4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Bashkësia ndërkombëtare barazoj okupatorin dhe atë që e mbron atdheun e vet – Kim Mehmeti

Më të lexuarat

Mediat raportojnë për dhunën e policisë izraelite mbi besimtarët myslimanë dhe xhaminë Al – Aksa. A e keni vërejtur: sa herë që palestinezët e mbrojnë vetveten duke i goditur policët izraelite me gurë, bashkësia ndërkombëtare bënë thirrje që të ndërpritet dhuna, e kur policia izraelite zbaton terror mbi palestinezët , po ajo bashkësi ndërkombëtare, u bënë thirrje ‘palëve’ që t’i vazhdojnë bisedimet.

Kështu e ka kjo botë ku prej moti është varrosur e vërteta dhe humanizmi ndaj të dobëtit e të pambrojturit.

Dhe si kjo botë e vret të vërtetën palestineze, më së miri e pasqyrojnë mediat e dikurshme dhe këto të sotmet!
Dikur mediat raportonin për ‘luftën në territoret e okupuara palestineze’. Sot ato informojnë për ‘konfliktin izraelito-palestinez’?!

Pra ato sot e barazuan okupatorin dhe atë që e mbron atdheun e vet!

Ne jetojmë në kohë kur ‘fjalori’ informativ e përcakton të vërtetën dhe e mbulon realitetin e hidhur! Andaj, ndoshta ‘vrasësit’ më të rrezikshëm të sotëm nuk janë ata që mbajnë armët në dorë, por ata që e shpikin dhe e kontrollojnë ‘fjalorin’ e verbërisë dhe shurdhërisë mbarënjerëzore, e ku bëjmë pjesë edhe ne që heshtim dhe e besojmë atë!

Por duhet të jemi të drejtë: palestinezët janë viktimë e botës arabe dhe asaj myslimane, në të cilën botë vritet dhe sharrohet trupi i gazetarit që guxon ta kritikojë diktatorin, botë e cila ka thuajse vetëm një fe – atë të dollarit!

Dhe që të mos del që nuk e di se këto qëndrime të një ‘prolindori’ e ‘islamisti’ siç jam unë do i irritojnë të gjithë shqiptarët ‘properëndimorë’ ta ripërsëris: unë mburrem me shqiptarët e mi që gjatë Luftës së Dytë Botërore rrezikuan interesin e tyre dhe vetveten, vetëm për t’i mbrojtur hebrenjtë e rrezikuar nga nazistët gjermanë. Njësoj siç mburrem me mirënjohjen e përjetshme shqiptare ndaj gjithë atyre që e ndihmuan çlirimin e Kosovës.

Kjo mburrje është ajo që më bënë të turpërohem nga shqiptarët që thonë se shkaku i ‘interesave’ tona kombëtare, ne nuk duhet të shikojmë gërmadhat e shtëpive palestineze, mbi të cilat ndërtohen vendbanimet hebreje, e as duhet të shohim fëmijët e vrarë nga ushtarët izraelit, por gishtin e gërvishtur të ushtarit hebre, nga gurët e protestuesve palestinez?!

Për mua pra, nuk ka interes më madhorë njerëzor se të jesh nga ana e pafajësisë dhe e viktimës, bile edhe atëherë kur e dinë se i takon një populli të vogël, i cili me asgjë nuk mund të ndikojë e t’i ndryshojë rrjedhat globale, por që mund ta ndryshojë vetveten, që mund të bëhet më i ndjeshëm ndaj dhembjes njerëzore, që mundë të dëshmojë se ka zemër mjaftueshëm të madhe sa për ta përfshi në të dashurinë dhe dhembshurinë për të gjithë fatkeqët e kësaj bote, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e fetare.

Më në fund, ai që shkaku i interesit të vet, aq është verbëruar e shurdhuar, sa nuk i sheh plagët e tjetrit dhe nuk i dëgjon piskamat e fatkeqit, me asgjë nuk e meriton keqardhjen e të tjerëve dhe, me asgjë nuk ndryshon nga ata që shkelin mbi gjakun dhe fatin e të pambrojturve! (Kim Mehmeti)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit