2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: Ramazani, ikje nga materialja, strehim te shpirtërorja

Më të lexuarat

Kur “Rruga e Kavajës” të gumëzhisë në orët e vona, kur në krye të saj të derdhen në mesnatë njerëz, makina, motoçikleta e biçikleta, atëherë për muslimanët ka ardhur momenti kulmor i vitit: Ramazani!

Lumë njerëzish… Burra, gra, të rinj, të reja, fëmijë në këmbë, në karrocë apo në krahë prindërish, me shami apo pa shami, me mjekër apo pa mjekër, kanë një vendmbërritje: xhaminë!

E premte, 26 maj! Ka nisur falja e teravive… Njerëzia ka lënë pas gjithçka, prehjen në atë orë të vonë të mbrëmjes, të zakonshmin rit të uljes para ekranit lëbyrës të aparatit televiziv, kompjuterit apo telefonit, ka hequr dorë nga lundrimi në një realitet të rremë për të nisur vozitjen në realitetin shpirtëror, ku ngërthimi është absolut.

Nga rendja pas së përditshmes materiale te dorëzimi i plotë para Krijuesit!

Një dorëzim sa logjik e i natyrshëm për të mbërriturit në xhami, po aq irracional për kureshtarët me kokën mbështetur në xhama autobusësh, apo në shëtitjen rutinë të vetes a qenit bashkëshoqërues…

Një dorëzim sa përmbushës për ata që vënë kokën në sexhde njëherësh, aty, faqe gjindjes, po aq zilindjellës për ngurruesit që druhen ta hedhin këmbën në shtëpinë e Zotit, por që thellë-thellë do të donin të ishin mes atyre brenda saj.

Ç’kushtetutë a ç’ligj i kësaj bote të marrë materialiste, që e mbërthen hera-herës dhe të vetëdijshmin për Zotin e për të përtejmen, mund t’i detyrojë këta njerëz të mblidhen e të radhiten pa fjalë brenda xhamisë në këtë orë të vonë të natës për të adhuruar të Plotfuqishmin?

Ç’mekanizëm frenues e kufizues i shtetit të sotëm mund t’i bëjë ata të qëndrojnë për rreth 17 orë pa ngrënë e pa pirë në të nxehtin përvëlues?

Ç’mund t’i shtrëngojë nga kjo botë e zhytur në zvetënim që t’i ikin pikërisht zvetënimit, të padenjës, amorales e imorales?

Të tëra këto pyetje kanë vetëm një përgjigje: përshpirtshmëria!

Ramazani është sfidë ndaj kohës që jetojmë, është sprova me vullnetin tonë, është zgjedhja jonë!

Ky muaj është arrati nga marrëzia kolektive e të menduarit dhe të vepruarit vetëm për tokësoren, për t’u prehur në përsiatjen e lutjen për qielloren…

Përmes tij identifikohesh, i jep fund dilemës.

Cilës dilemë?

Më të thjeshtës, më thelbësores, më kontrastueses, më përcaktueses, më simbolizueses, asaj që ta ofron aq thukshëm “Rruga e Kavajës”: në qenia jote, me të mirat e të këqijat e saj, i përket xhamisë, apo, ndryshe, qebaptores përbri saj?

Xhamia dhe qebaptorja krah më krah! Ta hedhësh këmbën te e para, apo te e dyta?

Mund të duket thjeshtëzuese, e përciptë, por kjo është sfida e njeriut të sotëm: të përpiqet për të qenë i dëlirë, apo i lyrët, në këtë pranëvënie kaq të çuditshme të kësaj epoke gati apokaliptike?

“Ramazani është muaji kur zbriti Kur’ani, si një udhërrëfyes për njerëzit…” (Kur’an, 2:185) /tesheshi.com/    

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit