“Do të luftoj kundër tyre me gjithë forcën time”, tha Netanyahu të dielën.
Derisa zyrtarët amerikanë nuk e bënë të ditur emrin e njësitit që pritet të sanksionohet, liderët izraelitë dhe mediat lokale thanë se bëhet fjalë për Netzah Yehuda – një batalion e këmbësorisë i themeluar rreth 25 vjet më parë për t’i futur në ushtri burrat ultra-ortodoks.
Shumë burra fetarë janë të liruar nga shërbimi i detyruar ushtarak në Izrael.
Liderët izraelitë e kanë cilësuar si të “padrejtë” vendimin për sanksionet, posaçërisht në një kohë lufte, si dhe janë zotuar se do ta kundërshtojnë.
“Nëse dikush mendon se mund të vendosë sanksione kundër një njësiti të IDF-së, do ta luftoj me të gjithë forcën time”, tha Netanyahu.
Netzah Yehuda, apo në shqip Judea Përgjithmonë, ka qenë gjithmonë e vendosur në Bregun e okupuar Perëndimor dhe disa pjesëtarët të tij kanë ndërlidhje me abuzimet kundër palestinezëve. Ky njësit është pjesë e vogël përbërëse e pranisë ushtarake të Izraelit në këtë territor.
Ky njësit u kritikua ashpër nga Shtetet e Bashkuara më 2022, pasi një i moshuar amerikano-palestinez u gjet i vdekur pak pasi ishte arrestuar në një pikë kontrolli në Bregun Perëndimor.
SHBA-ja kishte bërë thirrje Izraelit në atë kohë për një hetim gjithëpërfshirës dhe përgjegjësi të plotë për rastin.
Ushtria izraelite kishte shprehur keqardhje për vdekjen e tij dhe kishte thënë se komandanti i Netzah Yehuda do të qortohej për këtë. Ajo kishte vendosur të mos hapte procedura penale për këtë rast.
Uashingtoni – aleati kryesor i Izraelit – nuk i ka ndalur ndihmat për asnjë njësit të IDF-së më parë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten se ka vendosur t’i shqyrtojë akuzat se disa njësite të ushtrisë izraelite i kanë shkelur kushtet për pranimin e ndihmës amerikane.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të tërhiqen nga qëllimi për ta sanksionuar Netzah Yehudan, duke thënë se bota është duke i vëzhguar marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit më shumë se kurrë më parë.
“Çdo tentim për ta kritikuar tërë njësitin hedh dyshime të mëdha mbi veprimet e IDF-së”, tha Gallant në një komunikatë, duke shtuar se “kjo nuk është rruga e duhur për partnerët dhe miqtë”.
\REL\