Qasja ndryshe e një zëri izraelit, botuar një ditë pas sulmit të Hamasit
Pas gjithçkaje që ndodhi qëndron arroganca izraelite. Duke menduar se na lejohet të bëjmë diçka dhe kurrë nuk paguajmë për të ose nuk ndëshkohemi për të, kurrë. Vazhdojmë pa asnjë pengesë. Ne arrestojmë, vrasim, abuzojmë, plaçkitim, mbrojmë programet e vendosjes së kolonëve, vizitojmë Varrin e Jozefit, Varrin e Othnielit, Altarin e Jehoshuas, të gjitha në zonat palestineze dhe sigurisht Malin e Tempullit – më shumë se 5000 hebrenj vetëm në Sukkot – ne qëllojmë të pafajshëm, nxjerrim sytë dhe thyejmë fytyrat, ne dëbojmë, shpërngulim, konfiskojmë, vjedhim, rrëmbejmë njerëzit nga shtretërit e tyre ndërsa ata janë duke fjetur, kryejmë spastrim etnik dhe natyrisht do të vazhdojmë bllokadën e pabesueshme të Gazës – dhe gjithçka do të shkojë mirë!
Ne po ndërtojmë një rrethim të madh rreth Rripit të Gazës, ku vetëm kostoja e pjesës së murit nëntokësor arriti në tre miliardë shekel, kështu që ne do të jemi të sigurt. Ne varemi nga 8200 gjenitë (njësia e inteligjencës izraelite) dhe nga agjentët e Shin Bet që dinë gjithçka, dhe ata do të jenë përgjegjës për të na paralajmëruar në kohën e duhur. Ne lëvizim një gjysmë ushtrie nga enklava e Gazës në enklavën Huwara vetëm për të mbrojtur festimet e çmendura të mbajtura nga Zvi Sukkot, udhëheqësi i kolonëve, dhe gjithçka do të shkojë mirë, qoftë në Huwara apo në Erez. Por ndërkohë si rezultat del se edhe barriera më ngjeshur dhe më e shtrenjtë në botë mund të kalohet relativisht lehtë nga një buldozer i thjeshtë, duke pasur një motivim të madh për ta bërë këtë. Ja, që është e mundur të kalosh këtë pengesë arrogante me biçikleta dhe motoçikleta, pavarësisht miliardave që janë derdhur mbi të dhe pavarësisht nga të gjithë ekspertët dhe kontraktorët e famshëm që po pasurohen.
Menduam se do të vazhdojmë të jemi arrogantë në Gaza, se do të vazhdojmë të hedhim thërrimet e bamirësisë sonë aty-këtu, në formën e disa dhjetëra mijëra lejeve të punës në Izrael – një pikë uji në kovë, të cilat janë gjithashtu dhe gjithmonë të kushtëzuar me sjelljen e mirë – dhe ndërkohë vazhdojmë t’i mbajmë sikur të ishin burg. Dhe kjo bamirësi sigurisht për të bërë paqe me Arabinë Saudite dhe Emiratet, në mënyrë që palestinezët të harrohen derisa të fshihen, siç dëshironin shumë izraelitë. Ne vazhdojmë të ndalojmë mijëra të burgosur palestinezë, duke përfshirë të burgosur pa gjyq, shumica e të cilëve janë të burgosur politikë, dhe ne nuk pranojmë të shqyrtojmë lirimin e tyre, edhe pasi ata të kenë kaluar dekada në burg, për t’u thënë palestinezëve se të burgosurit e tyre mund ta shohin lirinë vetëm me dhunë. Ne menduam se do të vazhdonim të zmbrapsnim çdo përpjekje për zgjidhje politike, me arrogancë, vetëm sepse nuk na pëlqente të merreshim me këtë tani dhe se gjithçka do të vazhdonte kështu përgjithmonë, natyrisht.
U vërtetuar edhe një herë se gjërat nuk ishin ashtu. Disa qindra palestinezë të armatosur sulmuan rrethimin dhe pushtuan Izraelin në një mënyrë që asnjë izraelit nuk mund ta imagjinonte si të mundshme. Disa qindra militantë palestinezë kanë vërtetuar se nuk është e mundur të burgosësh përgjithmonë dy milionë njerëz, pa paguar një çmim të rëndë. Ashtu si një buldozer palestinez i modës së vjetër që nxirrte tym, rrëzoi rrethimin dje, një rrethim i zgjuar më shumë se çdo rrethim tjetër, po në të njëjtën mënyrë ai i ka hequr Izraelit petkun e arrogancës. Ai gjithashtu rrëzoi idenë se mjafton të sulmosh Gazën me dronë vetëvrasës herë pas here, dhe pastaj t’ua shesësh ato gjysmës së vendeve të botës, për të ruajtur sigurinë.
Dje, Izraeli pa imazhe që nuk i kishte parë kurrë më parë: automjete ushtarake palestineze që bredhin në qytetet e tij, biçikleta të Gazës që hynin nga dyert e tij. Këto foto me siguri nuk do t’ia bëjnë qefin arrogancës. Palestinezët e Gazës kanë vendosur se janë të gatshëm të paguajnë gjithçka për një fije liri. A ka ndonjë shpresë për këtë? A do ta marrë Izraeli mësim?
Pardje ata kishin filluar të flisnin për zhdukjen e lagjeve të tëra në Gaza, për pushtimin e Rripit dhe për ndëshkimin e Gazës “si kurrë më parë”. Por Izraeli nuk ka pushuar së ndëshkuari Gazën që nga viti 1948, qoftë edhe për një moment të vetëm. 75 vite abuzim dhe më e keqja është ende përpara. Kërcënimet për të “rrafshuar Gazën në tokë” vërtetojnë vetëm një gjë: ne nuk kemi mësuar asgjë. Arroganca është këtu për të qëndruar, edhe pasi Izraeli ka paguar për të edhe një herë një çmim të rëndë.
Benjamin Netanyahu mban një përgjegjësi shumë të madhe për atë që ndodhi dhe duhet të paguajë çmimin, por kjo nuk filloi me Netanyahun dhe nuk do të përfundojë me largimin e tij. Tani duhet të qajmë me hidhërim për viktimat izraelite; por ne duhet të qajmë edhe për Gazën. Gaza, shumica e popullsisë së së cilës janë refugjatë të zhvendosur nga Izraeli; Gaza, e cila nuk ka njohur asnjë ditë lirie në tërë jetën e saj.
*Gazetar izraelit që shkruan për gazetën hebraike Haaretz, ai ka fituar çmime për artikujt e tij mbi të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara nga Izraeli. Në vitin 2021, ai fitoi çmimin më të lartë të Izraelit për gazetari.