1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nga Ermir HOXHA: Kur shqiponja në gjoks shfaqet si sorrë e shëmtuar

Më të lexuarat

Morisë së lajmeve të tipit “ç’po na dëgjojnë veshët” i është shtuar prej pak vitesh edhe një që në fakt nuk është se kullon gjak, që nuk ka thelb apo sfond kriminal, nuk është as se përcjell ndonjë frymë degjeneruese si ato me zhveshje tërësore që shoqërohen me titullin grepues për shpirtrat dhe ndërgjegjet e ligshta, “…i heq të gjitha” (nënkupto: turpin të parin), porse i ngjan kësaj të fundit në tërheqjen që shkakton jo nga frustracionet erotike, por nga ato patriotike.

Janë, pra, lajmet me shqiponjën e realizuar me duar të kryqëzuara nga gjoks, një gjest që po shfaqet si një eglendisje dhe ndër njerëz pa gjak shqiptari. Por problemi është se në një kontekst ballkanik kjo po merret shumë seriozisht. Së pari nga ata që e bëjnë, dhe, së dyti, nga ata që nuk e honepsin.

Ia vlen të kujtohet se kjo lloj shqiponje lindi në fillesat e asaj që deri para pak vitesh shihej si diçka vërtet atdhetare në kuptimin e pastërt të fjalës, Aleancës Kuqezi, e që sot është katandisur në një grusht sharlatanësh që aktrojnë shëmtueshëm një nacionalizëm politik që nuk zë vend askund me format e zgjedhura për t’iu imponuar realitetit.

Më pas, si për të mishëruar jo atdhetarinë, por boshësinë morale të një shoqërie, ku më e pakta çdokush mendon vetëm për prapanicën e vet, pa e çarë shumë po atë për të cilën mendon, në lidhje me atë çfarë është e përbashkët, atdheun pra, kjo shqiponjë merr jetë vrullshëm, duke u katandisur në pak kohë në një gjest me natyrë parazitare. Po t’i pyesësh nominalisht të gjithë ata që bëjnë shqiponjën se çfarë ka përfituar atdheu diç prej tyre, në termat e ndershmërisë, kontributeve reale jofoklorike, stilit të jetës dhe mënyrës së të menduarit, apo një sakrifice diku, zor se do hasësh në një përputhje mes performancës së tyre sociale në dobi të shoqërisë dhe shqiponjës mishtoro-kockore.

Rasti i atyre çunave me gjak shqiptari në radhët e ushtrisë greke e shfaq më së miri këtë paradoks. Ata në njëfarë mënyre e kanë bërë hasha atdheun e tyre derisa janë vënë “nën armë” të ushtrisë së një vendi tjetër, kështu që shfaqjet e tyre estradeske, që shiten si përbetim atdhetar, janë një pesë me hiç.

Ata janë aty në bazë të një kontrate sociale e ligjore bashkë: janë bërë shtetas grekë e duhet të zbatojnë me përpikëri të gjithë detyrimet që rrjedhin nga të qenurit të tillë. Kjo vlen si për rastin grek, e si për çdo vend tjetër. Eshtë e njëjta gjë sikur të ndodhte kjo me një shtetas shqiptar nga minoriteti grek, që në kushte ushtrie, por jo vetëm, të sfidonte ligjin, rregullat, etikën, që e shoqëron një raport të kësillojshëm, duke bërë gjeste me sfond nacionalist, haptazi për ta provokuar shtetin e tij, atë me të cilin ka një marrëveshje dhe që e shkel çakërqejf. Kjo gjersa je nën një rrobë ushtarake. Ndërsa kur je në dasëm ndryshon puna. Aty mund të sajosh me duart ç’të të dojë zemra. Është një ambient tërësisht privat, ku ligjin e bën ti.

Po rasti i Lilës, do pyesë ndokush?

Andi Lila, futbollist i Janinës, shënon një gol dhe më pas rend drejt fushës me shqiponjë ndër duar. Një dehje nacionaliste e përshkon në ato momente, ku më shumë se për golin, pra, asaj çfarë përfiton skuadra, gëzohet për faktin që si shqiptar ua futi grekërve në shtëpinë e tyre. Ndryshe nga ushtria, aty, në fushën e lojës nuk ka ligj që e ndalon se si duhet të festojë. Por ai, edhe pse është shqiptar, është përzgjedhur nga greku për të ofruar talentin dhe aftësinë që posedon, dhe deri diku ky është tregues vlerësimi dhe respekti për të. Dhe në këmbim të kësaj, thjesht duke patur një referencë etike, ai duhet të ishte dhe të jetë i vetëpërmbajtur në gjeste që as atij vetë nuk do i kishte pëlqyer t’ia bënte greku në mes të Kavajës.

Tekefundit, koha ka treguar se nacionalizma të formave të tilla folklorike nuk i kanë bërë më të mirë Shqipërinë e shqiptarët, e po ashtu nuk i kanë kontribuar paqes me fqinjët. Ti mund të valëvitësh flamuj naivë në qiellin e Beogradit, mund të bësh dhe shqiponjën nën rrobën ushtarake greke, por mjaft të pohohet se ekonomikisht ata të kanë zaptuar, pa llogaritur dhe indikacionet politike negative në çdo rast dhe për çdo gjë, që të mos merresh me kurrfarë shqiponje. Kjo e fundit në vetvete nuk prodhon asnjë vlerë, asnjë mendim, asnjë vizion mbi shoqërinë, kombin të cilit i përket. Nëse je një njeri që shkel ligjin, që korruptohesh, që cenon haptazi të drejtat, pasurinë dhe nderin e tjetrit, ajo shqiponja jote me të cilën ngazëllehesh idiotikisht nuk është veçse një sorrë e shëmtuar. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit