-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Në Turqi rritet sentimenti antiamerikan

Më të lexuarat

Në pyetjen “A e përkufizoni veten si antiamerikan?”, 71.9 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “Jam antiamerikan”

 

ANKARA (AA) – AYŞE ŞENSOY BOZTEPE

Sipas rezultateve të anketave të kompanive për hulumtime dhe këshillime në lidhje me pikëpamjen e Turqisë kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), një pjesë e madhe e të anketuarve deklarohen si “antiamerikan”.

Kompania për Këshillim, Promovim, Hulumtim dhe Organizim Optimar, ka zhvilluar një anketë në 26 provinca të Turqisë në të cilën janë anketuar 1.508 persona.

Në pyetjen “A e përkufizoni veten si antiamerikan?”, 71.9 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “Jam antiamerikan”, 22.7 për qind janë përgjigjur me “Jam pjesërisht antiamerikan”, kurse 5.4 për qind janë përgjigjur me “Nuk jam antiamerikan”.

Po ashtu, 58 për qind e të anketuarve si shkak për fuqizimin e DEASH-it për një kohë të shkurtër në Siri dhe Irak e shohin “mbështetjen nga ana e qendrave të fuqishme (SHBA, Izrael, shtetet evropiane)”.

Ndërkohë, në pyetjen “Si e vlerësoni afrimin e Turqisë me Rusinë?”, 62.1 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “pozitivisht”, 22.4 për qind “negativisht”, ndërsa 15.5 për qind me “nuk kam ide”.

– “Sentimenti antiamerikan në nivelin më të lartë ndonjëherë”

Hilmi Daşdemir, drejtori i përgjithshëm i kompanisë për hulumtime Optimar, për Anadolu Agency (AA) tha se që nga viti 2011, Optimar merret me hulumtim për Lindjen e Mesme dhe politikat e jashtme, duke shtuar se bëjnë matjen e perceptimeve dhe vetëdijes së opinionit publik mbi politikën e jashtme.

Daşdemir tha se në hulumtimin e zhvilluar rishtazi, është parë se sentimenti antiamerikan ka arritur në nivel të avancuar.

“Kohëve të fundit, sentimenti antiamerikan në Turqi ka arritur në nivelin më të lartë në histori. Rezultatet e anketës janë tepër shqetësuese në aspektin e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Turqisë. Natyrisht, faktori më i spikatur në këtë janë politikat në SHBA kundrejt FETO/PDY-së”, tha ai.

“Në një hulumtim që kemi bërë në vitin 2016 në 25 provinca ballë për ballë me një mijë e 500 persona, në pyetjen ‘Kush qëndron prapa tentativës për grusht shteti të 15 korrikut?’, 36.9 për qind janë përgjigjur se FETO, 25.2 për qind SHBA+FETO, 5.6 për qind SHBA, 2.3 për qind të tjerë dhe 29.2 për qind janë përgjigjur me ‘nuk kam ide’. Ndërkaq, në hulumtimin e OPDAR-it, të pyetur ‘Me cilin shtet Turqia duhet të bashkëveprojë në politikën e jashtme?’, teksa në vitin 2015 SHBA-të ishin përzgjedhur nga 23.1 për qind, sot kjo normë ka shënuar 13.6 për qind. Nga ana tjetër, teksa ka rënë bashkëpunimi me SHBA-të, është rritur dëshira për të bashkëvepruar me shtete si Rusia dhe Kina”, tha Daşdemir.

– Anketa e AGS GLOBAL

Kompania për hulumtime dhe këshillime AGS GLOBAL ka kryer një anketë me 393 biznesmenë nga sektorë të ndryshëm.

Nga të anketuarit, 66 për qind kanë shprehur pikëpamje “negative” kundrejt SHBA-ve, kurse 13 për qind pikëpamje “pozitive”. Ndërkaq, 21 për qind janë përgjigjur se pikëpamjet e tyre kundrejt SHBA-ve “nuk janë as pozitive, as negative”.

Të anketuarit me pikëpamje negative kundrejt SHBA-ve vlerësojnë se elementi kryesor që ka ushqyer perceptimin negativ është “mosbesimi”.

Kryetari i bordit drejtues të AGS Global, Ahmet Güler, thotë se ky qëndrim i botës turke të biznesit mbështetet në tri shtylla.

Sipas tij, shtylla e parë është “përpjekja e Perëndimit për ta lexuar Turqinë e re duke u bazuar ende në kujtesat e vjetra”.

“E dyta është se SHBA-të janë infektuar me sëmundjen e njëjtë sikurse BE-ja, nga e cila dalin zëra të ndryshëm nga çdo njeri, bëhen deklarata kontroverse dhe e cila prej kohësh ka përjetuar krizë lidershipi. Posaçërisht, problemi i lidershipit pas Trumpit dhe botëkuptimi kontrovers i qeverisjes ka shkaktuar rritjen e perceptimit negativ”, tha Güler.

“Ndryshe nga problemi i lidershipit në Perëndim, mosprania e një problemi të këtillë në Rusi ka prodhuar rezultate pozitive perceptuale. Shtylla e tretë është se transferimi i qendrave të rëndësishme politike dhe ekonomike në rajonin e Azisë-Paqësorit ka tërhequr vëmendjen drejt këtij rajoni. Për këtë arsye, jemi në një periudhë kur shkëputjet sentimentale nga perëndimi janë bërë më të lehta”, theksoi ai.

– “Shkalla e sentimentit antiamerikan ka shkuar në 85-90 për qind”

Kryetari i Bordit drejtues të Kompanisë për Hulumtime A&G, Adil Gür, thekson se sipas një hulumtimi të fundit që kanë kryer, sentimenti kundër SHBA-ve në Turqi është rritur, kurse ai kundër Rusisë është zvogëluar.

Gür u shpreh se teksa në 20 vitet e fundit shkalla e sentimentit antirus ka qenë shumë e lartë kurse ajo antiamerikane shumë e ulët, “sentimenti antiamerikan është rritur në shkallë të konsiderueshme për shkak mbështetjes që SHBA-të kanë ofruar për PKK-në dhe për shkak të mbrojtjes për FETO-n”.

“Shkalla e sentimentit kundër ëshë rritur në 85-90 për qind me mbështetjen e fundit të SHBA-ve ndaj PKK-së në Operacionin ‘Dega e Ullirit’ në Afrin. 82 për qind e kurdëve që jetojnë në Turqi mendojnë se SHBA-të nuk janë mik dhe aleat i kurdëve. Ata thonë se ‘SHBA-të mbështesin PYD-në për interesat e tyre personale’. 87 për qind nga totali i personave të rritur mendojnë se PYD është degë e PKK-së”, vuri në dukje Gür.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit