Qenka e thënë që një qytet i vogël si Hani i Elezit në Kosovë, të përçojë sa standarte të vlefshme për të gjithë shoqërinë mbarëshqiptare, aty ku njerëzve u janë neveritur qeveritarët e tyre grykësa dhe të paaftë. Pas Rufki Sumës, kreut të komunës së atyshme i afirmuar tashmë si drejtuesi më skrupuloz me zero të dhëna për abuzime apo keqmenaxhime financiare, e po ashtu me një angazhim maksimal në shërbim të komunitetit shoqëruar me sakrificë, thjeshtësi e modesti, vjen dhe rasti i hoxhës së qytetit që ushtron detyrën e administratorit komunal në mënyrë krej vullnetare. Siç Suma është aty me votë jo-partiake, edhe Nusret Shiti është përzgjedhur nga njerëzit për t’i përfaqsuar ata Kuvendin Komunal pa asnjë indikacion politik, por thjesht duke u nisur nga atributet e tij që gëzon në jetën publike si hoxha i qytetit.
Dhe ja si e shpjegon ai këtë përvojë:
Bisedoi: Shkëlzen Rrecaj
Si ndodhi që nga xhamia të kaloni tek qyteti, pra nga hoxhë të jeni dhe administrator publik?
Të them të drejtën për herë të parë kur e pashë që ishte konkurriminë vitin 2013, ku komuna në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Logos” bëjnë zgjedhjen e administratorëve nëpër vendbanime fshatra dhe qytet, vendosa që të konkurroj dhe unë duke un përzgjedhur nga votat e popullit. Eshtë kryekëput një punë me goxha angazhim, por që unë kam zgjedhur ta ushtroj në mënyrë vullnetare, pa pagesë, sepse kështu duhet të nxisim rritjen e shpirtit vullnetar për të kontribuuar në shoqëri. Jetojmë në një shoqëri tregu, ku pra paraja ka një rol primar në mbarëvajtjen e punëve; por në qasjen time, edhe si klerik, kjo nuk mjafton.
Për ca njerëz kjo është e pakuptueshme, e të thonë se “pse merr obligime pasiqë nuk ka kjo punë kompensim?”, por unë them se shpërblimin do e kem tek Zoti, në shumë forma. Pastaj, dua të ceki se ky post është apolitik ashtu siç jam edhe vetë unë. Jam këtu nga vullneti i popullit ku me votat më zgjodhën të jem përfaqsues i tyre në mandatin e parë 2013-2016 dhe tash në mandatin e dytë 4-vjeçar 2016-2020. Dhe kaq më mjafton për të qenë në shërbim të tij. Edhe ky është njëfarë shpërblimi, që pra njerëzit të të vlerësojnë e të kenë besim tek ty për t’i besuar punët e tyre. Ndërsa të qënit dhe hoxhë më ka ndihmuar shumë në këtë punë, pasi tek hoxha përplasen të gjitha hallet e njerëzve. Ndoshta ata që na shohin nga jashtë nuk e dijnë këtë. Kanë ndoshta një tjetër përceptim, por mjafton t’u them se në xhami nuk është një copëz e veçuar e jetës, aty është vetë jeta.
Më saktë, cilat janë kompetencat dhe detyrat tuaja në postin e administratorit?
Detyra jonë është përcjellja e derteve të qytetarëve tek organet kompetente komunale. Pra, jam një pikëtakim mes popullit dhe vendimarrjes. Pra nuk bëhet fjalë për kompetenca të mëdha në konceptin zyrtar të fjalës, pasiqë ne nuk kemi buxhet për realizim projektesh; por që mundemi të bëjmë presion tek organet për ndonjë projekt që është me interes të përgjithshëm dhe t’iu ofrojmë atyre projekte që vijnë si propozime direkt nga terreni. Gjithashtu, ofrojmë tek vendimmarrja, atje pra ku janë buxhetet, edhe raste nevojash emergjente nga populli.
A ndodh t’ju ngatërrohen linjat mes dy pozicioneve, atij fetar e atij menaxherial?
(Qesh) aspak nuk ngatërrohen këto dy linja ngase që të dyja ecin paralel. Madje Islam im më vjen shumë në ndihmë në këtë rast, pasi duke qenë një besim me të tillë konstrukti shpirtëror e material që nga fe e shndërron dhe në jetë, pra është dhe menaxhim, duke filluar nga i jetës personale, familjare, shoqërore etj., kjo më është bërë një ndihmë shtesë në punën time si administrator. Dhe për të qenë i sukseshëm më mjafton një lloj kredoje që vjen nga një thënie e Profetit Muhamed kur thotë: “Udhëheqësi i drejtë është nën mbrojtjen e Zotit!” Pra, mjaft të jem i drejtë me njerëzit dhe më pas suksesi është i garantuar, edhe aty ku vështirësitë janë të mëdha e duken pa rrugëzgjidhje.
Pra e paskeni gjetur të mesmen e artë mes të dyjave dhe si rrijnë tek ju?
Po! Mendoj se e kam gjetur të mesmen e artë mes të qenurit drejtues fetar dhe të qënit administrator publik. Mjaft t’u them se zëri i qytetarëve për mandatin e dytë ishte shumë më i fuqishëm se në mandatin e parë që unë të jem i zgjedhuri i tyre. Pra, janë ata të parët që e kanë dalluar të mesmën e artë tek unë, e që është një ndërrthurje e natyrshme e dy pozicioneve.
Besoj duhet të jetë përgjegjësi e madhe, pasi nëse dikush nuk do jetë i kënaqur nga puna juaj, do ju gjykon si hoxhë, pra në emër të besimit…
E vërtetë! Se shpesh ndodh që kur vijnë ankesat nga ndonjë i pakënaqur, që të gjitha vijnë njëherësh dhe në adresë të hoxhës, pra unë shihem dhe si hoxhë veç administratorit publik, dhe pikërisht kjo më nxit që mos të lë hapësira për mangësi. Unë mundohem vazhdimisht t’ju them se “jam një njeri sikurse ju”, dhe që gjëja më e padashur për mua është që gabimi të adresohet në emër të hoxhës apo besimit. Ngase ne e dimë dhe jemi të bindur se Islami nuk ka mangësi, por ne si muslimanë nuk jemi të pagabueshëm.
Ju ka ndihmuar apo ju ka penguar të qënit hoxhë në komunikim me njerëzit? Po në mbarrëvajtjen e punëve?
Të qënurit hoxhë është avantazhi më i madh për komunikim me njerëz të cilët nuk kanë paragjykime, ngase vetë pozita e hoxhës është e tillë që vazhdimisht është në kontakt me njerëz. Pastaj një hoxhë edhe ka mësuar psikologjinë e të kontaktuarit me njerëz dhe shpesh ndodh që këta të fundit të bisedojnë me mua edhe për çështje deri dhe shumë private e familjare, që ndoshta nuk i di as familja e tij e ngushtë. Por edhe për mbarëvajtjen e punëve nuk më pengon të qenurit hoxhë ngase mundohem gjithnjë në aksion e jo spektator. Kështu na mësoi islami që mos ta themi atë që nuk e veprojmë, ndaj dhe e thëna dhe e bëra tek ne janë koherente.
Çfarë duan njerëzit nga një pushtetar dhe ç’është ajo që i zhgënjen më së shumti prej tyre?
Një fjalë e urtë thotë: “I pari i popullit në fakt është shërbyes i tyre!” Njerëzit nga një pushtetar nuk kërkojnë mrekulli e as magji, por kërkojnë drejtësi dhe afërsi, kuptueshmëri. Ndërsa ajo që i zhgënjen janë korrupsioni, edukata e keqe, luksi pa kufi përballë njerëzve që luftojnë për mbijetesë, mendjemadhësia dhe distancimi në komunikim.
Hani i Elezit ofron prej vitesh dhe modelin e një qeveritari lokal jo si gjithë të tjerët: Rufki Suma. Cila është konsiderata juaj për të?
(Qesh) pyetje pak sa e sikletshme por gjithsesi po përgjigjem ngase po kërkoni konsideratën time ndaj tij. E vlerësoj dhe kam një konsideratë për të, por ka edhe tjerë që i vlerësoj, por meqë është udhëheqës komune po flas. Shpesh e potencoj se po kërkove njeri pa gabime ti je duke kërkuar pejgamber, e të tillë më nuk ka. I fundit ishte Muhamedi. Porse për Rufki Sumën mendoj se është udhëheqësi më i miri i provuar deri më tani. Të kuptohemi, nuk dua të them që s’ka më të mirë, por më i miri i provuar, gjë që këtë e kanë thënë shumë personalitete e në mesin e tyre edhe përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar. Gjëja që më bënë mua të kem këtë konsideratë është modestia dhe afërsia e tij me popullatën, në gëzime e hidhërime. Nuk është i pagabueshëm, gjë që edhe vet e thotë. Dhe kjo është një anët tjetër e personalitetit të tij pozitiv.
Çfarë e bën të sukseshëm një qeveritar? Dhe kur ia bëj këtë pyetje kam parasysh jo suksesin e tij personal në të qëndruarit sa më gjatë në post, por në atë që njerëzit janë të kënaqur prej tij?
Një udhëheqës e bënë të suksesshëm drejtësia, modestia, afërsia me popullin dhe kryerja e nevojave të tyre në bazë mundësive të tij.
Pozita juaj sigurisht që paragjykohet nga njën pjesë e shoqërisë. Dominon koncepti që hoxha i vetëm xhamisë në këtë shoqërinë tonë me shtet dhe institucione laike. Dhe cili është gjykimi e arsyetimi juaj karshi këtij paragjykimi?
Ekziston kjo, por që mendoj se distancat mes hoxhës dhe shtetit duhet shkrihen ngase ky është shteti ynë për të cilin kemi luftuar. E kur flasim nga këndi i hoxhës, institucioni ku unë kam mësuar medreseja “Alaudin”, një shembulli i sakrificës kombëtare në ditët më të vështira për Kosovën, që ka nxjerrë nga gjiri i vet shumë dëshmorë, gjë që shteti duhet ta ketë në konsideratë këtë të dhënë. Çështja se si hoxha është në institucion laik është shumë e thjeshtë: unë aty nuk ua fali namazin por iu shërbej njerëzve dhe interesave të tyre jetësore. Por nëse shteti laik kuptohet si shtet i cili nuk duhet t’iu shërbejë njerëzve dhe popullatës së vet dhe se nuk duhet punuar me drejtësi, atëherë unë do largohem ngase nuk kam vend aty./tesheshi.com/