1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Nga Halil IBRAHIMI: Si të bëhesh i famshëm për shtatë ditë!

Më të lexuarat

Nuk kam dashur të marr pjesë deri më sot në debatin për këtë “Selman” Azem Deli “Ruzhdiun”, qysh e quajti dikush, për të mos i hyrë në hak, sepse nuk e kisha lexuar, por edhe sepse e kisha dhe e kam një ndjenjë keqardhjeje e revolte nëse dikush e ka rrahur me të vërtetë. Në anën tjetër, gjithmonë i kam pasur inat librat e tipit “si të bëhesh milioner për shtatë ditë” ose “si ta mësosh filan gjuhën për shtatë ditë”. Dhe kur e pashë që për reklamën që dikush paguan me qindra mijëra euro ky nuk dha asgjë, hiç asgjë, kjo më bëri që të kem neveri edhe ndaj kësaj fame të fundit që lindi bile për më pak se shtatë ditë!

Pas intervistës së djeshme të këtij të riu nga Skënderaji dhe pas leximit të disa shkarravinave të tij, më nuk kam asnjë dyshim. Esetë e tij “filozofike”, poezitë (e rimuara keq) dhe prozat e sforcuara me idealizime paushalle, janë definitivisht shumë nën mesataren e të shkruarit. Ky djalë nuk do të bëhet kurrë një shkrimtar i madh vetëm nëpërmjet lapsit. Atij i nevojitet diçka tjetër për ta shtyrë drejt famës, dhe ai këtë e ka kalkuluar mirë. Siç do të thoshte dikush, të shkruarit me laps ose tastaturë të bën po aq shkrimtar sa të bën të qëndruarit në garazh veture! Është fatkeqësi që atij asnjë mik që ia do të mirën nuk ia ka thënë se nuk është trimëri t’i ofendosh dhe stereotipizosh viktimat, por guxim i njëmendtë është të dish të mbash vështrimin kritik në ekuilibrin e drejtësisë. Azem Deliu e di që duke e kritikuar një prift për sjellje të pahijshme nuk fitohet famë, e di që nëse i kritikon shenjtorët mitikë të shqiptarëve linçohet, e di që nëse flet kundër presidentit të një superfuqie për racizëm ekskomunikohet. Prandaj mënyra më e lehtë është ta shash të përulurin, ta vrasësh të vrarin, ta përqeshësh të nënshtruarin. Sepse kjo sot të jep famë! Njësoj i ka dhanë Selman Ruzhdisë, e plot të tjerëve, të cilët kritikët e mirëfilltë letrarë i vlerësojnë nën mesatare. Kjo është mënyra më e lehtë dhe më e mirë për me i tërheqë të pagdhendurit në sulm. Obsesionohu me famën, shkruaj diçka, në mos ndeztë tregimi e poezia shaje “atë”, shaje aq vrazhdë sa vrazhdë pret që i vrazhdi të të sulmojë, dhe përnjëherë bëhesh i përndjekur e disident, e duke qenë i tillë ti saora je i famshëm!

Nuk ka asgjë që nuk mund të sfidohet e të kritikohet duke u vënë në peshoren e moralit, drejtësisë e ndëshkimit. Madje as feja, as profetët, por as shenjtorët e etërit e kombit. Por kur kjo bëhet vetëm për famë dhe vetëm në një kahje të qëllimshme, atëherë nuk ka më as drejtësi, as moral e as kritikë. Aq më tepër është thellësisht e pamoralshme ta gjuash gurin në qelq, ta quash atë vetëm gjësend që gjuhet ose top lecke, dhe të konsiderosh se xhami i thyer duhet të ngushëllohet nga fakti se guri mund ta thyente edhe secilin xham tjetër. Njëjtë bëri edhe ky. Akuza e tij që e nisi famën ishte e dedikuar për Profetin Muhamed, kurse ky tash thotë se mund të ishte për secilin profet dhe nuk ia kishte dedikuar fare atij, edhe pse mbiemrin, detajet, rrethanat dhe të gjitha të dhënat pa asnjë dyshim i ka kurdisur për të. Gjithçka bën të sfidohet e të shahet në fund të fundit, por haptas e dinjitetshëm, jo në mënyrë tinëzare e me kalkulime të qarta. Pasi e dëgjova dje, tashmë jam shumë i bindur se po të jetonte në vitin 1942 në Gjermani, ky do t’i shante njësoj hebrenjtë, po të jetonte në vitet e gjashtëdhjeta në SHBA do t’i ofendonte zezakët! Është evidente se e tëra është një reality show i keq për të arritur shpejt tek fama.

Është e vërtetë se në Kosovë ka fanatizëm e ekstremizëm me bollëk, dhe se ka bile edhe njerëz që janë të gatshëm të të sulmojnë nëse ua sfidon kafazin ku e ruajnë me xhelozi këtë fanatizëm e ekstremizëm. Kjo është e turpshme, e ulët, e pamoralshme dhe e pafalshme. Por ta paraqesësh “muslimanin” si bartësin kryesor, në mos të vetëm, të kësaj sjelljeje të vrazhdë është edhe më e turpshme, më e ulët dhe më e pamoralshme. Fanatizmi dhe ekstremizmi i nxitur nga patriotizmi i rremë serb, por edhe shqiptar, është shumë më i madh në Kosovë. Është i vetmi që ka kryer sulme të dhunshme në vend deri më sot, është i vetmi që ka rrënuar xhami, ka djegur kisha e ka vrarë njerëz. Fanatizmi dhe ekstremizmi i burrit shqiptar (jo si musliman, por si shqiptar) karshi gruas është shumë herë më i dhunshëm. Fanatizmi dhe ekstremizmi politik, edhe shumë herë më shumë se kaq i dëmshëm. Në Kosovë ka edhe fanatizëm e ekstremizëm katolik përveç atij musliman. Ka të tillë që i mendojnë të tjerët si pjesëtarë inferiorë të kombit, i shajnë e përçmojnë. Nuk është feja, kombi apo shoqëria ajo që na bën ekstremë, të pamoralshëm e të vrazhdë. Është njeriu që e bën fenë, kombin, shoqërinë, shtetin të tillë. Është e ulët të konsiderohet fanatizmi dhe ekstremizmi musliman si e keqja më sublime e këtij vendi, siç bëri dje ky intelektuali i vetëquajtur, duke i minimizuar e anashkaluar në tërësi ekstremizmat e fanatizmat e tjerë. Është e dhunshme për veshët të dëgjosh nga ai se “ekstremizmi i muslimanëve” i paska bërë edhe shokët e tij (po pra, djemtë, meshkujt) që të vënë shami duke qenë në shkollën fillore! Është bajate të dëgjosh se ekstremizëm na qenka “shkuarja në ekskursion me një hoxhë”!

Në fund të fundit, nuk është e thënë të bëhesh medoemos i famshëm si shkrimtar. Kënaqu me jetën si njeri pikë së pari. Të dish të kënaqesh me atë që e ke është “fama” më e madhe! Merre Oruellin e Volterin (faleminderit që na njoftove me ta!), Dostojevskin, apo Rumiun e Hafizin, dil prej Skënderajit, për shembull, shko në mal në Klinë të Epërme dhe nën hijen e ndonjë peme lexoji. Merr frymë thellë, shijoje pranverën, një copë bukë me djathë dhe lexo. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit