3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Nevoja për optimizëm

Më të lexuarat

Nga: Ahmed Abdulmexhid Meki

Nevoja për optimizëm

Nëse njeriu i vë veshin lajmeve që thuhen nëpër media, do t’ia kthente shpinën jetës për shkak të frymës pesimiste që ata përhapin. I habitshëm është fakti, se nëpërmjet lajmeve mediat mundohen të ngushëllojnë njerëzit që janë në hall, por në të vërtetë vetë ata janë në hall të madh. Lajmin e keq ata e trumpetojnë me të madhe, ndërsa për lajmin e mirë vetëm sa murmurisin. Prandaj është mëse e nevojshme të themi ato fjalë, që njerëzit të dalin nga ngushtësia e pesimizmit për tek hapësira e optimizmit.
 
Nevoja për optimizëm
Optimizëm do të thotë: “Prirja për të shikuar anët e mira të diçkaje”. Dobitë që sjell optimizmi janë të shumta. Optimizmi forcon vendosmërinë, tregon seriozitet, ndihmon në arritjen e objektivit dhe sjell qetësi shpirtërore. Optimizmi i mundëson njeriut, që ta administrojë me besim në vetvete dhe qetësi situatën e vështirë në të cilën ndodhet. Si rezultat i optimizmit, pas vështirësisë vjen zgjidhja e problemit. Gjithashtu optimizmi forcon lidhjet midis njerëzve me njëri-tjetrin, sepse optimsti mbjell shpresë tek të tjerët. Po ashtu optimzmi është shenjë, se njeriu ka mendim të mirë për Allahun dhe nuk ka dyshim se mendimi i mirë për Allahun konsiderohet prej adhurimve më të mira.
Në krahun e kundërt të optimizmit është pesimizmi, që i cili bëhet shkak që njeriu ta humbë shpresën, të jetë konfuz e dembel. Prandaj për pesimistin thuhet: “I vdekur ndër të gjallë” Kurse motoja e optimistit janë fjalët: “Nëse Ti nuk je i zemëruar ndaj Meje, unë nuk mërzitem për vuajtjet që po kaloj. Kujdesi Yt ndaj Meje është më i madh (se gjithçka tjetër)”([1]), apo “Një vështirësi nuk mund të dominojë mbi dy lehtësi”.
 
Si ta mbjellim optimizmin në zemrën tonë?
Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse Kijameti është duke ndodhur, e dikush prej jush ka në dorë një fidan, nëse ka mundësi për ta mbjellë atë, përpara se të ndodhë Kijameti, atëherë le ta mbjellë”. Këto fjalë të Profetit (a.s) tregojnë për optimizëm dhe nxisin për punë edhe nëse nga kjo botë kanë ngelur qoftë edhe disa minuta, sepse njeriu duhet të vazhdojë të punojë dhe ta lulëzojë Tokën, përderisa ajo ende nuk është shkatërruar.
Sill ndërmend situatën e vështirë, në të cilën ishte Profeti (a.s) bashkë me Ebu Bekrin (r.a), kur ishin në shpellë. Idhujtarët e Mekës kishin kërkuar në çdo vend për Profetin (a.s) dhe shokun e tij, derisa gjurmët i kishin shpënë tek gryka e shpellës, në të cilën ishin strehuar ata të dy. Ebu Bekri (r.a) pati frikë për Profetin (a.sj) dhe veten e tij. Mirëpo Profeti (a.s) – me optimizmin që e karakterizonte gjithmonë – i tha: “O Ebu Bekër! Ç’mendon për dy persona, nëse Allahu është i treti i tyre?!” Allahu i ndihmoi me mrekullinë e rrjetës së merimangës, të cilën kur idhujtarët e panë në hyrje të shpellës, menduan se në shpellë nuk ishte futur askush, prandaj edhe u larguan.
Kujto historinë e Profetit Jusuf (a.s), i cili e filloi jetën e tij me hedhje në pus, pastaj u shit si skllav e më vonë e futën padrejtësisht në burg. Pas të gjithë këtyre peripecive e vështirësive, ai u bë administratori e Egjiptit, shtetit më të fuqishëm të asaj kohe.
Mos harro historinë e Musait (a.s), kur njëra prej vajzave të njeriut të mirë në Medjen i rekomandon të atit, që ta marrë Musain (a.s) në shtëpinë e tij, për shkak se ajo kishte parë tek ai dy cilësi të mira. Ajo pa, se Musai (a.s) ishte shumë aktiv, duke dëshmuar për forcën e tij. Ajo pa gjithashtu edhe moralin e Musait (a.s), duke dëshmuar se ai ishte besnik. Ajo i tha babait: “Merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht njeriu më i mirë që mund të marrësh në shërbim është njeriu i fortë dhe besnik”[2]. Gjykimi i saj ishte shumë i drejtë, sepse kur dikush e kryen një punë në mënyrë të përsosur dhe është besnik ndaj asaj që i besohet, nuk ka dyshim se ajo punë do të ketë sukses. Nëse këto dy cilësi ose njëra prej tyre mungon, atëherë puna nuk do të ketë sukses.
Historia e tre personave që hynë në shpellë dhe ngelën brenda në të – për shkak se një shkëmb i madh zuri grykën e shpellës – është dëshmia më e qartë se të tre këta persona e përballuan situatën e vështirë duke qenë në rradhë të parë optimistë dhe tepër të sigurtë në vetvete, se nëse i luteshin Allahut, Ai do t’i ndihmonte që të dilnin nga shpella dhe vërtet ashtu ndodhi.
Po ashtu kujto se për çdo sabah, Profeti (a.s) i lutej Allahut me fjalët: “O Zot, unë kërkoj mbrojtje prej Teje, që të më ruash nga paaftësia dhe dembelizmi”.
Kështu pra pavarësisht situatave të vështira, me të cilat mund të përballemi gjatë jetës, ne duhet t’i shohim gjërat me syrin e optimizmit dhe të shikojmë gjithmonë përpara, sepse optimizmi ia ndriçon njeriut rrugën dhe e shpie atë drejt lartësive.
 
 

[1] – Kjo është lutja me të cilën Profeti (a.s) iu drejtua Allahut, pasi populli i Taifit e kishte përzënë. (sh.p.)
[2] – Sure Kasas: 26.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit