3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nepotizmi po ia zgjat jetën pushtetit

Më të lexuarat

Ekspertët nga shoqëria civile kanë vlerësuar për Telegrafin se nepotizmi i shfaqur në institucionet e Kosovës, i ka penguar reformat në sektorin publik dhe vazhdon t’i pengojë ato edhe sot, sepse sipas – tyre – nëpër institucione janë punësuar njerëz të pakualifikuar, të cilët gjithmonë do të jenë në shërbim të atyre të cilët ua kanë siguruar vendet e punës.

Fidan Kalaja nga Lëvizja “FOL”, ka theksuar se nëse vazhdon rritja e shifrave të punësimit të familjarëve nëpër institucione publike, kjo do të ketë efekte negative në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

“Nën një, kjo do të ndikojë në instalimin e një administrate e cila është jorofesionale, joefikase, jokompetente dhe jo e gatshme që të përballojë sfidat e njëpasnjëshme të administratës publike. Nën dy, do të shtojë thellimin e mosbesimit të qytetarëve në institucionet publike, duke rrezikuar legjitimitetin e tyre karshi qytetarëve”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, klientelizmi është njëra nga instrumentet i cili përdoret nga partitë politike për përfitim votash dhe për të ruajtur pushtetin.

“Kjo qasje duhet ndryshuar, duke pasur parasysh vlerësimet që jepen për mungesën e kapaciteteve të institucioneve publike për ofrim të shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kalaja.

Ndërsa, Merita Mustafa, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerëson se nepotizmi është i pranishëm në masë të madhe në sektorin publik, të cilit – sipas saj – po t’i bëhet një analizë e mirëfilltë, situata do të del kaotike.

“Pasojat nga ky fenomen do të na ndjekin për vite të tëra, sepse njerëzit që punësohen në bazë të nepotizmit, asnjëherë nuk do të jenë në gjendje të raportojnë parregullsitë dhe keqpërdorimet që ndodhin në sektorin publik. E, me këtë, dihet se do të pengohet luftimi i korrupsionit dhe dukurive të tjera negative”, tha ajo për Telegrafin.

Mustafa ka theksuar se punësimi i të afërmve nga ana e partive politike padyshim se është një instrument i cili përdoret për të shkëmbyer favore dhe për të siguruar terren sa më të përshtatshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Meqenëse ky fenomen është duke e ngulfatur vendin tonë, nevojitet urgjentisht që të ndalohet kjo praktikë. Ndërprerja e këtij fenomeni mund të ndodhë nëse shkarkohen të gjithë ata që padrejtësisht kanë zënë pozita të pamerituara”, ka deklaruar Mustafa. /Telegrafi/.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit