-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Nëse nuk ndërhyhet, muslimanët e Arakanit do të zhduken”

Më të lexuarat

Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) i është bërë thirrje që sa më parë t’i jepet fund masakrave që kanë nisur ndaj muslimanëve të Arakanit nga forcat e qeverisë së Mianmarit dhe klerikët budistë.

Dr. Muhamed Ejup Han, aktivist i Arakanit që jeton në Turqi, për Anadolu Agency (AA) ka vlerësuar zhvillimet e fundit në rajon. “Kemi një mjedis të papërballueshëm të përndjekjes. Masakrat, përdhunimet dhe djegiet për së gjalli janë raste që ndodhin çdo ditë. Megjithatë, qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë, organizatat humanitare, monitoruesit e OKB-së dhe madje edhe të gazetarëve vendas”, theksoi Han.

Muslimanët e Arakanit u përballën me dhunë masive pas sulmeve në tetor të vitit të kaluar ndaj tri stacioneve kufitare, ku humbën jetën tetë policë. Han thotë se këto sulme ishin organizuar nga disa të rinj që më nuk kishin mundur t’i përballonin përndjekjet, të cilët ishin pajisur me shkopinj, thika dhe armë artizanale.

“Në tri ditët e fundit kanë vrarë afër 500 muslimanë”

Han rikujtoi se më 25 korrik të këtij viti OKB ka themeluar Komisionin për Hetimin e të Vërtetave, por se qeveria e Mianmarit nuk ka lejuar hyrjen e anëtarëve të këtij komisioni. “Kjo qeveri, e cila inkurajohet nga pasiviteti i botës, natën e 24 korrikut rrethoi edhe 25 fshatra. Kur popullata rezistoi, ata filluan masakrat me artieleri. Sipas të dhënave që na kanë ardhur, vetëm në tri ditët e fundit kanë vrarë afër 500 muslimanë”, thekson Han.

Ai thekson se ligjet e OKB-së parashohin sanksione ndërkombëtare ndaj shteteve që kryejnë gjenocid, ndërsa shton se opinioni botëror nuk e pranon faktin që kryhet gjenocid, për arsye se nuk ka hedhur hap për ndonjë sanksion nda Mianmarit. “Atë që po ndodh këtu OKB e quan spastrim etnik, e jo gjenocid”, shton Han.

Han më tej shpjegon se në Arakan janë dëbuar rreth 140 mijë njerëz, duke shtuar se fshatrat e muslimanëve digjen në mënyrë të planifikuar dhe se popullata vendoset në kampe. Ai tërheq vëmendjen se prirjet kundër muslimanëve që filluan në vitin 1940 në këtë vend janë projekt. “Në kuadër të këtij projekti, qeveria dhe budistët përpiqen që përmes metodave më mizore në Arakan ta spastrojnë rajonin nga muslimanët”, shtoi ai.

Han e cilëson si “gjenocid” dhunën ndaj muslimanëve në Arakan. “Dhunën e budistëve tiranë ndaj muslimanëve nuk e përkufizoj madje as si sjellje shtazarake. Kjo përkufizohet përtej kësaj. Njerëzit rrëmbehen, vriten, por trupat e tyre nuk gjenden. Gratë përdhunohen. Fshatrat digjen. Mallrat e tregtarëve digjen”, vazhdoi Han.

“Nevojitet ndërhyrje urgjente”

Duke theksuar se forcat qeveritare të Mianmarit dhe budistët banditë kanë kryer akte jonjerëzore në Arakan, Han njoftoi se dy ditë më parë qeveria ka dhënë urdhrin për goditje, pa dalluar fëmijët dhe të moshuarit, duke shpërfillur të drejtën ndërkombëtare. “Të gjitha këto ndodhi bëhen para syve të botës dhe bota nuk i thotë ‘ndal’ përndjekjes”, thotë Han.

“Kemi përdhunime, vdekje, kufoma të pagjetura, njerëz pa identitet, një komunitet ndaj të cilit po bëhen përpjekje për denacionalizim, qytete dhe fshatra të djegura dhe të shkatërruara. Nëse nuk ndërhyhet, atëherë ky komunitet do të zhduket”, paralajmëron Han.

Ndërkaq, Han thotë se Turqia ka treguar ndjeshmëri të madhe ndaj masakrës që po kryhet para syve të botës, duke kërkuar që Turqia sa më parë të hedh një hap në drejtim të zgjidhjes.

Ai theksoi se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka ndërmarrë iniciativa në OKB, NATO, Bashkimin Evropian dhe platformat e tjera ndërkombëtare për ndaljen e dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit. “Ne kërkojmë që OKB sa më parë të dërgojë një forcë paqeruajtëse dhe të pengojë masakrat atje”, shton Han.

Edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe organizata të tjera joqeveritare i kanë shtrirë dorën e ndihmës muslimanëve të Arakanit, thotë Han, duke theksuar nevojën që Turqia të formojë një agjendë të re dhe urgjente lidhur me Arakanin.

Ndryshe, muslimanët e Arakanit humbën të drejtën e shtetësisë në Mianmar nëpërmjet një ligji të miratuar në vitin 1982, ndërsa llogariten si popull “pa shtet”. Ata llogariten si “pakica më e persekutuar” nga OKB, ndërsa përballen me dhunë dhe me diskriminim ligjor, ekonomik dhe shoqëror.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit