“Dy javët e fundit ishin të vështira për forcat e sigurisë. Forcat tona të sigurisë janë gjithmonë të përgaditura kundër sfidave në të ardhmen”, ka thënë kryeministri i Izraelit, Binyamin Netanyahu
JERUSALEM (AA) – Kryeministri i Izraelit Binyamin Netanyahu thotë se kthimi mbrapa nga iniciativa e masave të sigurisë të cilat po përpiqet t’i zbatojë ishte “një vendim i vështirë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen javore të kabinetit, Netanyahu duke folur mbi ngjarjet përreth Al-Aksas, tha se: “Dy javët e fundit ishin të vështira për forcat e sigurisë. Forcat tona të sigurisë janë gjithmonë të përgaditura kundër sfidave në të ardhmen”.
Ndërkaq lidhur me vendimin e largimit të kamerave dhe të dedektorëve metalikë, Netanyahu ka theksuar se, “Edhe unë qëndroj në të njëjtën pozitë me ndjenjat e popullit. I kuptij emocionet. Vendimi (për heqjen e masave të sigurisë në hyrjen e Al Aksa-s) ishte i vështirë. Por si një kryeministër i cili në supet e tij mban përgjegjësinë e sigurisë së Izraelit, duhet të marr vendimet në mënyrë të qetë dhe të vetëdijshme. Unë vendimet i marr duke e shikuar gjithë fotografinë dhe duke i vlerësuar vështirësitë e kërcënimet të cilat nuk janë në njohuri të opinionit publik dhe të cilat nuk mund t’ju shpjegojë”.
Duke iu falenderuar policëve dhe ushtarëve, numri i të cilëve po rritet në gjithë Jerusalemin, Netanyahu tha se qeveria ka marrë vendimin e “miratimit të buxhetit në vlerë prej 100 milionë shikelë (rreth 28 milionë dollarë), për masat e sigurisë së Qytetit të vjetër, i cili ndodhet në Jerusalemin Lindor”.
Çfarë ndodhi gjatë dy javëve të fundit?
Përshkallëzimi i situatës në Al-Aksa ndodhi pasi autoritetet izraelite mbyllën kompleksin Al-Aksa, pasi paraprakisht policia më 14 korrik vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa deklaroi se gjatë incidentit janë plagosur dy policë izraelitë, të cilët kanë vdekur në spital. Pas dy ditëve, më 16 korrik, duke hapur dyert e saj Izraeli vendosi detektorë metalikë.
Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite.
Me vendimin e Këshillit të Sigurisë, më 25 korrik Izraeli hoqi detektorët e metalit, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes, që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar, do të vihej në vend të tyre.
Autoritetet izraelite në orët e hershme të mëngjesit të së premtes hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al-Aksas.
Pas thirrjes së dijetarëve të Jerusalemit, muslimanët në të njëjtën ditë u mblodhën për të falur namazin e jacisë në Al-Aksa. Fillimisht, policia izraelite nuk hapi disa porta të kompleksit, por pas reagimit intensiv të palestinezëve u hapën të gjitha portat dhe dhjetra mijëra persona filluan të hyjnë në kompleks.
Më pas, policia izraelite filloi të intervenojë ndaj palestinezëve brenda dhe jashtë Al-Aksas me shok bomba dhe plumba gome, si dhe mbylli të gjitha portat përveç Portës Asbat. Mbi njëqind palestinezë u plagosën gjatë këtij intervenimi policor.