe të pazëvendësueshëm, ndaj çdokujt që përpiqet t’i tregojë vetveten flet me arrogancë dhe vepron po njësoj, sepse e vërteta dhemb, por kjo kategori njerëzish nuk duan ta njohin të vërtetën e vetvetes, madje duan ta asgjësojnë duke qenë ende kërthi. Prandaj i përçmojnë dhe urrejnë thënësit e të vërtetave.

Fama nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. As që duhet fare diçka e tillë e as që është e kërkuar për një jetë më të mirë. Edhe pse sot është e lehtë të hysh në radhët e atyre që masa u ngre piedestale në një kohë shumë të shkurtër, por kushdo që ka principe me të cilat nuk bën kompromise për përfitime të thërrmueshme në kohë, nuk i kushton aspak vëmendje famës, sepse jeta nuk mund të vihet në shërbim të famës. Jeta duhet vënë në shërbim të së vërtetës. Nëse fama dhe lavdet mbërrijnë tek njeriu i principeve, ai do të fillojë të shqetësohet për vetveten. Nuk mund ta tjetërsojë qëllimin e tij ekzistencial për t’i përmbushur pritshmëritë e masës. Thënë ndryshe, nuk mund ta humbë vetveten në detin e lavdeve njerëzore, që shpesh nuk përkojnë aspak me atë çfarë njeriu i principeve synon të arrijë në jetë. Është një luftë e madhe që duhet ta bëjë njeriu me veten, nëse fama ia ka mbërritur me padëshirën e tij, sepse është një grackë në të cilën mund të biesh në çdo çast. Nuk ka zjarr më të fortë për zemrën e njeriut sesa etja për të qenë i pëlqyer nga masa. Të përkapurit pas principeve nuk mund ta tolerojnë vetveten që të turbullojë sakrificën e viteve të tëra punë e përkushtim. Kthjelltësia është bashkudhëtar i tyre. Sinqeriteti është udhërrëfyesi. Shpirti i mbushur me dashuri për të përmbushur mëkëmbësinë, ashtu siç i ka hije krijesës me statusin më të lartë, është flakadani.

Kjo është rruga nëse duam të shpëtojmë nga fama e pavend e lavdeve njerëzore dhe arroganca si bashkëshoqëruesja e saj. Në të kundërtën, mposhtja e njeriut prej vetvetes dhe harresa ndaj pozitës më të lartë që i është dhënë njeriut, mëkëmbësia, do ta kthejë njeriun në një send të pavlerë, që edhe pse duket se vlen shumë, nuk është asgjë tjetër, pos flori kallp. /Revista Shenja/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit