2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Nga Ahmet DAVUTOĞLU: Nga Obama te Trump-i: mësime dhe sfida

Më të lexuarat

Ahmet Davutoğlu, ish-kryeministri turk, shkruan mbi trashëgiminë e politikës së jashtme të Obama-s dhe sfidat përpara për Trump-in.

Ka pak politikanë perëndimore zgjedhja e të cilëve zgjoi as shumë emocion dhe shpresë si në Perëndim dhe në Lindje, në veri dhe jug, sa ajo e Barack Obama-s. Por ka po ashtu pak politikanë që kanë shkaktuar aq shumë tronditje dhe zhgënjim në mbarë botën sa Obama. Prandaj trashëgimia e tij do të jetë sigurisht e debatueshme.

Pas dy luftërave katastrofike të Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan dhe strategjisë së konceptuar keq mbi “luftën kundër terrorit”, zgjedhja e Obama-s simbolizoi shpresën dhe një fillim të ri drejt rikalibrimit të politikës së jashtme të SHBA-së dhe rimendimit të pozicionit të saj në botë. Kjo qe veçanërisht e rëndësishme në rehabilitimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Lindjen e Mesme dhe me botën islame në përgjithësi.

Në këtë mënyrë, fjalimet elokuente dhe të zjarrta të Obama-s në Turqi dhe Egjipt qenë parë si ardhja e një epoke të re midis dy palëve. Theksi i tij në demokracinë, në të drejtat njerëzore, në pluralizmin, në qeverisjen e mirë dhe në zhvillimin ekonomik ishte veçanërisht spikatës dhe frymëzues, duke patur parasysh prirjen e mëhershme të SHBA-së për të sponsorizuar regjime autoritare në rajon, pa thuajse asnjë kujdesje për ndonjë nga këto vlera. Në çdo vështrim, ishin krijuar mirë kushtet për një fillim të ri në marrëdhëniet rajonale, që do të konsolidoheshin nga vlerat e përbashkëta të demokracisë, të drejtave njerëzore dhe të progresit ekonomik, si dhe të hedhjes poshtë të shumëpritur të tezës së stabilitetit autoritar.

Vëzhgimi apo analiza e politikave të jashtme dhe, në veçanti, rajonale të Obama-s është për mua më shumë se një çështje kurioziteti analitik ose politik. Eshtë gjithashtu shumë personale. Unë u bëra ministër i Jashtëm i Turqisë shpejt pasi Obama mori detyrën: më 1 maj 2009, për të qenë të saktë. Tre faktorë, në veçanti, më bënë të kem shpresa të mëdha për presidencën e tij dhe të ndihem optimist mbi perspektivat e ardhshme të politikës së tij të ardhshme.

“Kuturia e shpresës”

Së pari, zgjedhja e një presidenti me ngjyrë ishte në vetvete një lajm i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe për botën në tërësi; një mendim që e shpreha së pari në prill të 2002-shit, gjatë një konference në Universitetin e Prinstonit, shumë përpara se të dilte në dritë perspektiva e presidencës së Obama-s. Një zgjedhje e tillë, besoja, do të reflektonte natyrën përfshirëse të politikës së SHBA-së dhe të identitetit amerikan. Lindja dhe përqafimi i këtyre vlerave në politikën e SHBA-së dhe nxitja e tyre përmes politikës së jashtme amerikane do të kishte qenë një prej burimeve më të fuqishme të mbështetjes për diversitetin dhe inkluzivitetin në mbarë botën. Ndërsa kufijtë midis politikave të brendshme dhe të jashtme janë bërë edhe më jodomethënëse, përhapja politike e një zhvillimi të tillë të politikës së brendshme thelbësisht amerikane do të inkurajonte ndryshim pozitiv anembanë globit.

Së dyti, ne prisnim që intervencionizmi dhe unilateralizmi militant i administratës Bush do të ndiqej nga një multilateralizëm i ri. Duke shfrytëzuar retrospektivën, ne parashikuam një multilateralizëm të përgjegjshëm dhe konsekuencial, që nuk do të kishte rrëshqitur në diplomaci pasive dhe politika inkonsekuenciale angazhimi aq lehtësisht sa ç’bëri.

Së treti, siç u tha më sipër, ne pritëm që ky theks i tij në të drejtat njerëzore dhe demokracinë do të shkonte përtej retorikës dhe do të formonte një pjesë të pandarë të politikës së jashtme të SHBA-së, veçanërisht drejt rajonit MENA (Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut; shën. i përkthyesit). Kjo nuk ishte dhe nuk është thjesht një pritshmëri normative apo idealiste: unë besoj se një politikë e tillë rajonale do të kishte sjellë në të njëjtën kohë rezultate më pozitive për interesat amerikane në rajon. Një politikë e tillë, në fakt, do ta kishte zgjeruar elektoratin social dhe politik për politikën e jashtme amerikane në rajon, që, në formën e tanishme, është i kufizuar me trekëndëshin e elitave ekonomike, të sigurisë dhe politikës së jashtme, legjitimiteti i të cilave, dhe, që këtej, pikërisht mbijetesa e tyre, është tani në rrezik.

Pritshmëri të papërmbushura

Kështu, sipas pikëpamjes sime, zgjedhja e Obama-s nga populli amerikan në vitin 2008 ishte në pajtim me zeitgeist-in (frymën e kohës), dhe unë besoja se politika e tij e jashtme do të reflektonte gjithashtu vlerat dhe aspiratat e bashkëshoqëruara me të.

Këto pritshmëri kanë mbetur të papërmbushura. Dështimi, zhgënjimi dhe tronditja e kanë karakterizuar politikën e tij të jashtme më shumë se suksesi apo shpresa “e kuturisur”. SHBA-ja i ka tëhuajtur aleatët e vet tradicionalë dhe i ka trimëruar kundërshtarët e saj. Mbrojtja e demokracive dhe inkurajimi i pluralizmit, dinjitetit njerëzor dhe mirësjelljes, kanë mbetur të bëra e shumta me gjysmë zemre.

Për të qenë të ndershëm, Obama filloi në rrugën e duhur, por kurrë nuk e ndoqi atë gjatë gjithë mandatit të tij. Ai i formuloi me shumicë deklaratat e duhura, por kurrë nuk i bashkëshoqëroi ato me veprimet e duhura. Ai projektoi një vizion të mirë, por nuk e mbështeti këtë me vepra që të kishin patur pasoja. Shkurt, ka patur një hendek të dukshëm midis retorikës dhe vënies në zbatim.

Ndonëse mund të jetë një veçori vetjake e lavdërueshme, elokuenca nuk është zëvendësuese e vizionit politik, kurajës dhe politikave të përgjegjshme. Veç kësaj, ne nuk ishim kurrë në gjendje fatkeqësisht ta kthenim dialogun tonë personal mirëfunksionues me administratën e Obama-s në përparim politik në çështje dhe tema me shqetësim dhe interes të përbashkët.

Për ta thënë më saktë, Turqia ndërmjetësoi katër raunde të tërthorta bisedimesh paqeje mes Izraelit dhe Sirisë për ta zgjidhur këtë konflikt midis 2007-s dhe fundit të 2008-s. Bisedimet, të ndërmjetësuara nga një ekip i udhëhequr nga unë, përparuan dalëngadalë në pikën që, nga fundi i 2008-s, shumë prisnin që dy vendet të nënshkruanin një marrëveshje kornizë për një pakt paqeje. Por pushtimi izraelit i Gazës në fund të vitit 2008 e nxori nga shinat procesin. Ne natyrisht u ndjemë të tradhtuar nga fakti se Izraeli kishte zgjedhur edhe njëherë luftën pikërisht në momentin që perspektiva e një marrëveshje paqeje me Sirinë qe bërë e arritshme, e se ata nuk na njoftuan ne mbi synimin e tyre për të shkuar në luftë, pavarësisht faktit se kryeministri i asokohe i Izraelit, Ehud Olmert, kishte një bisedim të gjatë përgjatë darkës në Turqi me kryeministrin tonë të atëhershëm Recep Tayyip Erdoğan vetëm pak ditë para pushtimit. Koha e kësaj nxjerrje nga shinat përkoi me fillimin e presidencës së Obama-s. Një traktat paqeje midis Izraelit dhe Sirisë do të kishte patur një ndikim dramatik transformues në skenën politike rajonale. Ai mbase do të kishte krijuar kushtet për një fillim të ri në marrëdhëniet midis vendeve të Levantit, e më vonë të rajonit në tërësi. Megjithatë, për tronditjen tonë, administrata e Obama-s zgjodhi të mos investojë asnjë energji apo përpjekje në përtëritjen e kësaj iniciative.

Kalim i shpejtë në 2011-n: Administrata e Obama-s ka adoptuar qëndrimin e duhur diskursiv mbi Sirinë. Ajo e deklaroi regjimin e Assad-it si të paligjshëm në gusht të 2011-s, shumë përpara se Turqia të bënte të njëjtën gjë. Në fakt, më 9 gusht 2011, unë pata një bisedë gjashtorëshe me vetë Assad-in. Ne u pajtuam për një kornizë 14-pikëshe për një tranzicion paqësor, e për një periudhë kohore dyjavore për të që ta deklarojë këtë kornizë pas përgatitjeve të nevojshme. Ne e informuam palën amerikane mbi marrëveshjen. Por administrata amerikane nxitoi që ta deklaronte të paligjshëm regjimin e Assad-it, gjë të cilën e bëri vetëm një javë pasi ne u pajtuam mbi marrëveshjen kornizë. E tepërt të thuhet se gjatë së njëjtës periudhë regjimi i Assad-it po ashtu i shkeli disa herë kushtet e kësaj marrëveshjeje kornizë. Pas kësaj, ne po ashtu i shkëputëm të gjitha kontaktet me regjimin.

Ngjashëm me këtë, administrata e Obama-s e dënoi me të drejtë brutalitetin e regjimit të Assad-it, bëri thirrje për një ndryshim regjimi, dhe e shpalli përdorimin e armëve kimike si vijat e kuqe që do të nxisnin një kundërpërgjigje ushtarake dhe do të çonin në pasoja të rënda për regjimin e Assad-it. Të gjitha këto vija të kuqe dhe qëndrime të deklaruara publikisht janë shkelur që atëherë nga regjimi i Assad-it me pak a shumë pandëshkueshmëri, jo së paku me përdorimin e armëve kimike në gusht të 2013-s.

Në një kontekst më dypalësh, edhe pse administrata e Obama-s e shpalli herët si të paligjshëm regjimin e Assad-it dhe e akuzoi me të drejtë atë për kryerje krimesh të rënda, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit, e njëjta administratë u tregua të jetë e ftohtë karshi vështirësive, sfidave dhe kërcënimeve me të cilat ishte përballur Turqia si një fqinj me një vend të rrënuar nga lufta, të qeverisur formalisht nga një regjim i paligjshëm. Turqia është përballur me një mizëri vështirësish dhe kërcënimesh, nga rrëkeja e miliona refugjatëve në vend te ISIL-i (Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, i njohur gjithashtu si ISIS-i) i nxitur nga Siria dhe te terrorizmi i PKK-së. Me fjalë të tjera, ky regjim i paligjshëm ishte burimi i këtyre sfidave dhe kërcënimeve për Turqinë, por administrata e Obama-s nuk ishte e gatshme ta njihte atë si të tillë dhe të vepronte në përputhje me këtë. Në të kundërt, në fund të ditës, administrata e Obama-s e lejoi brutalitetin e Assad-it të vazhdojë, duke mbështetur ndërkaq në terren armiqtë e Turqisë, “aleatit të tij”.

2013: rrjedhoja rajonale dhe globale

Për më tepër, ashtu si deklaratat e Kajros të Obama-s ishin të lavdërueshme, të përparuara dhe inkurajuese, qëndrimi i tij mbi puçin ushtarak kundër të parit president të zgjedhur në vendin më të populluar në botën arabe qe demoralizues, shkurajues. Militarizimi i revoltës siriane, puçi në Egjipt dhe lindja e ISIL-it kanë qenë tre faktorë që u kanë ndryshuar drejtimin lëvizjeve për demokraci dhe dinjitet njerëzor në botën arabe. Në këtë pikëpamje, 2013-ta ishte një vit kyç. Reagimet ekuivoke të Obama-s ndaj shkeljes së vijave të tij të kuqe në Siri dhe puçit në Egjipt u dhanë zemër diktatorëve të kryejnë mizori të mëtejshme për të ruajtur pushtetin, u bënë vend narrativave të ekstremistëve, dhe minuan kauzën e demokracisë dhe të dinjitetit njerëzor. Për ta kuptuar ekspansionin eksponencial të ISIL-it nga 2014-ta e këtej, kërkohet një perceptim më i mirë i asaj që ngjau në 2013-n.

Por historia nuk përfundon këtu: dështimi i SHBA-së në 2013-n dërgoi gjithashtu sinjale për kundërshtarët dhe rivalët e Shteteve të Bashkuara se mund të mbështeteshin te mosveprimi amerikan. Ngjan që Rusia ta ketë patur fort për zemër këtë mesazh. Në mënyrë të argumentueshme, Rusia nuk do të kishte qenë aq pioniere dhe sfiduese në Krime dhe Ukrainë në 2014-n dhe më vonë në Siri, nga 2015-ta e këtej, sikur administrata e Obama-s të kishte qenë në gjendje ta kthente në vepra ligjërimin e saj. Thënë ndryshe, aktivizmi rus nga Ukraina në Siri, dhe nga Krimea në Libi, është i gjithi rezultat i drejtpërdrejtë i shuarjes së frikësimit, shkurajimit, të mbështetur në angazhimin e SHBA-së për të mbrojtur normat e parimet e ligjit ndërkombëtar dhe objektivat e saj të deklaruara, qoftë me mungesë apo me qëllim. Mbase historianët e ardhshëm kanë për ta trajtuar 2013-n si vitin që i dha trajtë rrjedhës së dekadave pasuese, që përmbysi drejtimin e ndryshimit të tërë rajonit, dhe që ripërcaktoi dinamikën e marrëdhënieve globale të pushtetit.

Keqkonceptualizime dhe receta të gabuara

Edhe më tragjikisht, strategjitë e paefektshme të Obama-s ngjan të kenë kulmuar pas një kohe me rikonceptualizimin e tij të çështjeve dhe të ngjarjeve të rilexuara.

Obama ka rënë lehtësisht në kurthin e shkëmbimit të simptomave me shkaqet. Kriza siriane është reduktuar në mënyrë progresive në një tjetër luftë kundër terrorit – këtë herë në formën e ISIL-it – plus nevojës për ndihmë humanitare, ndërsa Irani është reduktuar në dosjen bërthamore. Një leximi të tillë i mungon burimi i vërtetë i tensionit midis Iranit dhe fqinjëve të tij: politika e tij rajonale. Edhe për dosjen bërthamore, SHBA-ja do të vendoste për një marrëveshje më pak të favorshme se ajo që ne, në partneritet me Brazilin, kishim negociuar me Iranin në maj të vitit 2010. Ende e kujtoj ditën e fundit; negociatat tona të vështira me ekipin iranian, së bashku me kolegun tim Celso Amorim, ministri i Jashtëm i Brazilit, zgjatën 17 orë pa ndërprerje. Ne e kishim informuar SHBA-në për përpjekjet tona dhe për synimin për ta zgjidhur mosmarrëveshjen. Pas negociatave të gjata dhe të vështira, ne arritëm një marrëveshje më 16 maj 2010. Pritëm një reagim pozitiv nga Uashingtoni, por administrata e Obama-s e hodhi poshtë menjëherë marrëveshjen, vetëm sepse nuk ishte arritur nga P5 1-shi (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Rusia, Franca, Britania dhe SHBA-ja, si dhe Gjermania; shën. i përkthyesit). Niveli i kapacitetit pasurues të Iranit ishte relativisht i ulët në atë kohë. Pesë vite më vonë, P5 1-shi do të vendoste për një marrëveshje në një kohë kur Irani kishte arritur një nivel shumë më të lartë pasurimi. Së fundi, mbi Irakun, “dalja nga Iraku” ka marrë përparësi ndaj “bërjes së Irakut siç duhet” për administratën e Obama-s.

Pjesa më e madhe e shqetësimeve të bashkëshoqëruara me politikën e papjekur dhe dritëshkurtër të intervencionizmit nga Bush-i, veçanërisht, por jo ekskluzivisht, në Lindjen e Mesme, u pasqyruan në politikën e pavend nga Obama të tërheqjes nga Lindja e Mesme. Ideja dhe mendësia e “tërheqjes” nga Lindja e Mesme ngjan t’i ketë dhënë administratës së Obama-s hapësirën për të ndjekur politika inkonsekuenciale, të paefektshme dhe të papërgjegjshme drejt rajonit.

Ky mentalitet tërheqjeje nuk u kufizua vetëm me Lindjen e Mesme: në vend të kësaj, duket se SHBA-ja po tërhiqej nga përgjegjësitë e saj botërore. Për shembull, një reflektim mbi këtë “tërheqje” ishte se administrata e Obama-s parapëlqeu ta investojë kohën dhe energjinë e saj në çështje relativisht pa telashe, e jo të merrej me shkaqet rrënjësore të andrallave të vërteta. Më konkretisht, administrata e Obama-s e reduktoi në përgjithësi natyrën e marrëdhënieve të saj me Europën në atë të negociimit për Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, në një kohë kur projekti i integrimit europian po përballej me krizën e tij më të rëndë që prej nisjes së tij pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo, në kthim, i ka lënë aleatët e Amerikës në pozitë të vështirë, mes alternativash të padëshirueshme.

Efekti i çmimit Nobel

Argumentueshëm, fitimi nga Obama i një çmimi Nobel herët gjatë presidencës së tij ia dëmtoi politikën e jashtme të ardhshme. Ai e inkurajoi atë të qëndronte në pasivitet diplomatik dhe të mos ndërmerrte vendime të politikës së jashtme që do të kishin kërkuar zgjedhje të vështira dhe përdorim të pushtetit të fortë. Kjo e gjymtoi politikën e tij të jashtme. Me avantazhin e retrospektivës, ai duhej ta kishte fituar një çmim Nobel bazuar në një arritje të njëmendtë, në vend të dhënies së saj përpara. Ky çmim Nobel erdhi shumë herët dhe shumë lehtësisht për Obama-n.

Historia ka për ta dhënë verdiktin e saj mbi politikën e jashtme të Obama-s. Me të gjitha gjasat, ka për të qenë një verdikt dërrmues. Në vend që të bëhej një figurë tranformuese globale e politikës së jashtme, e pavarësisht retorikës së tij, Obama zgjodhi të qe rob i statukuosë.

Sido që shenjat e para nuk janë inkurajuese, presidenti Trump ka katër vite përpara për të, që përfaqësojnë një mundësi të re për ta bërë si duhet politikën e jashtme amerikane drejt rajonit dhe botës në përgjithësi.

Mësime për administratën e Trump-it

Politikat e mira kërkojnë një analizë të sofistikuar të asaj që po ngjet në botë, veçanërisht në rajonin MENA. Meqë rajoni po kalon përmes një prej periudhave të tij më transformuese, është e rëndësishme që administrata e Trump-it të fillojë të punojë mbi një politikë rajonale më të sofistikuar duke nisur nga dita e parë në zyrë. Në këtë vështrim, tre faktorë janë veçanërisht të rëndësishëm për administratën e re për t’u marrë në konsideratë ndërsa formulohet një politikë e re e jashtme dhe rajonale.

Së pari, shkaqet bazë që çuan në revoltat anembanë botës arabe janë ende aty. Përndryshe, këto shkaqe janë thelluar dhe janë bërë më të spikatura. Dy javë më parë pati një kalim paqësor të pushtetit në Uashington. Nuk kishte tanke në rrugë. Personeli ushtarak i dukshëm ishte vetëm për qëllime ceremoniale. Njerëzit e këtij rajoni meritojnë po ashtu të njëjtën gjë. E gjersa ta sigurojnë këtë mundësi, pështjellimi i rajonit nuk ka të ngjarë të marrë fund.

Kjo tablo është në kontrast të plotë me atë çfarë ngjau në Turqi më 15 korrik 2016. Përpjekja e dështuar për grusht shteti e 15 korrikut, e kryer nga kulti terrorist gylenist, synoi një kalim të përgjakshëm të pushtetit nga qeveria civile e zgjedhur demokratikisht te një organizatë terroriste kult e fshehtë. Fatkeqësisht, administrata e Obama-s nuk tregoi nivelin e mjaftueshëm të solidaritetit me Turqinë përballë kësaj përpjekjeje brutale për grusht shteti. Ajo që ne presim nga administrata e re amerikane është të tregojë solidaritet me aleatin e saj, Turqinë, duke ia dorëzuar udhëheqësin e grushtit të shtetit, Fethullah Gülen-in, me banim në Pensilvani, Turqisë për të dhënë llogari për veprat e tij.

Së dyti, ka një psikologji të re dhe konsekuenciale politike që mbizotëron midis njerëzve, e veçanërisht të rinjve, anekënd rajonit, e cila ka për t’i trajtësuar trajektoret e ardhshme politike. Me gjithë tërë traumën që ata kanë kaluar, kjo psikologji e re politike nuk pranon ta lërë të kalojë të qenit e tyre të sunduar nga kjo formë e “re” dhe më brutale autoritarizmi, apo ta trajtojë atë si fatin e tyre.

Së treti, natyra e ndërlidhur e botës së sotme do të thotë se kriza në Lindjen e Mesme nuk është më një e tillë rajonale, por globale, me pasoja të gjera.

Sa më shumë që Perëndimi lejon kthimin autoritar në rajon, aq më tepër rrezikon gërryerjen e demokracisë në kontekstet e tyre kombëtare. Europa nuk duket se e kupton që ka vetëm një kufi të paqëndrueshëm, në formën e Detit Mesdhe, midis vetes dhe rajonit MENA.

Siç kanë treguar migracionet e mëdha njerëzore, por tragjike, të viteve të fundit, ky kufi i paqëndrueshëm është i kalueshëm, nuk ka rëndësi sa shumë investime bën Europa në pengesa dhe në sigurinë kufitare. Tragjedia njerëzore në këtë anë të Mesdheut sjell fatkeqësi politike në formën e rritjes së populizmit politik dhe të rënies së standardeve demokratike në Europë. Duke lënë mënjanë përpjekjen e udhëheqësve politikë të tillë si të kancelares gjermane Angela Merkel, të presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, e të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, me të cilët kryesuam një proces në vitet 2015-2016 që kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes BE-Turqi për Refugjatët më 18 mars 2016 në Samitin BE-Turqi, dhe e cila ka parandaluar vdekjen e refugjatëve në Detin Egje, udhëheqja politike e Europës e nënvlerëson natyrën e ndërlidhur të fatit politik të popullit të pellgut të Mesdheut. Ata kësisoj priren të harrojnë se Europa është një gadishull mes Mesdheut dhe Atlantikut.

Ngjashëm me këtë, fati i një komponenti të komunitetit atlantik, Europës, do të trajtësojë pashmangshmërisht fatin e tjetrit, Amerikës së Veriut (dhe veçanërisht atë të Shteteve të Bashkuara). Prandaj, është në interesin e drejtpërdrejtë të elitave politike europiane dhe të SHBA-së, apo të komunitetit të demokracive, të kërkojnë për zgjidhje të vërteta dhe të qëndrueshme për këto kriza të Lindjes së Mesme.

Rreziku i një fillimi tragjik dhe i gabimeve fatale

Këtu, kujdesi i tejskajshëm është i përligjur. Ndërsa pritshmëritë që ne kishim karshi Obama-s mbetën të papërmbushura, ligjërimi politik i presidentit Trump para zgjedhjeve, dhe vënia në zbatim e tij dhe vendimet që atëherë, mbartin elemente shqetësuese dhe janë në kundërshtim të plotë me pritshmëritë tona.

E para, në vend të inkluzivitetit, ekskluziviteti është bërë tipari përcaktues i vendimeve të mëdha të kësaj administrate të re që nga zgjedhjet. Retorika e fushatës së Trump-it mbi imigrantët dhe njerëzit me identitete të ndryshme – por, veçanërisht mbi muslimanët dhe imigrantët meksikanë – ishte helmuese, apo, në rastin më të mirë, problematike. Natyra përjashtuese e politikës së brendshme amerikane ndaj qytetarëve të saj, banorëve dhe njerëzve që jetojnë në tokën amerikane, krijon një precedent dhe një udhë të rrezikshme për partitë e ekstremit të djathtë për ta ndjekur gjetkë, ka për ta njollosur globalisht imazhin e SHBA-së, dhe e shkatërron themelin e pushtetit të saj të butë, që ka formuar një masë domethënëse të fuqisë së përgjithshme të vendit dhe të qëndrimit në botë.

E dyta, në vend të multilateralizmit, një unilateralizëm joproduktiv është bërë përsëri rendi i ditës. Nga ndalimi për qytetarët e shtatë vendeve me shumicë muslimane te vendimi për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit mes SHBA-së dhe Meksikës, administrata e re ka zgjedhur një unilateralizëm kundërproduktiv.

Eshtë deri diku një paradoks që në një kohë kur administrata e re amerikane e ka urdhëruar Pentagonin të hartojë një plan për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse ISIL-it në Irak dhe Siri, ajo po ndërmerr një ndalim të muslimanëve.  Nuk mund të ketë dhuratë më të fuqishme që mund t’i jepet ISIL-it se një ndalim i tillë i keqmenduar i muslimanëve.

Gjithashtu, ishte një kthesë e befasishme dhe një ironi e historisë që presidenti Trump e nënshkroi ndalimin e muslimanëve në Ditën e Kujtimit të Holokaustit. Kurrë më të mos stigmatizohet një popull, një fe, shoqëri kolektivisht, duhet të kishte qenë parimi udhëheqës për këtë përkujtim.

Po kështu, ideja pas 11 shtatorit ishte vënia kundër e popujve, feve, shoqërive dhe qytetërimeve të ndryshme. 11 shtatori sulmoi më së pari inkluzivitetin e shoqërive, idenë e bashkëjetesës, fenomenin e multikulturalizmit. Nëse këmbëngulet në të, ky ndalim i muslimanëve ka për t’i shpërblyer këta ekzekutues me një dhuratë që ata kurrë nuk mund ta kishin imagjinuar më parë. Ky ndalim i muslimanëve do të jetë institucionalizimi i islamofobisë si politika shtetërore e një superfuqie. Kjo ka për ta shtuar polarizimin në mbarë botën dhe ka për të aktivizuar vija ndarëse socio-politike midis shoqërive, feve dhe qytetërimeve. Frikërat nuk duhet të operacionalizohen për të siguruar përfitime politike.

Inkluziviteti, respektimi i dinjitetit njerëzor dhe mbrojtja e lirive dhe të drejtave do të ishin mënyra më e fuqishme për t’iu kundërvënë ideologjisë së shtrembëruar së kryerësve të 11 shtatorit dhe burracakërisë së ISIL-it. Shpërfillja e këtyre parimeve dhe vlerave do të qe në të kundërt, e barabartë me gjallërimin e ideologjisë në kalbëzim e agoni të këtyre ekzekutuesve.

Sekuritizimi i Islamit dhe muslimanëve do të krijojë një ndarje jo vetëm midis SHBA-së dhe popullsisë së saj muslimane, por gjithashtu mes SHBA-së dhe botës islame në përgjithësi.

E treta, politika amerikane ndaj rajonit MENA duhet të ketë si premisë një kuptim të sofistikuar të rajonit. Në këtë vështrim, synimi i deklaruar i Trump-it për lëvizjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel-Avivi në Jerusalem, nëse vihet në jetë, do të qe një fillim tragjik dhe një gabim fatal. Do të qe i dëmshëm për interesat amerikane, do të shkaktonte tension dhe pothuajse me siguri konflikte të përgjakshme midis Palestinës dhe Izraelit, e do të përmbyste çdo mundësi për një zgjidhje me dy shtete. Do të nxiste një cikël tjetër dhune dhe gjakderdhjeje dhe do të siguronte terrenin pjellor politik që në rajon të lulëzonte ekstremizmi i të gjitha llojeve. Jerusalemi nuk është vetëm Jerusalem. Nuk është vetëm një çështje e diskutueshme midis Izraelit dhe Palestinës, apo madje arabëve si një të tërë, por është një burim shumë më i madh i mundshëm konflikti.

Ndikimi i bashkuar i këtyre tre pikave do të qe zvogëlimi i mëtejshëm i rolit dhe i pranisë së SHBA-së në rajon dhe në botë. Kjo, në kthim, do t’u jepte mundësi të mëtejshme fuqive të tjera, qofshin ato Rusia apo Kina, për të shfrytëzuar boshllëkun e krijuar nga tensionimi i lidhjeve midis SHBA-së dhe aleatëve të saj tradicionalë të Lindjes së Mesme, dhe do t’i linte mënjanë Shtetet e Bashkuara në rajon dhe, më tutje, në botë.

E katërta, nëse nuk prapësohet, nënvlerësimi nga Trump-i i projektit të integrimit europian dhe minimizimi i rëndësisë së NATO-s do ta trondiste lidhjen midis komunitetit transatlantik, gjë e cila do të qe përsëri kundërproduktive për interesat kombëtare të SHBA-së. Në veçanti, lavdërimi prej tij i Brexit-it dhe inkurajimi i përsëritjes së tij në kontekste të tjera, si dhe vënia pas lëvizjeve populiste tejendanë kontinentit, provokojnë sfida sigurie të të gjitha llojeve, qofshin ato politike, ekonomike apo shoqërore. Prapësimi dhe zhbërja e projektit të integrimit europian do të qe një prej gabimeve më të rënda që prej Luftës së Dytë Botërore, dhe pasojat e saj do të qenë të thella dhe të gjera. Ky proces mund t’i japë shkas përsëri çështjes së varrosur prej kohësh të balancës së pushtetit në Europë. Ky nuk do të qe lajm tragjik vetëm për Europën, por do të minonte gjithashtu drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të menjëhershme qëndrimin global të Shteteve të Bashkuara. Prandaj administrata e Trump-it duhet të përpiqet që të rifitojë besimin e aleatëve të vet tradicionalë, qofshin ata në Lindjen e Mesme, në Azi apo Europë, dhe t’i bëjë më solide lidhjet e saj ekzistuese.

Trashëgimia pa shkëlqim e politikës së jashtme të Obama-s duhet ta motivojë administratën e re amerikane për të hartuar një politikë të jashtme të re, të orientuar nga demokracia dhe të drejtat njerëzore, miqësore me popujt. Ajo duhet t’i forcojë lidhjet me aleatët aktualë dhe të kërkojë aleatë të rinj. I takon tërë botës ta marrë përsipër barrën e parandalimit të shkatërrimit të mëtejshëm dhe të ndalimit të zhvendosjes globale drejt autoritarizmit.

Nevoja e njerëzisë sot është e qartë: një rend ndërkombëtar më përfshirës, më shumëpalësh dhe më humanitar. /tesheshi.com/

Përktheu: Bujar M. Hoxha

Artikulli u mor nga revista mbarëkombëtare SHENJA         

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit