11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Nëse merret teknologjia nga Perëndimi a merret edhe kultura?

Më të lexuarat

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në Turqi dhe botën islame prej 2 shekujsh diskutohen koncepte të tilla si qytetërim, kulturë, teknologji dhe qasja në këto koncepte. Duket se diskutimet mbi teknologjinë janë “ndezur” gjatë periudhës së fundit. Parashtrohen mendime se teknologjia nuk është vetëm teknologji, por së bashku me të vijnë edhe kultura dhe gjëra të tjera të padëshiruara dhe për këtë arsye duhet qëndruar larg teknologjisë.

Çfarë duhet marrë nga Perëndimi?

Para së gjithash bëjmë të ditur se diskutimi nuk është i ri dhe nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë. Në thelb është një zgjatje e debatit se çfarë duhet të merret dhe të mos merret nga Perëndimi. Për periudhën e fundit osmane është diskutuar në mënyrë intensive nga shkrimtarë të ndryshëm për dallime dhe koncepte të tilla si përparim material-përparim moral (Said Halim Pasha), kulturë-qytetërim (Ziya Gokalp), qytetërim i mirëfilltë – qytetërim industrial (Celal Nuri).

Mund të themi se kornizën e diskutimit e ka vizatuar poezia e Mehmet Akif Ersoy:

“Merrni shkencën, merrni artin.

Jepni edhe punën, edhe shkathtësinë.

Pasi nuk është e mundur të jetohet pa to.

Sepse shkenca dhe arti nuk kanë kombësi.”

Në periudhën e konstitucionalizmit, qëndrimi i  disa mendimtarëve nacionalistë turq dhe veçanërisht i mendimtarëve islamistë mund të përmblidhet në formën se nga Perëndimi duhet marrë shkenca, por nuk duhet marrë morali dhe kultura karakteristike e tij. Për opinionin tim në këtë temë mund të shihni artikullin tim “Pozicionimi në Perëndim”. Edhe më pas Mehmet Akif Ersoy dhe të tjerë janë kritikuar për “moslexim” (moskuptim) mjaftueshëm dhe saktësisht të Perëndimit. Unë jam nga ata që mendoj se është bërë padrejtësi ndaj Akifit. Pasi nuk mendoj se Akifi nuk i kishte parashikuar kritikat e mëposhtme.

Marrëdhënia teknologji-kulturë

Teknologjia padyshim pasqyron kulturën e përgjithshme të shoqërisë, ku është prodhuar. Teknologjia e inteligjencës artificiale që projekton krijimin përsëri të njeriut a mund të mendohet në mënyrë të pavarur nga kultura në të cilën ajo bën pjesë? Tashmë këto teknologji prodhohen edhe në shoqëri joperëndimore, siç është shembulli i Kinës.

Bomba atomike, e cila nuk asgjëson vetëm ushtritë armike, por zhduk edhe njerëzit, bimët e gjallesat dhe shterpëron vendin ku është hedhur, për shkak të shkatërrimit që ajo shkakton a mund të mendohet në mënyrë të pavarur nga mentaliteti që e hodhi atë (bombën atomike) në Japoni?

Kundrejt këtij konceptimi, perspektiva e Sulltan Sylejman Ligjvënësit (Kanuniu) mund të jepet si shembull tjetër i marrëdhënies teknologji-kulturë. Kanuniu ishte i shqetësuar se milingonat në oborret e pallatit të tij do të thanin pemët. Duke menduar se edhe milingonat kishin shpirt ai pyet kreun e çështjeve fetare (sheikh’ul islam) Ebussuud Efendiun me anë të një poezie:

“A bëhet dëm nëse dëmton milingonën

Kur milingona dëmton pemët?”

Përgjigjja përsëri me poezi e Ebussuud Eefendiut është si një përgjigje e qartë e një marrëdhënieje tjetër teknologji-kulturë:

“Kur nesër të shkojë në gjyq,

Milingona e merr të drejtën që i takon nga Sylejmani”.

Padyshim që teknologjia që do të prodhohet nga të dyja perspektivat dhe vendi ku do ta çojë kjo teknologji njerëzimin, do të jetë ndryshe.

Ndërkaq edhe largimi (tjetërsimi) që vjen me teknologjinë është një temë, të cilës i duhet mëshuar së tepërmi.

Cila teknologji?

Nuk ka dyshim se të mendosh që të gjitha prodhimet teknologjike të kulturave të ndryshme janë të këqija është një vlerësim e pranim masiv, diskriminues dhe kundërshtues. Çdo kulturë prodhon edhe nevojat teknologjike që do të përballojnë kërkesat e veta brenda rrjedhës së zakonshme të jetës. Mund të diskutohet se për çfarë ka nevojë njeriu, por nuk mund të thuhet se nevojat e njeriut nuk përputhen aspak me ato të kulturave të ndryshme. Për këtë arsye në jetën e përditshme njeriu përdor teknologji të ngjashme.

Rrjedhimisht teknologjive të prodhuara në kultura të ndryshme nuk mund t’u qasemi në mënyrë masive dhe refuzuese. Është më se e natyrshme që të kemi një këndvështrim selektiv brenda kodeve tona, të traditave,  qytetërimit dhe kulturës sonë. Thëniet: “Shkencën shkoni e merreni, edhe nëse është (larg) në Kinë”, “Dituria është pronë e humbur e besimtarit”, “Armatosuni me armët e armikut”, “Myslimani i fuqishëm është më i dobishëm se sa një mysliman i dobët” na këshillojnë që në lidhje me teknologjitë duhet të jemi edhe të interesuar, por edhe të kujdesshëm dhe përzgjedhës. Është e këshillueshme që të jemi në një kërkim proaktiv kur bëhet fjalë për teknologjinë. Armatimi me armët e armikut sigurisht që për një mysliman nuk do të thotë përdorimin e bombës atomike ndaj një vendi tjetër. Ata që mendojnë se teknologjia mund të merret nga dikush tjetër, sigurisht që nuk këshillojnë gjë të tillë.

Çfarë rekomandohet?

Ata që karakterizohen nga një qasje skeptike dhe negative në raport me  teknologjinë, përveç se të sillen kundër, nuk parashtrojnë ndonjë rekomandim konkret. Në përgjithësi teknologjia Perëndimore shihet si një derivat i mentalitetit që i zgjat jetën Perëndimit dhe Perëndimi pranohet si një i tërë me besimin, filozofinë dhe shkencën e tij. Një perspektivë e tillë kritikuese padyshim që krijon një vigjilencë të caktuar. Por në kundërshtim me qasjen se shkenca mund të merret madje edhe nga Kina, ky është një qëndrim shumë i ngushtuar (ngushtues). Ky pranim ose ky refuzim total mund ti çojë ata që e mbrojnë këtë ide në pika shumë radikale. Mund të krijojë një shoqëri që jo vetëm nuk prodhon teknologji, por edhe refuzon teknologjinë e prodhuar, një shoqe që mbyllet në vetvete, kthehet në geto, varfërohet dhe bëhet fanatike.

Nga ana tjetër propozohet edhe diçka e tillë: një përdorim më i paktë i teknologjisë ose bërja e një jete sipas rregullave myslimane si dhe prodhimi i një teknologjie të nevojshme për këtë (për të jetuar si mysliman). Padyshim që këto këshilla janë të vyera. Në një epokë ku kërkohet që çdo gjë të konsumohet sa më shumë, çdo lloj konsumi më pak (me karar) është një goditje ndaj çmendurisë/robërisë së konsumit. Sigurisht që myslimanët duhet të jetojnë më shumë sipas islamit dhe duhet të përpiqen të prodhojnë teknologjitë për të cilat ata kanë nevojë në jetë. Këto lloj këshillash janë më kuptimplota kur nuk e anashkalojnë jetën dhe mendohen së bashku me zhvillimet bashkëkohore. Por çdo lloj përpjekjeje për t’u izoluar nga bota, ashtu si në shembujt e shumtë në botën islame, bën që të përballemi me rrezikun për të shkuar deri në rrymat radikale, të cilat e shohin terrorin si një metodë.

Përveç kësaj bota islame është në gjendjen aktuale jo se ajo konsumon apo përdor shumë teknologji. Edhe përdorimi i më pak teknologjie nuk është se nuk është provuar. Në periudhën Osmane deri në marrëveshjen tregtare të Portit Balta (1838) kishte kufizime dhe ndalime serioze në lidhje me hyrjen e mallrave të huaja në vend. Rezistenca pasive e Gandit në Indi, amishët në Amerikë njihen si shoqëri që e refuzojnë teknologjinë. Në pikën e arritur, duket shumë qartë se nuk do të prodhonte alternativë mbyllja në vetvete dhe propozimi i një stili jetese të shkëputur nga zhvillimet bashkëkohore nëse flasim ende për një dominim Perëndimor dhe potenciale të reja. Këto metoda mund të dobësojnë metodën e prodhimit kapitalist, por ajo që i përket sot Perëndimit nuk mund të eliminojë hegjemoninë që mund të ndryshojë nesër.

Frika ndaj teknologjisë dhe qëndrimi kundër saj

Skepticizmi teknologjik është i mirëkuptueshëm nëse ai ndodhet brenda kufijve të sipërpërmendur. Kurse një reagim antiteknologjik mund të jetë shprehje e propozimit për vetizolim, si tërheqje dhe pasiguri në vetvete. Frika ose qëndrimi kundër teknologjisë, përveç rasteve të teknologjisë së egër, duke u nisur nga hipoteza se nuk mund të prodhohet një teknologji me fytyrë më njerëzore, shëmbëllen me një qëndrim nënshtrues.

Si rrjedhojë kërcënimet, rreziqet, anët negative që krijon teknologjia, kritikat se ajo mund të sjellë fundin e njerëzimit nuk janë vetëm për ne. Ajo që është e veçantë këtu, është qëndrimi që duhet mbajtur ndaj kësaj teknologjie. Mbajtja e një qëndrimi kundër teknologjisë pa bërë diferencim, pa shfaqur një qëndrim refuzues të përgjithshëm, në aspektin intelektual mund të duket si tërheqëse. Por dalja kundër asaj që mund të përdoret dhe të tregosh si zgjidhje diçka imagjinare eliminon zgjidhjet e mundshme dhe ajo për të cilën ky qëndrim është kundër mund të shërbejë për t’u përvetësuar dhe përhapur edhe më shumë.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit