Sjellja e Izraelit përgjatë historisë në raport me Palestinën është trajtuar dhe dënuar nga thuajse 46 rezoluta të OKB-së. Në total, rezolutat që dënojnë sjelljen e Izraelit ia kalojnë për nga numri tërësisë së rezolutave që dënojnë apo denoncojnë akte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të të gjithë shteteve të tjera të marra së bashku. E fundit në këtë seri dokumentesh të miratuar nga organizata më e madhe ndërkombëtare, e projektuar sipas vizionit të një “qeveria globale” që ka si qëllim parësor sigurinë dhe paqen në botë, u miratua përpara dy ditësh nga Këshilli i Sigurimit. Rezoluta e denoncon me një gjuhë të qartë ndërtimin e kolonive dhe të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor si shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare. Ovacionet dhe duartrokitjet e shoqëruan miratimin e saj në sallën e Këshillit të Sigurimit.
Miratimi i kësaj rezolute u konsiderua si historik nga përfaqësuesi i Palestinës në OKB, ndërkohë që reagimi izraelit, siç pritej, ishte aspak entuziast. Vetë kryeministri izraelit, përfaqësues i linjës së ashpër në politikën izraelite, të etiketuar si “grupimi i skifterëve”, deklaroi menjëherë rishikimin e marrëdhënies me OKB-në. Reagim ky i lidhur ngushtë jo thjesht me përmbajtjen e drejtpërdrejtë të rezolutës, por me faktin se, duke denoncuar vendbanimet e paligjshme, ajo konsiderohet si gur themeli në zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit përmes pranimit të dy shteteve të pavarura. Një zgjidhje e deklaruar si e pranueshme nga të dyja palët, por që s’mund të negociohet për sa kohë Izraeli vijon t’i shtrijë vendbanimet e tij përtej kufijve të vitit 1967, duke i vendosur para faktit të kryer si palën palestineze, ashtu dhe faktorin ndërkombëtar.
Pavarësisht entuziazmit të njërës palë dhe irritimit të tjetrës, gjasat që miratimi i kësaj rezolute të ndryshojë diçka në realitetin e zonave të përfshira në këtë konflikt, pra, që ajo të transpozohet në terren, janë të pakta, në mos zero. Edhe pse nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare vendime të tilla konsiderohen detyruese, analiza historike tregon se vendimmarrja në nivelin e organizatave ndërkombëtare mbetet një mjet tejet i pafuqishëm dhe aspak efektiv në zgjidhjen e konflikteve me rrënjë të thella politike. E drejta ndërkombëtare, në mungesë të një autoriteti imponues dhe sovran, që të garantojë zbatimin e saj, mbetet thjesht një tërësi normash deklarative. Një e vërtetë kjo e përcjellë dhimbshëm në shumë raste konfliktesh të shoqëruara me masakrimin e civilëve dhe dhunimin e hapur të normave ndërkombëtare me ndjeshmërinë më të lartë, të atyre që u kushtohen të drejtave themelore të njeriut. Imazhet e tmerrshme dhe aktuale të civilëve të gjymtuar në Siri, por edhe të konflikteve disi më të hershme në Bosnjë dhe Kosovë, janë dëshmi e kësaj pafuqie.
Por, megjithëse impakti që rezoluta pritet të ketë mbi Izraelin është thuajse i papërfillshëm, trazimi që miratimi i saj krijoi ishte i madh. Dhe jo pa arsye. Për të parën herë, SHBA-ja guxoi të tërhiqej nga tradita e çimentuar e rrëzimit të çdo vendimi që dënon sjelljen apo aktet e Izraelit përmes ushtrimit të njëanshëm të së drejtës së vetos. Një lëvizje që optimizmi i shfrenuar i dikujt e lexoi si rreshtim të SHBA-së përkrah Palestinës, ndërkohë që hidhërimi dhe inati i dikujt tjetër si tradhti ndaj interesave të Izraelit. Aq më tepër nëse mbajmë parasysh se në SHBA kemi një administratë në largim, ndërkohë që presidenti i zgjedhur Tramp u investua fuqishëm për ta ndaluar miratimin e kësaj rezolute, duke e detyruar dhe Egjiptin të tërheqë një projektrezolutë të paraqitur paraprakisht.
Pavarësisht këtyre leximeve emocionale mbi abstenimin e SHBA-së, duhet pranuar se ky ishte një akt i vonuar në raport me zotimet e presidentit Obama përpara fitores së mandatit të parë si president. Kjo sigurisht që nuk cenon karakterin historik të këtij qëndrimi, por gjithashtu mbart edhe doza të forta cinizmi, për aq kohë sa në tetë vitet e presidencës së tij, Obama nuk arriti të bënte asgjë në përparimin e zgjidhjes së konfliktit, për të mos thënë se plogështia e shfaqur thjesht shoi shpresat dhe shtoi kaosin në lidhje me procesin e pezulluar të paqes. Një zhgënjim që mund të përmblidhet i gjithi në pyetjen: Tani u kujtove të bësh diçka?
Në njëfarë mase, kjo i justifikon edhe ata që panë në këtë qëndrim një hakmarrje të vogël, por të hidhur, të presidentit Obama ndaj kryeministrit izrealit Netanjahu, me të cilin marrëdhënia e ngrirë prej kohësh ishte më se evidente, ndërkohë që, krejt ndryshe, marrëdhënia e këtij të fundit me presidentin e zgjedhur Tramp i ngjason një dashurie me shikim të parë.
Vendimi vjen gjithashtu pas thirrjes që ish-presidenti Xhimi Karter i drejtoi publikisht presidentit Obama, nëpërmjet gjigantit New York Times, për të njohur njëanshmërisht shtetin e Palestinës. Një vendim që gjithsesi mund të revokohej me lehtësi nga presidenti i zgjedhur Tramp në çastin e zyrtarizimit në detyrë. Ndërkohë që revokimi i një rezolute të OKB-së mbetet një sipërmarrje e pamundur, edhe pse nuk ekziston një forcë që ta ndalojë injorimin e saj.
Abstenimi është një akt që nuk mund të zhvlerësohet bazuar në deligjitimimin e administratës Obama si një administratë në largim, por as si hakmarrje primitive e një presidenti që është antiizraelit. Profesori hebre i marrëdhënieve ndërkombëtare në Oksford, Avi Shlaim, në një analizë të tij të fundit për rrjetin Al-Jazeera deklaron se Obama i ka dhuruar Izraelit më shumë para dhe armë se çdo paraardhës i tij, por gjithashtu edhe këshilla. Ndërkohë që Izraeli i ka pranuar me mirësjellje dy të parat, i ka refuzuar pa takt këshillat amerikane për zgjidhjen e konfliktit sipas variantit të dy shteteve që njohin reciprocikisht njëri-tjetrin.
Dhe qëndrimi i Obamës mund të ngjasojë vërtet me nuanca antiizraelite nëse krahasohet më premtimet e Trampit, që duke shkuar përtej asaj që çdo president i mëparshëm amerikan do të kishte guxuar të imagjinonte, deklaroi se do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Edhe pse i vonuar, edhe pse mund të tingëllojë cinik duke patur parasysh tërësinë e rrethanave që çuan në miratimin e Rezolutës 2334, datë 23.12.2016, për presidentin Obama ky ishte vendimi i duhur. Një vendim që, për analistin e mirënjohur izraelit Gideon Levi, do të shërbejë si frymëmarrje në një det errësire dhe dëshpërimi.
Tashmë është e qartë si drita e diellit që bota mendon se këto vendbanime janë të jashtëligjshme. /tesheshi.com/