0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga cilat vise shqiptare vinin 39 kryeministrat shqiptarë të Perandorisë Osmane?

Më të lexuarat

Shqiptarët qeverisën perandorinë osmane si kryeministra, për një periudhë kohore prej vjetësh në 500 vite sa qeverisi kjo perandori. Kryeministrat shqiptarë i dhanë osmanëve Anadollin, Konstandinopojën, Irakun, Jemenin, Egjiptin, Algjerinë, Libinë, Arabinë, Sirinë, Hungarinë, Krimenë, Kretën etj.

Pra, me punën dhe mendjen e shqiptarëve, u ngrit perandoria osmane. Ky është një fakt që pranohet nga vetë turqit dhe historianët që studiojnë këtë periudhë të historisë. Gjatë shekullit të 18-19, nuk ka pasur shumë shqiptarë në rangun e kryeministrit dhe shihet që perandoria pati disfata të tmerrshme që vunë në pikëpyetje ekzistencën e saj. Po të mos ishte për disa shtete perëndimore të cilat donin ta mbanin për kundrapeshë ndaj Rusisë, patjetër që do të kishte rënë.

39 Vezirët/Kryeministrat shqiptarë të Perandorisë osmane dhe prejardhja e tyre nga viset shqiptare të Ballkanit por edhe vendeve tjera ku kishin lindur shpesh harrohen dhe nuk

1 – Gjedik Ahmet Pasha

Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare. Ai ka qenë kryeministër në vitet 1475-1479. Gjatë kohës së qeverisjes së tij me anë të flotës ushtarake, arriti të pushtojë pjesën më të madhe të Krimes, e cila bllokoi rrugën tregtare të Evropës për në lindje. Arriti që të fitojë luftën kundër Venedikut, duke i imponuar një marrëveshje paqeje të favorshme, sipas së cilës Venediku do u kalonte osmanëve të gjitha ishujt e Egjeut, përveç Kretës dhe Korfuzit dhe do i paguante tribute vjetore perandorisë. Në 1478 ushtritë osmane ndërmorën ekspedita plaçkitëse në territoret austriake. Ai nuk pranoi të merrte pjesë në pushtimin e Shkodrës, dhe për këtë u shkarkua nga posti i kryeministrit. Kryeministrat kishin meritën për sukseset ushtarake, sepse ata ishin komandantë të operacioneve ushtarake dhe përgjigjeshin me kokë para sulltanit në rast dështimesh.

2 – Daut Pasha
Sipas Sami Frashërit, është me origjinë shqiptare, i marrë rob nga sulltani kur ishte fëmijë. Në saje të aftësive dhe talentit të tij të lindur, në kohën e sulltanit Mehmed II u bë bejlerbe i Rumelisë dhe Anadollit. Në vitin 1483, në kohën e Sulltan Bajazitit, duke qenë bejlerbe i Anadollit, kaloi në postin e kryeministrit dhe arriti të drejtojë me sukses punët e rëndësishme të shtetit osman. Në vitin 1496, u largua nga detyra, dhe pas dy vitesh vdiq.

3 – Haim Ahmet Pasha
Kryeministër me origjinë shqiptare nga vitet 1496-1514. Gjatë qeverisjes së tij nënshtroi Hercegovinën dhe ndërmori disa ekspedita plaçkitëse në Hungari, Austri, Poloni. Edhe pse ishte vendosur paqja me Venedikun, ai ende mbante disa pika strategjike të cilat lakmoheshin nga osmanët, prandaj vazhduan luftimet, kryesisht në det.

Flota osmane korri një fitore historike në betejën e Leopantos në Korinth, kundër flotës së Venedikut me të cilin ishte bashkuar Hungaria, Franca dhe Spanja, të bekuara nga Papati. Fitorja mbi Venedikun nuk solli ndonjë plaçkë lufte të madhe, por vetëm u futi frikën evropianëve që të mos merreshin me osmanët, dhe nga ana tjetër, nxori superioritetin e flotës osmane kundër flotës perëndimore. Në këtë kohë, e gjithë Azia e vogël u përfshi në shtetin osman. Gjatë qeverisjes së tij filloi një luftë e gjatë me shahun e Iranit, sepse ai kishte pushtuar Irakun, Armeninë, Kurdistanin dhe kërkonte edhe Azinë e Vogël shtëpinë e osmanëve. Kjo luftë mori karakter fetar, sepse iranianët ishin shiit dhe turqit synit. Përfundimisht, Irani u mund në vitin 1514 aq sa Osmanët hynë në territoret e vetë shtetit të Iranit dhe morën një pjesë të madhe të arkës së shtetit. Ai arriti që gjatë qeverisjes së tij të mundte Venedikun fuqinë mesjetare detare, dhe pas kësaj edhe vetë Iranin, i cili kishte më tepër zotërime se sa osmanët. Përfundimisht, Azia e vogël, gjatë qeverisjes, së tij u bë e osmanëve, që do të ishte dhe qendra e kombit turk. Pra, shqiptarët pushtuan edhe territoret historike ku shtrihet sot kombi turk.

4 – Ahmet Pashë Dukagjini
Ka qenë kryeministër për një periudhë të shkurtër kohe nga vitet 1514, deri në vitin 1515 dhe rrjedh nga familja e madhe e Dukagjinëve. Gjatë qeverisjes së Sulltan Selimit, ai ka qenë ushtarak i lartë me titullin gjeneral, dhe më pas ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra, qeveritar i Ballkanit, dhe më vonë u bë kryeministër. Dukagjini, gjatë kohës së qeverisjes së tij si qeveritar i Egjiptit, synoi pavarësinë e këtij vendi nga pushteti i Sulltanit. Ai u rebelua kundër sulltanit, por u mund nga forcat ushtarake, dhe koka e tij e prerë iu dërgua sulltanit në Stamboll.

5 – Ibrahim Pasha

Ishte me origjinë nga Butrinti, por ka studiues që thonë nga Parga e Çamërisë, gjithsesi, ishte shqiptar. Gjatë një ekspedite ushtarake në trojet shqiptare sulltani e mori, dhe e rriti në pallatin e tij së bashku me të birin, Sulejmanin, i cili në 1520, bëhet sulltan, dhe shokun e tij të fëmijërisë e bën kryeministër. Pra, ai u rrit me sulltan Sulejmanin e ndritur që ishte një nga sulltanët më të mëdhenj të perandorisë, ndoshta më i madhi. Ai u edukua dhe mori arsimin e mjaftueshëm për të qenë një ushtarak dhe politikan i zoti. Ka qenë kryeministër nga vitet 1523-1536. Ai u martua me motrën e sulltanit, i cili i bëri një dasëm madhështore. Si u bë kryeministër, drejtoi fushatat për pushtimin e Beogradit dhe Rodosit.

Kështu, në vitin 1526 ai u vu në krye të një ushtrie prej 100.000 vetash, dhe u nis kundër Hungarisë. Në gusht të po atij viti u zhvillua beteja e Mohaçit ku Hungarezët u mundën dhe, pas kësaj, ushtria osmane mori Budën kryeqytetin e vendit. Kjo betjë, në të cilën mori pjesë dhe sulltan Sulejmani, ishte një betejë historike, sepse osmanët pas kësaj erdhën në kufijtë e Evropës qendrore dhe e kërcënonin seriozisht atë. Beteja e Mohaçit ishte një nga betejat më të mëdha që kanë zhvilluar osmanët, por me komandant shqiptar. Po të kihet parasysh që Hungaria bëri një luftë 100-vjeçare, që nga 1444 kur kërkoi ndihmën e Skënderbeut, rëndësia e kësaj fitoreje është historike.

Në vitin 1529 ushtria osmane prej 250.000 ushtarësh, të komanduar nga Ibrahimi, në të cilën merrte pjesë dhe vet sulltani, rrethoi Vjenën. Vjena u bombardua ashpër por nuk u dorëzua. Në dështimin e ushtrisë osmane, në marrjen e Vjenës, ndikoi negativisht i ftohti me të cilin nuk ishte mësuar ushtria osmane, pasi ajo vinte nga një zonë e ngrohtë. Në vitin 1532 ishte kryekomandant i një lufte tjetër me Austrinë por më tepër për territoret hungareze. Në këtë luftë ai i shkaktoi disfatë Austrisë dhe arriti që përfundimisht të kthente Hungarinë në një provincë të perandorisë osmane. Në vitin 1534 arriti të pushtonte Azerbajaxhanin dhe zgjeroi më tej territoret e shtetit osman në lindje. Ibrahimi ka nënshkruar dhe Kapitulacionet me Francën, që shumë studiues i quajnë në disfavor të Turqisë përsa i përket ekonomisë, sepse tregtarët francezë ishin të privilegjuar në perandori, por nga ana tjetër kapitulacionet ishin një marrëveshje me Francën kundër armikut të përbashkët, Austrisë, të cilën donin ta sulmonin njëkohësisht. Kështu, e parë në kuadër të politikës së jashtme nuk ishte aspak një marrëveshje e keqe, sepse bënte aleate një shtet perëndimor. Ai arriti të shtypte me armë të gjitha kryengritjet brenda vendit.

Në vitin 1536 vritet në pallatin e Sulltanit aty ku u rrit, por nuk dihet se kush e vrau dhe për çfarë, megjithëse shumë historianë thonë se u vra për xhelozi, ngaqë kishte arritur të kishte sukses. Nuk besoj të ketë pasur dorë sulltani në vrasjen e tij ashtu siç ndodhte rëndom tek osmanët, sepse ata ishin rritur bashkë që fëmijë, dhe një sulltan i madh si Sulejmani nuk mund të kishte shpirt kaq të vogël. Në histori mbetet një nga vezirët më të mëdhenj të njërit prej sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë osmane. Ai ka meritën se arriti të pushtojë Hungarinë, e cila kishte 100 vjet që sfidonte osmanët, sulmoi Austrinë edhe pse s’e pushtoi me atë veprim tmerroi Evropën, pushtoi Azerbajxhanin, nënshkroi marrëveshje aleance me Francën etj.

6 – Ajaz Mehmet Pasha

Qe kryeministër në vitet 1536-1539 pas vdekjes së Ibrahimit. Ishte nga Vlora dhe kishte lindur në Vuno. Hyri në pallatin e Sulltanit me sistemin e devishermesë, që ishte marrja e fëmijëve të krishterë në moshë të vogël, dhe edukimi për shërbimin në ushtri ku më të mirët mbaheshin për shërbimin në pallatin e sulltanit. Në fillimet e karrierës së tij ka qenë bejlerbej, pra qeveritar i Anadollit dhe i Damaskut. Shtypi kryengritjen e shqiptarit Ahmet Pasha, një funksionar i lartë i shtetit i rebeluar ndaj qeverisë qendrore. Mori pjesë në betejën e Mohaçit dhe të Rodosit krahas shqiptarit tjetër që ishte në atë kohë kryeministër Ibrahm Pashës. Në vitin 1536 u bë kryeministër, detyrë që e mbajti derisa vdiq në 1539. Gjatë qeverisjes së tij ai drejtoi fushatën ushtarake kundër Rumanisë dhe arriti të pushtojë Rumaninë e Mildavinë. Midis lumenjve Dniepër dhe Dniestër u krijua një sanxhak i ri me tokat e pushtuara.

Në vitin 1538 flota osmane mundi në Prevezë flotën e tre fuqive të perëndimit, atë të Karlit të V Habsburg, të Venedikut dhe Papatit. Pas kësaj humbjeje Venediku u detyrua të lëshonte disa qytete në Dalmaci dhe të paguante një tribut vjetor të rëndë në favor të osmanëve. Ai mori pjesë në shtypjen e kryengritjes në vendlindjen e tij, Himarë, pasi ishte kryeministër e ndoshta nuk mund të bënte dot ndryshe se i priste kokën sulltani. Kryeministri Ajaz Ahmet Pasha ka meritën se pushtoi Rumaninë dhe Moldavinë si edhe mundi flotën detare evropiane.

7 – Lutfi Pasha
Qeverisi si kryeministër në vitet 1539-1541. Ishte me origjinë nga Vlora, nga ku osmanët e morën që të vogël. Ai u rrit në pallatin e sulltanit, ku mori të gjithë edukimin e nevojshëm politiko-ushtarak. Historianët e kohës kanë thënë se është “Shqiptar kokëfortë e inatçi, Ai mori pjesë në rrethimin e Vjenës në vitin 1529 së bashku me ushtarakë të lartë shqiptarë, dhe kryeministrin po shqiptar. Ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra i Ballkanit. Ai ka marrë pjesë në betejën e Otrantos kundër italianëve, të cilët edhe u mundën. Pas vdekjes së kryeministrit, shqiptari Ajaz Mehmet Pasha, ai u bë kryeministër. Gjatë qeverisjes së tij, bëri paqe me Venedikun, që ishte tepër e favorshme për osmanët sepse ajo sillte territore, para dhe qetësi. Ai hyri në bisedime për paqe me Austrinë. Në luftë me arabët mori disa territore të Jemenit, dhe arriti të dalë në detin e Kuq. Në vitin 1541 u tërhoq nga detyra me dëshirën e vet, por arsyet nuk dihen. Marrëdhëniet e tij me sulltanin qenë të mira, sepse ai ishte dhëndër te sulltani, pasi ishte martuar me motrën e tij.

8 – Rustem Pasha
Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare, që qeverisi në vitet 1544-1552 dhe për herë të dytë, në vitet 1555-1560 pas vdekjes së Kara Ahmet Pashës, pra ai qeverisi perandorinë për 13 vjet. Ai arriti të fusë në perandori disa vise të Jemenit. Në qeverisjen e tij u pushtua Tripoli në Libi, pasi theu flotën spanjolle, që mbante një pjesë të madhe të Afrikës Veriore. Ai organizoi e drejtoi një luftë të dytë kundër shahut të Iranit në vitin 1548 e cila do të përfundonte me disfatë për Iranin dhe marrëveshjen e paqes do e nënshkruante një shqiptar tjetër, Kara Ahmet Pasha.

9 – Kara Ahmet Pasha

Atë e morën të vogël nga trojet shqiptare dhe e rritën në pallatin e sulltanit, ku mori dhe edukimin e nevojshëm për të qenë një qeveritar dhe ushtarak i zoti. Sulltani i dha të motrën për grua, ashtu siç bënin shpesh sulltanët me figura të mëdha e të forta të shtetit. Gjatë karrierës së tij ka qenë bejlerbej i Rumelisë, me këtë emër quheshin zotrimet osmane në Ballkan. Në 1526 mori pjesë në betejën e Mohaçit kundër Hungarisë. Gjatë kohës që ishte kryeministër, në vitet 1553-1555, u ngarkua të merrej vesh me shahun e Iranit dhe nënshkroi me të një marrëveshje paqeje, sipas së cilës Iraku mbeti nën sundimin osman, Gruzia dhe Armenia u ndanë më dysh, ndërsa Azerbajxhani kaloi nën sundimin e shahut të Iranit. Marrëveshja e paqes ishte e favorshme se perandoria doli në gjirin Persik, pra ishte një tjetër shqiptar pas atij që e nxori perandorinë në detin e Kuq, që i dha gjirin Persik shtetit osman. Me flotën osmane u kryen edhe disa pushtime në Afrikën Veriore. Në 1555 i prenë kokën, edhe pse qe dhëndërr i sulltanit, arsyet se përse nuk dihen.Megjithëse qeverisi për një kohë të shkurtër ai arriti që t’i japë perandorisë gjirin Persik dhe një pjesë të Afrikës Veriore.

10 – Semiz Ahmet Pasha

Ishte kryeministër me origjinë shqiptare gjatë viteve 1579-1580 pra, për një kohë të shkurtër, ku nuk janë shënuar shumë ngjarje të rëndësishme. Përpara se të bëhej kryeministër ishte bejlerbe i Rumelisë. Ai mori për grua të bijën e ish-kryeministrit Rustem Pasha.

11 – Koxha Sinan Pasha (1506-1596)

Ka qenë kryeministër i perandorisë 5 herë në vitet 1580-1582; 1584-1585; 1589-1591; në 1593; 1595-1596. Ka lindur në Topjanë të Lumës, pra ishte shqiptar dhe u rrit në pallatin e sulltanit. Gjatë karierës së tij ka shërbyer si qeveritar në Tripoli të Libisë dhe në Damask të Sirisë. Ai ka meritën që nënshtroi përfundimisht Jemenin të cilin pjesërisht e kishin nënshkruar dy shqiptarë të tjerë. Me pushtimin e Jemenit perandoria doli në detin Arabik.Në vitin 1580 drejto vetë fushatën ushtarake kundër Persisë dhe Hungarisë, edhe pse ishte në moshë të thyer. Ai mori pjesë edhe në një luftë tjetër kundër Austrisë, e cila përfundoi me marrëveshje paqeje, por pas vdekjes së tij. Vendlindjes së tij, Lumës, i lehtësoi taksat dhe detyrimet, gjithashtu ngriti në Kaçanik një kështjellë dhe një xhami.

12 – Ferad Pasha

Edhe ai si kryeministrat e tjerë shqiptarë u rrit në pallatin e sulltanit ku mori edukimin e nevojshëm. Gjatë karrierës së tij qeverisi Rumelinë, si bejlerbe. Qe kryeministër gjatë viteve 1591-1592 dhe në vitin 1595. Ka marrë pjesë në luftë kundër Austrisë e cila në këtë kohë zgjati disa vjet. Ai drejtoi luftën kundër Vllahisë, pas së cilës u pushua nga puna dhe u vra nga rivalët e tij po shqiptarë.

13 – Merre Husein Pasha

Ishte me origjinë shqiptare. Ka nisur karrierën si kuzhinier, dhe më vonë shërbeu si vali në Misir. Shërbeu si kryeministër në vitet 1601-1602, pra për një kohë të shkurtër. Ai quhej Merre, sepse për kundërshtarët e tij përdorte fjalën shqip merre, zhduke, kështu që i mbeti ky emër.

14 – Jemishxhi Hasan Pasha

Sipas Sami Frashërit është me origjinë shqiptare. (Sami Frashëri… f.komp.45).Ka ngjitur shkallët e karrierës ushtarake dhe qeveritare në sajë të aftësive të tij. Në vitin 1602-1603, ishte kryeministër i perandorisë.

15 – Kujxhu Murat Pasha
Ka qenë me origjinë shqiptare. Ishte kryeministër gjatë viteve 1606-1611, pra për rreth 5 vjet. Gjatë qeverisjes së tij u nënshkrua amrrëveshja e paqes me Austrinë, me të cilën perandoria kishte disa vite që kishte rifilluar luftën. Në 1606 me Austrinë u nënshkrua një traktat paqeje 10 vjeçare, sipas së cilës, të dyja palët nuk patën përfitime territoriale. Austria i dha perandorisë një tribut vjetor prej 200 000 dukatësh ari dhe nga ana tjetër, osmanët njohën sundimtarin e Vjenës si perandor. Këto kushte nuk ishin të favorshme për osmanët, por shteti u detyrua, pasi në vend kishte plasur një kryengritje e madhe dhe nuk kishte se si të luftohej jashtë kur kishte probleme e anarki brenda vendit. Ai arriti që të shtypte kryengritjen e madhe brenda vendit, të quajtur si kryengritja Xhelaliane. Kështu në një betejë në vitin 1608, kur kryeministri ishte 90 vjeç, arriti të shkatërrojë ushtrinë kryengritëse dhe të asgjësojë pjesën më të madhe të sajr.

16 – Nasuh Pasha

Ishte shqiptar dhe qeverisi si kryeministër në vitet 1611-1614 vite gjatë të cilave mbretëroi një gjendje paqeje pa luftra të mëdha. Para se të bëhej kryeministër ka punuar si qeveritar i Halepit dhe i Bagdadit.

17 – Ohril Hysein Pasha

Ai lindi në zonën e Pogradecit, dhe vdiq në vitin 1622. U rrit në pallatin e sulltanit dhe më pas u bë komandant i jeniçerëve, dhe qeveritar i Rumelisë. Mori gradën vezir dhe shërbeu si kryeministër gjatë vitit 1621.

18 – Hasan Pasha
Ai ishte me origjinë shqiptare. U mor i vogël dhe u edukua në oborrin e sulltanit. Në fillim ka qenë bejlerbej i Rumelisë, pastaj vezir i gradës së ulët deri sa u bë vezir i madh ose kryeministër në vitin 1624.

19 – Taban Mehmet Pasha
Ishte kryeministër me origjinë shqiptare i perandorisë në vitet 1631-1637, pra për 5 vjet. Vite që nuk patën ngjarje të mëdha. Pas detyrës u burgos dhe u ekzekutua, sepse kështu bënin shpesh sulltanët.

20 – Mustafa Pashë Kamekeshi

Lindi në Vlorë, dhe hyri në ushtrinë osmane me anë të sistemit të devishermes. Kushti i parë që të bëje karrierë në perandorinë osmane ishte që të bëheshe mysliman, kështu, duke qenë se shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, por përkundrazi, janë tepër tolerantë për fenë e tjetrit, nuk e patën problem të ndërrojnë fenë. Në fillim hyri në radhët e ushtrisë së jeniçerëve, dhe arriti deri në postin e komandantit të flotës ushtarake osmane. U dallua si kryekomandant në rrethimin e Irakut ku merrte pjesë dhe vetë Sulltan Murati IV, për suksesin e së cilës mori dhe titullin vezir i madh që ishte titulli më i lartë në hierarkinë e qeverisjes, dhe qeverisi vendin në vitet 1637-1644. Ai nuk ishte vetëm ushtarak i zoti, por edhe financier i zoti, sepse arriti të kryejë me sukses një reformë financiare me anë të së cilës nxori buxhetin e shtetit nga kriza. E vrau sulltani sepse ky donte të ndërmerrte një reformë administrative që nuk i pëlqeu, pasi binte ndesh me interesat e tij.

21 – Xhixhan Mehmet Pasha
Me origjinë shqiptare nga i ati, ndërsa nga e ëma nga familja e sulltanit. Ai u rrit dhe u edukua në oborrin e sulltanit, dhe qeverisi në vitet 1644-1645. Karrierën e nisi si vali i Egjiptit, dhe më vonë i Damaskut. Gjatë kohës së qeverisjes së tij mori Kretën, të cilën e mbante ende Venediku. Marrja e Kretës ishte një fitore për perandorinë, sepse ajo kishte një pozitë gjeografike të mirë, dhe nga ana tjetër dëbohej përfundimisht Venediku nga Egjeu dhe Mesdheu lindor.

22 – Kara Mustafa Pasha
Me origjinë shqiptare, i lindur në Shqipëri. Ai shkoi në Stamboll si jeniçer dhe arriti të bëhej komandant i ushtrisë së jeniçerëve. Ka qenë dy herë kryeministër në vitet 1649-1650 dhe 1655. Gjatë detyrës si ministër i marinës, mundi flotën Venedikase.

23 – Tarhanxhu Mustafa Pasha
Ishte me origjinë nga Mati dhe qeverisi vendin në vitet 1652-1653. Karrierën e nisi si qeveritar i Egjiptit, dhe më vonë i Selanikut. Ishte kryeministër i parë që në kushtet e ndalimit të fushatave dhe plaçkitjeve arriti të bëjë buxhetin e shtetit për të menaxhuar më mirë të ardhurat dhe shpenzimet. Ai ra viktimë e zgjuarsisë së vet, sepse askujt nuk i interesonte buxheti i shtetit, se të gjithë kërkonin të hanin sa të mundeshin, pra fenomeni i korrupsionit është aq i vjetër sa dhe profesioni më i vjetër në botë. Për të thuhej se ishte i pakorruptueshëm, dhe bënte detyrën si duhej, kështu që natyrisht s’do ta kishte të gjatë. Xhelozitë e kundërshtarëve bënë që ai të pushohej nga puna dhe të ekzekutohej.

24 – Qypyrli Mehmet Pasha
Ishte shqiptar nga Berati, lindur në një familje të varfër dhe kishte punuar si kuzhinier i sulltanit. Ai nuk kishte arsim, madje, ishte analfabet, nuk dinte të shkruante dhe të lexonte. Por edhe pse i pashkolluar, kishte cilësi të tjera që e bënë kryeministër të perandorisë në vitin 1656-1661, në moshën 75-vjeçare. Para se të bëhej kryeministër, kishte punuar si qeveritar i Damaskut, Jerusalemit dhe Tripolit. Ai e mori pushtetin duke i vendosur disa kushte sulltanit si; të zgjidhte vetë ndihmësit e bashkëpunëtorët e tij në qeverisje dhe të ishte i lirë në qeverisjen e vendit, gjë që s’e kishte bërë asnjë kryeministër deri në atë kohë. Vendi ishte futur në krizë, dhe ai arriti të balancojë buxhetin e shtetit duke vënë dorë në arkën e vakëfeve dhe të sulltanit. Forcoi disiplinën në ushtri e cila kishte filluar të çartej dhe të humbiste betejat, rriti efikasitetin e flotës ushtarake. Gjatë qeverisjes së tij mundi Venedikun, dhe drejtoi fushatën ushtarake në Poloni. Vendosi qetësinë në vend duke vrarë me mijëra vetë që nuk i bindeshin dhe midis tyre partirarkun ortodoks të Stambollit.

25 – Fazlli Ahmet Pasha Qypyrliu

Pas vdekjes së Mehmetit vendin e tij e zuri i biri Fazlliu, që qeverisi për një kohë prej 15 vjetësh nga 1661-1676. U edukua në Stamboll dhe ishte më pak i ashpër se sa i ati. Karrierën e filloi si vali i Damaskut dhe pastaj si kryeministër në një moshë të re 26-vjeçare. Në politikën e jashtme u mor me Austrinë, të cilën gjeneralët shqiptarë nuk e kishin thyer dot. Ai pushtoi kështjellat rreth Vjenës, dhe po përgatitej të pushtonte dhe vetë kryeqytetin Austriak, gjë që tmerroi Evropën. Me gjithë përpjekjet e mëdha nuk arriti të pushtojë Vjenën. Gjatë qeverisjes së tij pushtoi tërësisht Kretën, pasi shqiptari që e pushtoi për herë të parë kishte lënë disa kështjella pa pushtuar dhe në vitin 1666 ripushtoi Jemenin i cili ishte pushtuar më parë nga 2 kryeministra shqiptarë, por që nga 1635 ishte shkëputur nga perandoria.Vdiq në moshën 46-vjeçare, në vitin 1676 nga një sëmundje e pashërueshme.

26 – Fazlli Mustafa Pashë Qypyrliu

Ishte djalë i dytë i Mehmet Qypyrliut dhe ngjiti shkallët e karrierës shumë shpejt me ndihmën e të afërmve, por dhe me meritat e veta.

Në vitin 1690-1691 u emërua kryeministër në një kohë kur Austria, gjatë mungesës së shqiptarëve, në qeverisje, nga 1676 deri në 1690, pra për 14 vjet kishte mundur ushtrinë osmane në vitin 1683 dhe kishte marrë territore të mëdha në Ballkan. Në krye të një ushtrie mundi austriakët dhe rimori territoret në Danub, Nishin dhe Beogradin. Ai trajtoi shumë mirë të krishterët dhe popullsinë jomyslimane të perandorisë, ashtu siç kanë bërë historikisht shqiptarët.r

27 – Ali Pashë Arabxhiu
Lindi në Ohër. Hyri në ushtri si jeniçer dhe përfundoi si komandant i jeniçerëve. Më vonë u bë komandant i rojeve në oborrin e sulltanit. Në vitin 1691 bëhet kryeministër deri në 1692. Sulltani nuk miratoi disa veprimtari politike të tij në drejtimin e shtetit, dhe për këtë arsye e ekzekutoi.

28 – Hysen Qypyrliu
Me origjinë nga familja e madhe e Qypyrlinjëve, kushëri i parë me bijtë e Mehmet Qypyrliut. Në fillim qe ministër i marinës, dhe pas mbrojtjes së Beogradit kundër austriakëve, u bë kryeministër në vitet 1697-1702.

29 – Dalltaban Mustafa Pasha

Ishte shqiptar i lindur në Manastir, i cili ngjiti shkallët e karrierës në sajë të aftësive të tij politiko-ushtarake. Nga jeniçer në komandant të jeniçerëve. Ai qeverisi në disa vilajete si në Bagdad, Bosnjë dhe Anadoll. Qeverisi vendin si kryeministër në vitet 1702-1703.

30 – Numan Pashë Qypyrliu
Me origjinë nga familja e qypyrlinjëve, ishte nipi i Mehmet Qypyrliut, dhe qeverisi shtetin në vitin 1710. Para se të bëhej kryeministër në vitin 1708 u martua me të bijën e sulltanit.

31 – Haxhi Halil Pashë Shqiptari

Ishte nga Elbasani. Ai ngjiti shkallët e karrierës me mundim dhe punën e vet, duke kryer disa detyra si komandant ushtarak e qeveritar, deri sa në vitin 1716 u bë kryeministër.

32 – Ivaz Zade Halil Pasha u bë kryeministër në vitin 1770.

33 – Almedar Bajraktar Mustafa Pasha

Ishte shqiptar dhe mori detyrën e kryeministrit pasi hipi në fron sulltan Mahmut Hani II. Ka qenë një ushtarak dhe tregtar i zoti. Ka marrë pjesë në ekspeditën ushtarake kundër Rusisë. Ai ndihmoi Selimin III që të reformonte ushtrinë e pabindur të jeniçerëve dhe u bë kryeministër nga sulltan Mahmuti II.

34 – Memish Pasha i zgjuar ishte kryeministër në vitet 1808-1809.

35 – Gjirtili Mustafa Nail Pasha

Ishte me origjinë nga Kosturi, që sot grekët e quajnë Kastoria, dhe u bë kryeministër 3 herë me ndërprerje në 1853, 1854, 1857. Përpara se të bëhëj kryeministër ai qeverisi Kretën për disa vjet duke vendosur paqen dhe qetësinë atje. Ai qe ministër disa herë, derisa u bë kryeministër i perandorisë.

36 – Mehmet Ferit Pashë Vlora
Ishte kryeministër në vitet 1902-1908 dhe ka lindur në Janinë, pasi la postin e kryeministrit u bë kryetar senati dhe ministër i brendshëm.

37 – Mirsili Said Halim Pasha
Ishte nipi i Mehmetit të Kavallës. Ai u bë senator dhe më pas kryetar i Senatit në 1912, ministër i brendshëm, dhe kryeministër në vitet 1913-1917.

38 – Ahmet Izet Pasha
Me origjinë nga Manastiri, qe kryeministër në vitin 1918.

39 – Demat Ferit Pasha
Ishte kryeministri i fundit i perandorisë osmane në 1919-1920. / Albeu.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit