Flamuri i BE-së ngrihet në Kryeministri, premtim për “qeverisje të re”
Në ditë pas çeljes së negociatave në Bruksel, para Kryeministrisë u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit të Bashkimit Europian. Aty, Rama u shpreh se rruga drejt anëtarësimit tashmë bëhet më e vështirë.
Ai u zotua të shtojë angazhimin dhe të ngrejë qeverisjen në një nivel të ri, ku përmendi dhe mbështetjen për lirinë e medias.
“Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel. Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënies së shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me standardet europiane”, theksoi Rama.
Ndër të tjera, kryeministri u kërkoi falje shqiptarëve për gabimet të cilat siç tha, është i vetëdijshëm dhe ato që ende nuk i ka kuptuar, ndërsa siguroi se s’ka bërë asnjë gabim me qëllim përfitimin në kurriz të të tjerëve.
“Jam shumë i vetëdijshëm që flamuri që do të ngremë solemnisht, barrën e vendos mbi qeverinë që unë drejtoj, të gjithë kanë kusuret dhe të metat e tyre, prandaj edhe më shumë se të gjithë të tjerët ne mund të jemi edhe problemi edhe zgjidhja. Na takon ne të jemi zgjidhja, pa harruar asnjë ditë se jemi ne që mbetemi problemi.
U kërkoj ndjesë për gabimet e mia, pasi asnjë prej tyre nuk është një gabim për të përfituar në kurriz të të tjerëve”, tha Rama.
“Nga thellësia e shpirtit ju them sot të gjithëve se kurrë s’kam qenë më i bindur dhe më i motivuar për ta merituar besimin e tyre(shqiptarëve)”, u shpreh i pari i qeverisje.
Një vend të veçantë në fjalimin e tij para godinës qeveritare, Rama ia kushtoi dhe opozitës.
“Do të kisha dashur shumë që sot të ishte këtu dhe opozita, pasi jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, pasi ky nivel i ri marrëdhëniesh kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës.
Por sot opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe logjikën e Bashkimit Evropian, që nga minimi i demokracisë dhe korrupsioni, dhe një pjesë tjetër e cila nuk është damkosur, por edhe po i ftove nuk vijnë se kanë frika nga e para”, tha ai. /tesheshi.com/