-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Nga Nadifa MOHAMED*: Mjedisi armiqësor britanik ka një shekull që po formësohet

Më të lexuarat

Kështu nis: abuzime pikë-pikë që mblidhen derisa ne kuptojmë se nuk jemi më të sigurtë. Unë mbërrita në Britani në moshën 4-vjeçare duke mos ditur asgjë se çfarë parashikonte ligji për mua që të nisja një jetë të re këtu. Babai im ishte lindur në Somaliland britanike dhe e mori pasaportën e tij të parë britanike në moshën 22-vjeçare. Ai kishte udhëtuar shumë dhe e mori vendimin me ndërgjegje për t’u vendosur në Britani duke menduar se ky vend e respektonte ligjin dhe do të ofronte një shtëpi të qëndrueshme.

Tashmë, duket se njerëz si unë, që mbërritën në vend ligjërisht kur ishin fëmijë, janë shndërruar në të pastrehë, të privuar nga kujdesi për urgjencat shëndetësore dhe përfitime të tjera, në mos të ndaluar dhe të deportuar. Shpifjet dhe lajmet e rreme lidhur me refugjatët dhe emigrantët kanë arritur atë nivel saqë çdo mjerim që u bie atyre shpesh shihet si i merituar – vetë prania e tyre shihet si barrë, e rrezikshme dhe ofenduese.  Reagimi ndaj skandalit  “Windrush” ka sfiduar një pjesë të retorikës se “emigrantët” e vjetër me familjaritet kulturor (në ndryshim nga ata me trashëgimi muslimane) perceptohen se e kanë “fituar” shtetësinë e qartësisht nuk përbëjnë rrezik për askënd. Fakti që konservatorët e panë ndalimin dhe deportimin e tyre si me avantazhe politike tregon sesa larg ka shkuar opinioni publik në lidhje me emigracionin.

Disa i paraqesin sjellje të tilla si reagim ndaj përgjigjes së kufijve të hapur nga ana e BE-së, apo proporcioneve më të mëdha të pakicave etnike në qytetet britanike, por kjo ksenofobi ka manifestime shumë më të hershme. Pothuajse një shekull më parë, pasi trazirat rracore të vitit 1919 shkundën komunitetet e vogla me ngjyrë dhe ato aziatike në qytet-portet britanike,  krye-zyrtari i qeverisë për emigracionin komentoi se prania e detarëve kolonialë (nga Perandoria Britanike) ishte e padëshirueshme nga ana sociale dhe se “do të ishte më mirë të vendoseshin këta njerëz në kampe përqendrimi”.

Gjashtë vjet më pas, një urdhër u përdor për të ndaluar dhe deportuar “të ngjyrosurit”, madje edhe nëse ata kishin të drejtën për të qëndruar në vend. Në vitin 1972, të përballur me mbërritjen e mijëra aziatikëve me shtetësi britanike, qeveria u përpoq t’u gjente një strehë alternative në ishujt Falklands apo Solomon. Gratë që arrinin nga India dhe Pakistani për t’u bashkuar ligjërisht me burrat e tyre mund t’u nënshtroheshin testeve të virgjërisë në aeroportet britanike deri në vitin 1979.

Mekanizmi përmes të cilit emigrantët dehumanizohen u bë i qartë për mua pas zjarrit në kullën Grenfell. Menjëherë pasi u largua tronditja nga zjarri më i rëndë që pas luftës së dytë botërore, pati shpejt një dëshirë për të fajësuar viktimat sesa autoritetet. Kulla Grenfell, sipas ish-banorëve të saj, kishte qenë një komunitet i qëndrueshëm dhe social njerëzish nga e gjithë bota, të punësuar ose në pension. Imazhi i dhënë pas kësaj, ishte se kulla kishte qenë “një fole ilegalësh” – për të përdorur një frazë nga ish-lideri i UKIP – me kaq shumë “të paligjshëm” që jetonin atje saqë policia nuk ka qenë në gjendje t’i identifikojë të gjithë.

Kjo histori është përsëritur kaq shpesh saqë merret si fakt, pavarësisht realitetit që të 72 viktimat janë identifikuar, përfshirë edhe ata që mund të identifikoheshin vetëm përmes antropologjisë së mjekësisë ligjore dhe provave mbështetëse. Asnjë prej tyre nuk ishte “ilegal”, por edhe nëse do të ishin, do të kishin më pak vlerë për të ndjerë keqardhje? Çfarë mund të thuhet për 17 fëmijë (të gjithë të lindur nga emigrantët) që vdiqën atje? A duhet të kërkojmë çertifikatat e tyre të lindjes përpara se të pranojmë se ata nuk e meritonin të vdisnin?

Që në fillim isha mosbesuese ndaj idesë se ka pasur ndryshime thelbësore në sjellje e qëndrime që lidhen me votën Brexit. Më kujtohen stikerat neo-nazistë që rrethonin blloqet e lagjeve ku unë u rrita në fillim të viteve 1990; dy nënat somaleze që u kërcënuan për të lënë shtëpitë;  shqetësimin që ndjeja për vëllezërit e mi pasi Stephen Lawrence u vra dhe vrasësit e tij u lejuan të dalin të lirë. Kjo ksenofobi ka qenë gjithnjë këtu dhe është diçka që unë kam mësuar zakonisht ta injoroj për hir të vetë mirëqënies sime; por tani ndjej se po shtohet si në intensitet ashtu edhe në paturpësi.

Duket se ka përforcim të sjelljeve sociale kundër njerëzve të margjinalizuar, por individët në fund të zinxhirit social mbeten ata me status të papërcaktuar emigracioni, shpesh të pastrehë dhe jo në gjendje për punë.

Vitin e kaluar, vdekjet në qendrat e emigracionit në Angli dhe në Uells arritën nivelin më të lartë të regjistruar dhe vazhdojnë me praktikën e kufizimit dhe ndarjes së individëve me kushte të caktuara mjekësore.

Kështu nis: ne mësojmë të injorojmë atë që duket e gjithpushtetshme apo e pazgjidhshme, ne ulim pritshmëritë dhe shpresën se do na lënë të jetojmë rehat. Ndërkohë, më të prekshmit midis nesh ekspozohen ndaj dhunës dhe urrejtjes së atyre në pushtet. Shtatëdhjetë vjet pas mbërritjes së perandorisë Windrush, është turp që ne na duhet të rikonfirmojmë të drejtën tonë për të qenë këtu, se nuk ka rëndësi sa kohë qëndrojmë dhe çfarë kontributi japim, ne mbetemi të huaj të përjetshëm.

* Nadifa Mohamed është romanciere britaniko-somaleze.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit