3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga Justinian Topulli: Islami i vërtetë është ai që ka qenë gjithmonë

Më të lexuarat

Replikë ndaj shkrimit të Dr. Arben Ramkaj “Islami i vërtetë i një dijetari të ri dhe sulmet e fanatikëve”

Shkrimit të cilit i përgjigjemi këtu merr si bosht të tijin Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa, i cili përdoret si model reference për atë që ai bën, por edhe si përgjigje ndaj atyre që e kundërshtojnë.

Por a vlen si logjikë e drejtë fetare ky konstrukt logjik, që nuk merr si bazë argumentin fetar, por një individ, qoftë ky edhe Sekretari i Përgjithshëm -i emëruar dhe jo i zgjedhur- i Ligës së Botës Islame?! Sigurisht që jo, sepse janë parimet ato që gjykojnë njerëzit dhe jo e kundërta.

Nuk e kam ndjekur ligjërimin e ditës së Arafatit në Arafat, nga Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, por duke marrë për të mirëqenë citimin e Dr. Arbenit se ai ka thënë në të ndër të tjera se “Dashuria dhe dhembshuria duhet të mbizotërojnë në marrëdhëniet tona” duke aluduar me këtë për ata që nuk janë muslimanë, më duhet të them se kjo nuk vlen për të gjithë njerëzit, madje e thënë kështu duke përfshirë edhe jomuslimanët është e gabuar. Ajo që duhet të mbizotërojë në marrëdhëniet tona me të tjerët jo me të njëjtën fe, është drejtësia së pari dhe më pas mirësjellja. Dhe nisur gjithashtu nga parimi i reciprocitetit, ndaj atyre që janë dashakeqës dhe tendenciozë, nuk mund të jemi pacifistë, të llojit që nëse na godasin në njërën faqe t’i kthejmë tjetrën, por gjithsecilit i duhet dhënë ajo që meriton.

Ndërkohë dashuria është një ndjenjë dhe një marrëdhënie që e meritojnë vetëm ata që janë më të afërt me ne, në këtë rast besimtarët dhe komuniteti fetar të cilit ne i përkasim. Ka mjaft ajete kuranore dhe hadithe profetike, që si ligjëruesi i Arafatit ashtu dhe ai autori i shkrimit, i njohin shumë mirë, dhe ato përbëjnë bazën dhe normën mbi të cilat ngrihen marrëdhënie reciproke me muslimanët dhe jomuslimanët, ndërkohë çdo shmangie nga kjo normativë, përmes argumentimit periferik jo vetëm është e sforcuar, por edhe e pasaktë dhe vendos në kolaps strukturor dijet islame, duke injoruar argumentet bazike dhe metodologjinë me të cilën argumentet fetare marrin peshë në dijet islame.

Dr. Arbeni duke bërë një rezyme të aktivitetit të sotëm të marrëdhënieve ndërfetare në nivel përfaqësuesish fetar, të emëruar nga politika, siç është rasti në vendet arabe apo të ardhur në krye të institucioneve fetare përmes infiltrimit dhe kapjes së tyre të padrejtë, siç është rasti i KMSH sonë, na rrëfen për qasjet e reja, kontaktet dhe marrëveshjet që këta përfaqësues (jopërfaqësues), kanë me përfaqësues të botës së krishterë dhe asaj hebraike, duke sjellë në skenë një praktikë të cilën vetë autori shprehet se është “diçka që nuk ishte parë më herët në histori”.

Nëse janë është e tillë e re, atëherë kjo tregon se ajo nuk ka bazament legjitimiteti fetar islam dhe se po tejkalon qëndrimin tradicional islam, të trashëguar që nga koha e Profetit (alejhi salatu ue selam). Ndaj të quash fanatikë ata që i qëndrojnë besnik frymës dhe shpirtit tradicional të Islamit, është e tepërt dhe gabuar, madje na jep të drejtën ne që ndihemi të sulmuar nga kjo gjuhë, se janë pikërisht ata që po sjellin këtë frymë të re jotradicionale të quhen liberal, madje pse jo edhe viktima intelektuale të postmodernitetit.

Situata në vendet arabe dhe ajo në vendet e gjirit është shumë komplekse dhe ndryshimet sociale, ekonomike dhe politike kanë reflektuar edhe në qasjen e dirigjuar fetare nga politika, qasje këto të cilat janë refuzuar nga dijetarë të shumë në botën islame, madje shumica e tyre e pavarur nga politika.

Dr. Arbeni në shkrimin e tij thotë se “Janë pikërisht këto reforma, dhe këto diskutime sociale dhe shoqërore të botës myslimane, që kanë prodhuar edhe këtë debat midis fanatikëve dhe përfaqësuesve institucionale të botës myslimane.”

Në fakt veç përmendjes së disa takimeve dhe prononcimeve, e sidomos kësaj fryme, e theksoj, nga njerëz fetar të emëruar nga politika, nuk përmend ndonjë reformë konkrete, vetëm nëse quan reformë këtë lloj qasje të diktuar nga pushteti.

Më pas ai thotë: “Fanatizmi dhe konservatorizmi fetar, kanë prodhuar gjatë shekullit të kaluar, por edhe në vigjilje të këtij shekulli, grupime të pafundme ekstremistësh që e bënë të domosdoshme këtë reformë teologjike për shoqëritë atje.”

Nuk e di nëse ndjekja e tradicionalizmit islam për çështjen e marrëdhënieve me jomyslimanët quhet fanatizëm i gabuar, apo edhe konservatorizëm, në kuptimin e ruajtjes së trashëgimisë fetare, dhe kjo të etiketohet si diçka të keqe?! Por edhe nëse e ka për çështje të tjera, jashtë temës për të cilën ai diskuton, ai duke e kuptuar ose jo po pohon edhe një herë se e gjitha kjo është një frymë e re, e cila pengohet nga “fanatikët konservatorë” që nuk kërkojnë të ndryshojnë, por duan të ruajnë të njëjtat qasje të vjetra. Nëse është kështu atëherë edhe një herë tjetër ai po i heq legjitimitetin fetar qasjes që ai po e ofron si “jofanatike” dhe “jokonservatore”, duke ripërmendur edhe njëherë faktin se për këtë qasje ai nuk ofron asnjë argument teologjik, por vetëm modelin e një personi, që në fund të fundit nuk është burim i referencës fetare.

Ndërsa për sa i përket pohimit se “fanatizmi dhe konservatorizmi” paskan prodhuar në kohën e sotme grupime ekstremistësh, është një pohim tejet i pasaktë dhe pa e kuptuar godet vetë kuptimin tradicional të fesë, apo më saktë gjithë korpusin e dijes së trashëguar tradicionale fetare islame ndër shekuj. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, pse ky “fanatizëm dhe konservatorizëm” nuk ka prodhuan grupe ekstremiste për shekuj me radhë, por vetëm në këtë epokë?!

Ekstremizmi gjatë gjithë historisë islame është prodhuar si pasojë e faktorëve të ndryshëm doktrinal devijant, social, politik, ekonomik dhe etnik madje, por jo thjesht nga konservatorizmi dhe fanatizmi pas traditës islame. E njëjta gjë është edhe sot, madje do të shtoja se faktori politik ka qenë një nga shkaktarët kryesorë që ka ushqyer edhe devijimin doktrinal dhe shfaqjen e ekstremizmit. Ekstremizmi i sotëm terrorist mes myslimanëve është në fakt një reagim mllefi dhe mosdurimi, në radhë të parë ndaj politikës, e cila është bërë pengesa kryesore në zhvillimin e kombeve islame, është mungesë e analizës së thellë dhe punës së palodhur për të punuar si duhet, për ndryshimin e gjendjes mjerane ku ndodhet bota islame dhe ajo arabe.

Nëse do të bënim një retrospektivë historike të lindjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit me justifikim fetare në botën arabe, do t’ia nisnim me fillimet e shekullit të kaluar kur lëvizja islame e “vëllazërisë muslimane” u përball me dhunën ekstreme shtetërore, përmes burgosjes, torturave dhe dënimeve me vdekje, pasoja këto të cilat krijuan një rrymë të re atë tekfirizmit, i cili lindi pikërisht në burgjet famëkeqe të Egjiptit dhe sigurisht që për të përligjur veten fetarisht iu mbështet retorikës fetare të trashëguar nga sekti i vjetër i havarixhëve. Ishin tekfiristët të parët ata që përligjën dhunën duke nisur me vrasjen e ministrit të fesë së Egjiptit, pasi më parë e kishin shpallur atë si qafir. Për të vazhduar më pas në vitet 70’ dhe kulmuar me masakrën e 1982 në qytetin Hama, po ndaj vëllazërisë muslimane nga diktatori majtist nacionalist Hafidh Asad, babai i diktatorit dhe kriminelit të sotëm sirian. Pushtimi i Afganistanit nga komunistët e ish Bashkimit Sovjetik dhe lufta e gjatë aty krijuan mundësinë e thithjes së një morie të madhe vullnetarësh nga vendet e botës arabe, të cilët ndër të tjera përthithën nga njeri-tjetri atje edhe idetë ekstremiste të tekfirizmit, të cilat më pas sollën edhe krijimin e Al-Kaidës dhe grupimeve të tjera. Pushtimi i Kuvajtit nga Iraku dhe futja e trupave të huaja në gadishullin arabik krijoi një precedent tjetër politik të përplasjes verbale mes eksponentëve të rigjallërimit fetar (të njohur si sahua) dhe pushtetit në Arabinë Saudite, e cila duke qenë me sfond dhe bazament më fetar u mjaftua vetëm me burgosjen pa gjyq të këtyre eksponentëve, të cilët i liruan disa vite më pas, por ndërkohë dëmi qe bërë, dhe kauza e Al-Kaidës kishte fituar legjitimitet tek shumë të rinj muslimanë. Po në këtë kohë, në fillim të viteve 90’, në Algjeri fiton zgjedhjet Fronti i Shpëtimit Islamik (FIS), fitore kjo që u mbyt me dhunë dhe me gjak nga pushteti, i cili edhe me bekimin e Francës nuk pranonte të dorëzonte pushtetin. Sigurisht kjo prodhoi një reagim të dhunshëm nga ata që iu morr e drejta e pushtetit me pa të drejtë, pa harruar këtu të theksojmë se shumë nga masakrat e dhunshme nuk bëheshin nga islamikët e dhunuar, por nga shërbimet sekrete. Më pas ndodhi 11 Shtatori, i cili sipas vetë planeve të publikuara më pas të Al-Kaides, u bë me qëllimin e tërheqjes së SHBA në tokat arabe për të rrezuar me armë pushtetet despotike, të cilat ata nuk i rrëzonin dot, edhe për shkak të një lloj përligjje fetare që ata i bënin vetes në popull, ndërkohë pushtimi amerikan, sipas tyre do të ishte i përkohshëm, sepse nuk do të kishte legjitimitet dhe ndërkohë të lodhur nga lufta amerikanët do të largoheshin nga vendet e pushtuara arabe, pa lënë pas pushtete vasale dhe bota arabe dhe islame, sipas këtij plani, do të fitonte lirinë. Në fakt ajo që bëri ISIS-i, si trashëgimtari më ekstrem i Al-kaidës, qe në vija të përgjithshme pikërisht ky plan, por që ngjarjet treguan se çfarë rrjedhimesh mori dhe çfarë dëmi të pallogaritshëm i bëri botës islame dhe vetë muslimanëve kudo që jetojnë. Dhe së fundi pranvera arabe është shembulli më i freskët sesi aspiratat për liri të këtyre popujve u mbytën në gjak, pse jo edhe nën bekimin e Perëndimit, i cili për interesa politike, ekonomike, kulturore madje edhe fetare, nuk do të pranojë që të mbështesë lirinë e këtyre popujve, duke i kthyer dashur pa dashur ata nga aleatë, në armiq të tij. Sigurisht këtu nuk mund të harrojmë çështjen palestineze, dhe atë të Jerusalemit, që në realitet nuk është një çështje politike rajonale, por fetare dhe globale. Mos zgjidhja e saj dhe mbajtja e pushtuar për dekada të tëra e territoreve palestineze dhe të tjera padrejtësi që ndodhin atje, sigurisht që do të prodhojë jo vetëm terrorizëm lokal, por edhe global.

Nëse kjo është e vërteta politike që është ajo që ka prodhuar më së shumti ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, a mundet vallë i ashtuquajturi projekti i “dialogut ndërfetar” që ka mbi gjysmë shekulli që ka nisur, të ndryshojë qasjen e ekstremistëve?!

Bota islame ka përjetuar pak para viteve 90’ dhe më pas një rigjallërim fetar të madh në mesin e rinisë së saj, dhe është e pritshme që kjo të reflektohet edhe në shfaqje ekstreme ideore dhe praktike, por nëse kësaj i shtojmë edhe ndërprerjen me dhunë dhe gjak të ëndrrës së kësaj rinie për të qenë të lirë dhe për të jetuar sipas besimit dhe kulturës që ky besim prodhon, çfarë reagimi mund të ketë veç dhunës dhe ekstremizmit të dhunshëm?

A kurohet kjo me dialog me të krishterët dhe judenjtë? A thua janë vallë të krishterët që jetojnë në vendet muslimane shkaku i dhunës? Sigurisht që jo. A është e drejtuar kjo dhunë ndaj tyre, apo ndaj pushteteve politike të këtyre vendeve? Sigurisht ndaj këtyre pushteteve, atëherë çfarë paqe dhe tolerancë dhe bashkëjetese kërkojnë të vendosin këto nisma, kur problemi qëndron diku tjetër?! Për më tepër po ne si shqiptarë që nuk kemi të njëjtin kontekst politik dhe historik, pse duhet të përfshihemi në këto nisma, ndërkohë që kurrë nuk kemi pasur dhunë ndërfetare mes komuniteteve? Kaq shumë e rrezikuar qenka e ardhmja e afërt e shqiptarëve nga dhuna ndërfetare saqë t’i kushtohet kaq shumë investim dhe vëmendje këtij projekti shterp, apo qëllim është diku tjetër?

Ndërkohë duhet të dimë se bota islame dhe ajo arabe në veçanti, vuan nga diktaturat politike post-kolonialiste, për gati një shekull. Ajo ka mungesë të theksuar lirie, madje edhe për të ushtruar dhe zhvilluar fenë dhe traditat e mira të saj, e jo më shkencën, ekonominë, shoqërinë dhe kulturën në përputhje me aspiratat dhe besimin e saj. Dhe asnjë popull në botë nuk mund të zhvillohet, në asnjë drejtim, pa pasur lirinë e nevojshme për ta bërë këtë. Të ashtuquajturat reforma, që bëhen në vendet arabe, nuk janë gjë tjetër vetëm se ndryshime me dhunë, që imponohen nga pushtetet e mykura politike mbretërore fisnore e klanore, të cilat pasqyrojnë vetëm vullnetin e politikës lokale, që kërkon të përjetësojë veten në pushtet, duke besuar se vetëm duke kënaqur kërkesat e të huajve që i “adhurojnë” do të arrijnë të trashëgojnë pushtetin e tyre. Reformat në këto vende janë thjesht sipërfaqësore, nuk bazohen nga nevojat dhe për nevojat reale të zhvillimit, por thjesht reflektojnë përgjigje pasive ndaj problematikave shumë më të thella, ku strumbullari i tyre është vetë despotizmi politik.

Përderisa popujt arab dhe ata islam nuk do të çlirohen nga diktaturat politike, ashtu siç Musai çliroi popullin e tij hebre nga tirania e Faraonit dhe Muhamedi (alejhi salatu ue selam) muslimanët e parë nga tirania e idhujtarisë Mekase, asnjë reformë apo ndryshim real dhe pozitiv nuk ka për të ndodhur në këto vende.

Autori i shkrimit pohon se grupet ekstremiste e ndërtojnë konceptin mbi shtetin mbi baza tërësisht imagjinare, kjo sigurisht mund të jetë e vërtetë, por është pasojë pikërisht edhe e mungesës së zhvillimit që këto shtete post-koloniale dhe tribale e klanore kanë treguar, duke imponuar si kundërpërgjigje ndaj opozitarëve të tyre, që i kanë detyruar të marrin armët, një model të ngjashëm “fetar” me atë politikë që vetë këto shtete tiranike aplikojnë.

Shembujt e ISIS-it dhe Al-Kaid-ës në fakt janë shembujt tipik të ekstremizmit fetar sipas modelit të shtetit dhe ideologjive moderne, siç kanë vënë në pah në fakt edhe studiues të ndryshëm, dhe jo produkt i mesjetës, retorikë kjo tipike e nivelit mediatik dhe letrar dhe aspak e analizës sociologjike apo politike.

Muhamed bin Abdul Kerim Al-Issa, është thjeshtë një e emëruar i pushtetit politik, për të përmbushur urdhrat e që i jepen dhe as nuk njihet për ndonjë nivel intelektual apo aq më tepër të quhet dijetar, përveç faktit që mbart një PHD si mijëra të tjerë si ai. Ndaj sulmi ndaj tij nuk është sulm ndaj dijetarit dhe intelektualit reformator, i cili me dijen dhe potencialin e tij mendimtar është duke sjellë ndryshimin, por sulm ndaj pushtetit dhe urdhrave politikë që ai zbaton me bindjen e një vartësi. Kështu që Al-Issa përfaqëson pikërisht këtë lloj “dijetarësh” apo “intelektualësh” që emrin dhe zërin ua jep jo karizma e tyre publike, përmes dijes dhe kontributit të mirëfilltë origjinal, por posti dhe pushteti që i promovon dhe i komandon si marioneta. Për më tepër ai nuk është një autoritet referencial për tu mbështetur dhe për ta marrë për bazë, apo si model për të justifikuar veprimet dhe qasjet e ngjashme me të.

Më pas Dr. Arbeni thotë: “Janë pikërisht këta dijetarë të rinj që e kuptojnë botën moderne, i kuptojnë shoqëritë aktuale ku jetojnë…”

Në fakt soji i këtyre njerëzve janë të mahnitur nga bota moderne deri në admirim të saj, kështu që ata jo vetëm që nuk e kuptojnë sa dhe si duhet botën moderne dhe postmoderne, por e keqkuptojnë atë duke tentuar t’ia përshtatin fenë asaj dhe jo të kundërtën. Dhe çfarë është më e keqja është se në dallim me disa zëra të sotëm në botën islame, që e thonë haptazi se vetë Islami dhe burimet e tij kanë nevojë për reformim, këta njerëz duke qenë të diktuar nga lart dhe duke dashur të ruajnë një ekuilibër të paqenë mes traditës dhe së resë antagoniste me të, krijojnë vetëm se projekte politike artificiale kontradiktore, që nuk i honeps asnjëra palë dhe që janë të destinuara të ndryshojnë ose të dështojnë. Në fakt këta “teologë të rinj” do të bënin mirë të kritikonin botën moderne dhe atë post-moderne dhe të kuptonin mungesën e natyrshmërisë humane të saj, dhe sesi kjo botë e ka tëhuajsuar njeriun nga mjedisi natyral social dhe kulturor në të cilin ai jetonte dikur, dhe jo t’i nënshtrohen asaj pakushte, apo me kushte që kurrë nuk përmbushen.

Nuk e kuptoj pse autori i shkrimit përzien qëndrimet tekfiriste, ekstremiste dhe banale të njerëzve pa kredenciale dijeje me ato fetare akademike të argumentuara, vetëm nisur nga fakti se ato takohen në qëndrimin kundra hipokrizisë fetare në sjelljen kundrejt bashkësive të tjetra fetare?! A thua me të tilla artifica dhe kapërcime kërkon të legjitimojë qasjen e tij dhe delegjitimojë kundërshtimin?! Autori e di mirë se qëndrime refuzuese dhe me mjaft rezerva ndaj këtyre nismave, në pamje të jashtme dialoguese dhe mirëkuptuese, nuk kanë mbajtur vetëm besimtarët e thjeshtë, por edhe dijetarë eminent të botës islame dhe hoxhallarë me dije të kënaqshme në tokat tona, të pavarur nga institucionet e emëruara fetare apo të kapura, siç është rasti me gylenistët e KMSH.

Ne nuk kemi qenë kurrë kundra tolerancës dhe bashkëjetesës me jomyslimanët në këtë vend, sepse si ne si paraardhësit tanë kanë gjithë jetën që jetojnë me ta, dhe mes nesh kemi lidhje gjaku dhe fisi, apo edhe kombëtare, dhe nga ky aspekt ata janë vëllezërit tanë në gjak, në fis dhe në komb, por jo në fe. Çdo fe ka vëllezër në fe vetëm besimtarët e fesë së vetë. Ne na bashkon me ta kjo botë, kjo tokë, ky atdhe apo edhe ky gjak dhe kjo gjuhë që flasim, por na ndan feja dhe besimi, kufi ky që nuk e kalojmë dot, përtej faktit që elementët e mëparshëm jetik na bëjnë bashkë për të mirën e përbashkët të këtij vendi.

Kështu që përtej faktit se “ata kanë fenë e tyre dhe ne fenë tonë” dhe ruajtjes së marrëdhënieve të mira reciproke në këtë botë, siç kemi bërë gjithmonë, për çfarë shërbejnë këto nisma dhe çfarë do të ndryshojnë për më mirë? Do të zhdukin ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin?! Janë thjesht janë humbje kohe, hipokrizi dhe konsum pa dobi. Për të mos analizuar më gjatë se kush përfiton prej tyre, por sigurisht jo ajo që trumbetohet dhe as komunitetet fetare që përfshihen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit