Pasi u janë djegur fshatrat, vendet e punës, xhamitë, medresetë dhe shtëpitë, muslimanët Rohingya vazhdojnë të ecin me ditë të tëra për të ikur nga persekutimi budist, duke u fshehur në pyje
COX’S BAZAR (AA) – AHMED YOUSEF
Muslimanët e Arakanit (Rohingya), të cilët janë duke ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantët e armatosur, i vazhdojnë përpjekjet e tyre për mbijetesë në tenda të improvizuara në Bangladesh, ku kanë arritur pas një udhëtimi që ka zgjatur me ditë të tëra në uri dhe etje.
Pasi u janë djegur fshatrat, vendet e punës, xhamitë, medresetë dhe shtëpitë, muslimanët Rohingya vazhdojnë të ecin me ditë të tëra për të ikur nga persekutimi budist, duke u fshehur në pyje.
Mijëra refugjatë që presin barkat për të kaluar në pjesën e kundërt nga brigjet e Mianmarit, i paguajnë me para, orenditë e tyre dhe kafshë pronarët e barkave për ta kryer këtë rrugëtim të rrezikshëm në një vijë të hollë mes vdekjes dhe jetës.
Kampi Balukhali në kufirin e Bangladeshit strehon 90 mijë refugjatë muslimanë që kanë ikur nga masakra në Arakan. Të përballur me kushte të vështira, rreth 450 mijë refugjatë kanë arritur të strehohen në rajon pas ikjes nga masakrat e kryera nga ushtria dhe nacionalistët budistë të Mianmarit që nga 25 gushti.
Shumë gra, fëmijë dhe pleq japin përpjekje për mbijetesë në tenda të improvizuara prej najloni për t’u mbrojtur nga dielli, shiu dhe i ftohti i natës.
Muslimanë Rohingya të strehuar në kampet në Bangladesh, rrëfyen për Anadolu Agency (AA) rrugën e tyre për “ikje nga vdekja”, të cilën e morën për të shpëtuar nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe nacionalistëve fanatikë.
I persekutuar përgjatë jetës së tij nga shteti i Mianmarit dhe milicët budistë, Ali Ahmed, 75 vjeçar, rrëfen arritjen e tij me familjen në Bangladesh pas një udhëtimit disaditor në uri dhe etje dhe pas kalimit të Lumit Naf dhe përballjes me valët e fuqishme mbi barka.
“Forcat ushtarake të Mianmarit bastisën fshatin tonë dhe dogjën shtëpitë dhe tendat tona. Nga frika ikëm në pyll. Së bashku me familjen, u fshehëm në pyll për dhjetë ditë. Kur kuptuam se nuk mund të kthehemi, u drejtuam kah kufiri. Pasi pritëm dy ditë para Lumit Naf, arritëm ta kalojmë atë. Pas një udhëtimi shtatëditor përplot me rreziqe, arritëm në kamp. Këtu bie shi pa pushim. Nuk kemi shtëpi ku të strehohemi”, tregon Ahmed.
– “Ushtria e Mianmarit ma dogji shtëpinë”
Ndërkohë, zonja Rashide nga Arakani (65), thotë se disa të afërm i janë vrarë para syve dhe nuk ka mundur të bëjë asgjë për ta parandaluar një gjë të tillë.
“Ushtria e Mianmarit ma dogji shtëpinë. Ushtarët dhe forcat milice përdhunuan shumë gra. Humbëm njëri-tjetrin duke kaluar lumin. Disa anëtarë të familjes arrita t’i gjej vetëm pas disa ditëve, ndërsa disa të tjerë ende nuk i kam gjetur”, rrëfen Rashide.
Ndërkaq, shtatëvjeçarja Nur Tas, frika, pikëllimi dhe dëshpërimi i së cilës vërehej në sytë e saj, tregon për përvojën e saj të hidhur. “Hapën zjarr ndaj nesh. Ushtarët na ndoqën për një kohë të gjatë nënën, babin tim dhe mua. Ata e kapën babain tim dhe e rrëmbyen. Shumë u frikova. Me ditë të tëra qëndruam në pyll”, tha ajo.
Edhe Sejfullahu 48-vjeçar thotë se ushtarët ia kanë djegur shtëpinë dhe se së bashku me dhjetë anëtarët e familjes ka ecur për katër ditë për të shpëtuar nga vdekja.
– 130 foshnje të lindura në rrugën e ikjes
Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.
Sipas organizatave humanitare ndërkombëtare që gjenden në kufirin Mianmar-Bangladesh, disa gra shtatzëna që kanë ikur për shkak të sigurisë kanë lindur foshnjet e tyre.
Brenda 25 ditëve të fundit në rrugën e ikjes, afërsisht 130 foshnje kanë ardhur në jetë në rrethana të rrezikshme dhe johigjienike.
Thuhet se shumë nëna ose foshnje kanë humbur jetën për shkak të lindjes në kushte jo të shëndetshme.