10.3 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Nga Dean OBEIDALLAH*: I dashur ekipi Trump, “faktet alternative” janë gënjeshtra

Më të lexuarat

Këshilltarja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kellyanne Conway nxorri një term të ri të dielën në mëngjes, kur deklaroi se sekretari i Shtypit, Sean Spicer nuk po gënjente për madhësinë e turmës në inagurimin e Trump. Në vend të kësaj, pretendoi Conway, Spicer thjesht na tha “fakte alternative”.

Është vërtet argëtuese që ekipi Trump, që kaq zëshëm kundërshton korrektesën politike, tashmë po e përdor atë për të përshkruar një gënjeshtër. Më vjen keq, Kellyanne, unë personalisht nuk e ha këtë gënjeshtër. “Faktet alternative”, sikundër Chuck Todd nga “NBC” e tha gjatë transmetimit në përgjigje të deklaratave tuaja, “nuk janë fakte, ato janë gënjeshtra”.

Çështja nisi që të shtunën, kur Trumpi i famshëm dhe i paturp vizitoi CIA-n dhe, ndërsa qëndronte përballë murit që nderonte agjentët e oragnizatës që sakrifikuan jetën e tyre për kombin tonë, u grind për madhësinë e turmës që kishte marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të tij. Trump, pasi së pari goditi median, i tha audiencës së përbërë nga punonjës të CIA-s se “dukej sikur një milion apo një milion e gjysmë qëndruan në këmbë në turmë duke e duartrokitur”.

Problemi i vetëm me deklaratat e Trump në vizitën tek CIA është se gjëra të tilla i quajti fakte. Askush nuk mund të thojë me siguri se cila ishte madhësia e turmës, plus që matjet objektive si ajo e tranzitit të metrosë së Uashingtonit, tregonin se turma e Trump ishte shumë më e vogël.

Ngjashëm, duke shtuar shqetësimin e Trump, ishte dhe kontrasti visual mes fotografive që qarkulluan e që tregonin turmën e inagurimit të Trump krahasuar me atë të inagurimit të parë të Obamës. Në to dukej qartë që turmat e mbledhura për Obamën ishin më masive – edhe pse ka qenë acar në atë ditë të vitit 2009 ndërsa temperaturat për inagurimin e Trump ishin të buta. Trump është kaq i fiksuar me të qënit “më i miri” saqë që në mëngjes shkroi në rrjetet sociale se listimet e tij televizive për inagurimin ishin shumë të larta se ato të Obamës në vitin 2013.

Sigurisht, ai nuk përmendi faktin se inagurimi i Obamës në vitin 2009 kishte vlerësime shumë më të larta.

Kështu që më vonë, sekretari i Shtypit pranë Trump, Sean Spicer mbajti konferencën e tij të parë pas betimit të presidentit. Dhe aty ai gënjeu para popullit amerikan. Spicer në mënyrë tronditëse deklaroi: “Ishte audienca më e madhe që ka dëshmuar një inagurim, ndonjëherë, pikë”. Shumë mirë, ashtu si e vuri në dukje edhe faqja e paanshme e internetit Politifact, deklarata e Spicer ishte gënjeshtër e hapur.

Momente pas deklaratës së Spicer, ai u linçua në median sociale. madje, disa e quajtën ata “Bobi i Bagdatit”, referencë ndaj zëdhënësit të Sadam Huseinit, që mund të gënjente kaq hapur sa të bënte për të qeshur.

Dhe e gjitha kjo na sjell tek dalja e Conway në emisionin “Meet The Press”, një dalje që dukej si një inskenim i “Saturday Night Live”. Ajo ishte atje duke thënë se Spicer nuk po gënjente por thjesht po ofronte “fakte alternative”.

Por, edhe përpara fjalimit të Trump te CIA, konferencës së parë të Spicer apo përpjekjes së Kellyanne Conway për të ndërhyrë, ekipi Trump ka pasur probleme me artikulimin e së vërtetës. Ashtu si edhe ka dalë në media, Trump ka dhënë pothuajse 200 deklarata gjatë fushatës që kanë dalë të ishin gënjeshtra të hapura ose thjesht të rreme.

Por, shumë – përfshirë edhe mua – kishin shpresuar që Trump do të ishte i ndershëm me ne pasi të betohej si presidenti i 45-të. Dukshëm, paskemi qenë naivë ose kemi pritur tepër prej tij.

Të kalosh gënjeshtrat si “fakte alternative” është një çështje që vërtet duhet të tejkalojë politikat partiake. Nëse Trump dhe administrata e tij do të vazhdojnë të na gënjejnë, si mund t’u besojmë informacioneve që ata do të japin? Si mund të besojmë deklaratat e administratës për çështje të tilla si niveli i papunësisë, rritja ekonomike apo numrit të njerëzve që nënshkruajnë për programe të tilla qeveritare si Obamacare?

Akoma edhe më shqetësuese, si mund të besojmë gjërat që administrata Trump deklaron për çështje të sigurisë kombëtare? Kur zyrtarët e Trump na thonë se ata e dinë kush e kreu një sulm terrorist apo se kanë eleminuar terroristë, si mund t’u besojmë?

Të gjithë amerikanët – sidomos mbështetësit e Trump – duhet të kërkojnë që presidenti dhe administrata e tij të na thonë gjithnjë të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër veç së vërtetës. Nuk duhet toleruar më asnjë fabrikim, ekzagjerim apo gënjeshtra të hapura nga Trump dhe zyrtarët e tij, nga asnjë amerikan pavarësisht anësisë politike. Dhe të gjithë amerikanët, përfshirë median, duhet t’i nxjerrin në dritë gënjeshtrat e Trump dhe të mos pranojnë kurrë terma të tillë si “fakte alternative”.

Çdo gjë më pak se kaq do të na pajisë me një administratë presidenciale që shumë pak amerikanë do i kenë besë. Dhe kjo përfaqëson një rrezik real për të gjithë amerikanët.

*Dean Obeidallah, ish-avokat, është komedian amerikan me prejardhje italo-palestineze. Ai drejton programin e përditshëm radiofonik në “SiriusXM’s” dhe është kolumnist për “The Daily Beast”. Artikulli i mësipërm është botuar në faqen online, të rrjetit televiziv amerikan, CNN.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit