Rritje ekonomike dyshifrore, mijëra vende pune për qytetarët e Kosovës dhe shumëçka tjetër, kishin premtuar partitë politike në Kosovë gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit, mirëpo deri më tani, shumë pak prej këtyre premtimeve janë realizuar.
Nga top 100 premtimet zgjedhore të partive që, aktualisht, janë në pushtet, vetëm 6 prej tyre janë përmbushur plotësisht deri më tani. Prej këtyre premtimeve të realizuara, dy prej tyre janë në fushën e ekonomisë, dy të tjera në bujqësi, si dhe nga një në fushën e energjisë dhe në politikat tatimore. Rritja ekonomike që gjatë fushatës ishte premtuar të jetë dyshifrore, është rritur vetëm 4.8 për qind.
Nga 30 mijë vende të premtuara, realizohen më pak se gjysma
Sipas organizatës Demokraci Plus (D+), që përmes platformës “Qeverisja tani” bën monitorimin e punës së Qeverisë, nga top 100 premtimet gjatë fushatës zgjedhore të partive në pushtet, 43 premtime janë në progres, derisa për 51 premtime, ende nuk ka asnjë lëvizje.
Jetmir Bakija nga kjo organizatë, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe pse është premtuar shumë gjatë fushatës zgjedhore, nuk është punuar sa duhet nga Qeveria për t’i përmbushur këto premtime. Ai përmendi disa nga fushat, në të cilat Qeveria nuk ka punuar fare në to deri më tani.
“Për energji të ripërtërishme, furnizim me ujë të pijshëm, turizëm në 15 lokacione, përkrahje për eksportuesit dhe një treg i përbashkët me Shqipërinë, pastaj ulje të shpenzimeve të administratës, edhe ulje të numrit në administratë, cilësi dhe depolitizim të arsimit, subvencione më të mëdha në bujqësi, politika tatimore më stimuluese, këto janë disa premtime ku nuk kemi vërejtur një lëvizje të mirë”, tha Bakija.
Kjo, sipas tij, po ndodh pasi që nuk ka planifikim të mirë dhe nuk ka koordinim ndërmjet ministrive dhe Qeverisë.
“Në programin qeverisës, që është bërë në fillim kur është themeluar Qeveria, programin qeverisës katër vjeçar, kemi vërejtur se 49 prej këtyre 100 premtimeve elektorale, nuk janë futur fare. Qeveria duhet ta rishikojë edhe njëherë programin qeverisës, që t’i integrojë më mirë këto premtime, prej të cilëve ka marrë edhe vota dhe të sigurojë zbatimin më të mirë të tyre”, theksoi Bakija.
Ndërkaq, sipas tij, është vërejtur progres në ndërtimin e disa autostradave që janë premtuar. Progres, po ashtu, konsiderohet edhe rritja e pagave dhe pensioneve dhe modernizimi i pajisjeve në shëndetësi.
Qeveria e Kosovës, që ka marrë mandatin që nga shtatori i vitit 2017, udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Social-Demokrate dhe Aleanca Kosova e Re, parti këto të cilat gjatë fushatës zgjedhore patën premtuar shumë projekte.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, që është edhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se puna e Ekzekutivit, është fokusuar në temat e ashtuquajtura të mëdha dhe me këto arritje, sipas tij, edhe duhet të matet puna e Qeverisë.
Si suksese të Qeverisë Haradinaj, ai përmend Ligjin për Demarkacionin dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
“Qeveria, e cila është formuar në vitin 2017, ka qenë Qeveria e cila mbi të gjitha do të duhej t’i përmbushte disa prej vendimeve dhe pritjeve të mëdha, dhe një pjesë e këtyre vendimeve, sikurse miratimi dhe ratifikimi i Ligjit për Demarkacion, shndërrimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, dhe disa prej vendimeve të mëdha, të cilat kanë qenë strategjike, pothuajse janë përmbushur”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj, i cili është i bindur kjo qeveri do ta çojë deri në fund mandatin e vet, tha se është e vështirë përmbushja e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore.
“Ne jemi të vendosur që gjatë këtij mandati, t’i përmbushim premtimet elektorale, të cilat i kemi bërë dhe jemi të vetëdijshëm që pritjet e qytetarëve janë më të mëdha, më të larta se sa kapaciteti jonë qeverisës. Qeverisja nuk është një proces i lehtë, por jemi shumë të vendosur që t’i përmbushim këto premtime”, u shpreh Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj foli edhe për premtimet e dhëna sa i përket zhvillimit ekonomik, duke thënë se Qeveria mund të ketë një rol qendror, por jo gjithçka varet nga puna e saj.
Sipas tij, mospërfundimi i procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka ndikuar në pengimin e shumë investimeve të huaja. Pavarësisht kësaj, sipas Hoxhajt, në vitet 2018 dhe 2019, Kosova si shteti më i ri, ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon./evropaelire