-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Nga Ermir HOXHA: Çfarë çalon tek “Xhamitë e mëdha” në Tiranë e Prishtinë

Më të lexuarat

Përfundimisht, edhe xhamia e madhe e Prishtinës duket se nuk do ketë tjetër fat arkitektonik nga sishoqja e saj në Tiranë. Më dy rrugëtime të ndryshe, por gjithsesi më përafërsi, ato përfunduan në një pikë të përbashkët, si të ishin një fotokopje. Shumë nga ata që kanë patur të tjera pretendime, të tjera kërkesa apo pritshmëri, duhet ta kuptojnë se nuk ka patur asnjë mundësi të ndodhte ndryshe.

Arkitektura dhe urbanistika, si arte, janë mizore në rrezatimin dhe përçimin pikëpërpikë të mendësisë së një populli, komuniteti, apo një elite të caktuar. Nuk janë si artet e tjera që ndodh edhe t’i fshehin të metat apo defiçenat që mund të bartin në mendësi.

Si Tirana ashtu dhe Prishtina, e nisëm sfidën e rëndë të ndërtimin të një xhamie të madhe, duke iu nënshtruar një konkursi. Ai i Tiranës ishte më i bujshëm, pasi u ofruan me projekte 100 studiot më elitare të botës. Dhe kjo ndodh teksa në debatin e sotëm në aulat e arkitekturës botërore, xhamitë zënë pak ose aspak vend. Nuk është fjala për ato historike, pra të së kaluarës së largët, por për të sotmet. Fitoi studio BIG nga Danimarka. Por siç dihet tashmë, konfliktualiteti politik bëri që gjithçka të përmbysej dhe sot Tirana po ka një model osman të huazuar nga Turqia.

Edhe në Prishtinë pati një konkurs projektesh, madje të ofruara dhe në një ekspozitë, por gjithçka u fashit në kohë. Tashmë, dhe kryeqyteti kosovar do ketë një huazim nga historia.

Çfarë ka çaluar në gjithë këtë odise paradoksale, ku pasi është kaluar në projekte, që do të thotë nëpër alternativa të ndryshme me përplot sfida stilistike, që të ftojnë në debat, të japin sadisfaksione intelektuale, botëkuptimore, madje dhe fetare, shkohet drejt një thjeshtëzimi deri dhe fyes, për gjithë atë pjesë komunitare jo-zyrtare, por me shije të holla, grintë kulturore, përgatitje akademike e ambicie të mëdha?

Më mirë se të huazonin modelin osman, vendimmarrësit e dy projekteve, në Tiranë e Prishtinë, duhet të merrnin leksionin osman. Janë dy gjëra të ndyshme që nuk arrijnë t’i kuptojnë. Nëse do kishin huazuar leksionin osman në arkitekturë, nuk do shkonin kurrë tek modeli osman. Çfarë u thotë ky leksion “baballarëve” të xhamive të mëdha në Tiranë e Prishtinë në 2017-ën? U thotë që ju duhet të hyni në garë me kohën, me trendin arkitektonik të kohës, ashtu siç ne hymë në garë me trendin bizantin, duke e sfiduar atë. Në këtë pikë, modeli është i kufizuar në kohë dhe hapësirë, por jo leksioni. Ky fundit vlen për çdo kohë. Cili është trendi i sotëm në Tiranë dhe Prishtinë, por dhe në gjithë hapësirat rajonale deri dhe kontinentale? Janë trende që sigurisht kushtëzohen dhe nga risi inxhinierike, teknologjike dhe estetike në ndërtim. Kushtëzohen gjithashtu dhe nga specifika urbane. Të gjitha këto janë respektuar fije për pe nga osmanët, ndërsa ithtarët e tyre sot nuk arrijnë të kuptojnë se në zgjedhjet e tyre osmane po shkelin mbi parimet arkitektonike të vendosura nga osmanët. Nëse do ngrihej nga varri arkitekt Sinani me shokë, me gjasë do çmeritej nga zgjedhjet e bëra në Tiranë e Prishtinë. Dhe këtu konsiston mbrapshtia kryesore e kësaj pune: merret modeli, në vend që të merret leksioni.

Problemi tjetër ka dhe një peshë fetare. Në parim, çdo gjë që buron nga Islami, çdo detaj, sado i vogël dhe i parandësishëm në dukje, bart një mesazh për të treguar madhështinë e kësaj feje, edhe thellësinë e saj; faktin që është plot me mendim sociologjik, si një ndër treguesit e dimensionit të madh human që e karakterizon.

Dhe në këtë pikë mjafton të merret xhamia si shembull. Ajo, veç funksioneve bazë që ka, të vlefshme për çdo kohë e vend, shprehur me agregate fikse siç janë kupola dhe mineraja, nuk është aspak fikse në forma dhe detaje estetike. Këto luajnë dhe shpërfaqen në një laryshmëri të hatashme sipas vendit e kohës, duke absorbuar shije, tradita e kontekste të caktuara kulturore, shoqërore e sociale, me mbërritjen e një pike harmonie e përputhshmërie aty ku ngrihen. Ndryshe nuk do ndodhte aq natyrshëm sa një njeri, në çdo cep të botës të ndodhet, ndoshta pa dëgjuar ndonjëherë për osmanët, xhamitë e tyre; apo pa njohur ndonjë arab, pa qenë gjithashtu të detyruar të veshin xhelabie apo vënë turban mbi kokë, të pranojnë Islamin e të jetojnë si muslimanë pa më të voglën sforco. Dhe është ky Islami, leksionet e tij, që më pas i japin lehtësinë dhe kënaqësinë ndjekësit të tij që dhe vendfaljen ta këtë të komportuar me indentitetin e tij social. Përpos kësaj, ka një yshtje po me burim islam për të ofruar të renë, të avancuarën, freskinë, suprizuesen, gjithnjë brenda kontekstit social, si një shprehje e avantazheve mentale dhe morale që ka Islami. E gjitha kjo nuk ka asnjë shprehje tek dy modelet e zgjedhura osmane, ndërsa çka u tha një rresht më sipër është një leksion osman me burim islam.

Në Tiranë dhe Prishtina, gjindja privohet të surprizohet nga e reja; mbi të gjitha privohet t’i kumtohen shumë principe islame që ngërthehen dhe tek arkitektura e xhamive. Privohen gjithashtu t’u thuhet se kur merret një vendim me peshë të madhe komunitare, ku kanë vend të gjithë dhe duhen respektuar sentimentet e të gjithëve, qofshin dhe të atyre që nuk janë besimtarë sui generis, Islami dikton debatin, rrahjen e mendimeve, vënien e më të mençurve në krye të punëve dhe një merak të madh deri në vuajtje, që ajo çka do të bëhet të dalë sa më e përsosur.

Përballja me dy xhamitë e mëdha, në Tiranë e Prishtinë, është thjesht një ndjesi momentale e tipit: ato që i kemi parë në Turqi po i shohim dhe këtu! Kaq. Pas kësaj nuk ka asgjë. Ka vetëm një ripërtypje të kënaqësisë pa mendim, mbi minaret e larta dhe kubetë e shumta.

Në një spektër më të gjerë, i jepet një goditje e padrejtë imazhit mbi komunitetet e besimtarëve si njerëz “të ngecur në kohë”, të dënuar për të qenë të vetëmjaftueshëm deri në rëndomësi. Dhe në fakt kështu është, por vetëm sa u përket elitave drejtuese respektive, ngecur brenda një raporti të fortë zyrtar mendimfrenues, të paaftë për t’iu përgjigjur sfidave të tilla me një peshë që shkon tej perceptimeve të kufizuara mbi një “xhami të madhe” ku do falen besimtarët.

Sepse dhe vetë xhamia si vendfjaljeje, është kundërshtuese e këtij perceptimi. Ajo që ndodh brenda një xhamie nuk ka të bëjë me përmasat e xhamisë, por botës, universit; ajo çfarë kumtohet aty nuk ka për qëllim ndërtimin thjesht të një tjetër xhamie; por të njeriut, botës, të ardhmes.

Dhe përgjithësisht, në institucione të mbushura me rrogëtarë, ide të tilla nuk para hyjnë e zenë vend. Është një vetëmjaftueshmëri e dhimbshme që reflektohet më pas dhe te produktet në terren, siç janë dy xhamitë, mu për ngaterresën e madhe ku është marrë modeli dhe jo leksioni otoman. /tesheshi.com/    

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit