4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

NEVOJA E NJERËZIMIT PËR FENË

Më të lexuarat

NEVOJA E NJERËZIMIT PËR FENË

Nevoja e tyre për fenë është më e madhe se cilado nevojë tjetër. Njeriu duhet të jetë në dijeni se çka e kënaq dhe çka e hidhëron Zotin e tij, po edhe si arrihet e mira, e si shmanget e keqja. Është feja ajo që e qartëson të dobishmen, e të dëmshmen; e pa dyshim feja është drejtësia dhe drita e Zotit për krijesat e Tij. Andaj, njerëzimi nuk mund të jetojë pa fe! Ajo i mëson se çfarë duhet bërë, e çfarë duhet lënë.

Përderisa njeriu ka vullnet e dëshira, ai patjetër duhet të dijë se, ajo çfarë dëshiron të bëjë, a është e dobishme apo e dëmshme?! Është në favorin e tij apo e shkatërron?! Dikush këtë e kupton nëpërmjet natyrës njerëzore, e dikush në saje të vrojtimit logjik, ndërsa një pjesë tjetër, si rrugë të njohjes, i kanë mësimet, shpjegimet dhe udhëzimet e profetëve.

Sado që të proklamohen e të zbukurohen rrejshëm doktrinat materialiste e ateiste e të na sillen vërdallë me teori e hipoteza të ndryshme, ato kurrë nuk arrijnë të përmbushin nevojën që individët dhe shoqëritë kanë për fenë e vërtetë. Ata s’kanë mundësi t’u përgjigjen nevojave të shpirtit e trupit, madje, çdokush që thellohet në ato teori, bindet se aty nuk fitohet qetësia, siguria dhe shuarja e etjes. Andaj, nuk ka tjetër rrugëdalje përveç fesë së vërtetë. Ernest Rinani thotë: “Çdo gjë që e duam mund të marrë fund. Madje, edhe liria për të përdorur mendjen, diturinë e mjeshtëritë mund të tretet. Ndryshe nga fetaria! Është e pamundur që ajo të shuhet. Madje, ajo do të jetë gjithnjë një argument i gjallë që tregon kotësinë e ideologjisë materialiste, e cila mëtonte ta kufizonte njeriun në ngushtica të ulëta të kësaj jete!”

“Nuk është e mundur që mendimi dhe praktika fetare të shuhen, ngase bëhet fjalë për prirjen më të lartë të shpirtit e të avancimit njerëzor, po edhe për ndjenjën më sublime. Ai nuk do të ndalet së ecuri përpara dhe natyra fetare do ta përcjellë njeriun për sa kohë që ky logjikon rreth bukurisë e shëmtisë, nga ku edhe, varësisht zhvillimit të tij logjik e intelektual, kjo natyrë vetëm shkon duke u ngritur e përparuar.”

Le të themi përmbledhtas se fetaria e vërtetë, dy themelet e së cilës janë: njësimi i Zotit në hyjnoren dhe denjësinë e Tij për t’u adhuruar dhe adhurimi i Tij sipas asaj që Ai e ka shpallur, është një substancë e pazëvendësueshme e jetës.

/Mirsim Maliçi – Pse kam ardhur në këtë jetë/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit