Qindra mijëra myslimanë rohinga janë larguar drejt Bangladeshit. Ata po largohen nga Mianmari me shumicë budiste, eksod që Kombet e Bashkuara e quajnë spastrim etnik. Qeveria e Mianmarit i hedh poshtë akuzat dhe thotë se dhuna është vepër e kryengritësve rohinga.
Shumë kritika janë përqendruar edhe ndaj udhëheqëses de fakto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi. Aktivistja e vjetër për demokraci – tani është objektiv i dënimit ndërkombëtar mbi çështjen e popullsisë rohinga.
“A mund ta ndalojë ushtrinë Suu Kyi? Ndoshta jo. Por mendoj se ka veprime që ajo mund të ndërmarrë, nëse do të dëshironte, ” thotë analisti Joshua Kurlantzick.
Madje, edhe nëse është e pafuqishme të ndalojë masakrën, shumë duan që ajo të paktën ta pranojë problemin. Nga ana tjetër, laureatja e Çmimit Nobel për Paqen, e ka minimizuar çështjen, dhe në disa raste e ka portretizuar popullsinë rohinga si kërcënim, thotë aktivisti birmanez për të drejtat e njeriut Maung Zarni.
“Pikërisht për çështjen rohinga, Aung San Suu Kyi dhe ushtria birmaneze po i përmbahen të njëjtit manual.” Disa e shohin atë si shpresa më e mirë për ndryshime demokratike në Mianmar. Por durimi po mbaron. Një grup senatorësh amerikan nga të dy partitë i kërkuan publikisht zonjës Aung San Suu Kyi, siç u shprehen ata që “ të zbatonte fjalët e sajë frymëzuese” dhe trajtojë represionin brutal ndaj popullsisë myslimane rohinga.