Në një shtëpi në qytetin e Pejës, mbi 80 kilometra larg kryeqytetit, lindi dhe u rrit xhudistja, Distria Krasniqi, fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.
Nëna e saj, Remzie Krasniqi, rrëfen për emocionet që përjetoi familja shtatë anëtarëshe derisa Distria po garonte.
“Unë sa herë ka Distria garë jam e shqetësuar shumë, burri, vajzat dhe djali në Amerikë të gjithë e përcjellin, unë dal në ballkon dhe për mos ta dëgjuar i mbylli dritaret ose dal fare nga shtëpia, kam shumë emocione. Unë ende nuk kam mundur ta shoh garën me japonezen sepse atë e kishte pikë të dobët, por tash e tutje do t’i shohim”, thotë ajo.
Zonja Krasniqi thotë se Distria merret me sportin e xhudos që nga mosha shtatë vjeçare dhe se tash pas 18 vjetësh përkushtim, mundi i saj u shpërblye duke realizuar ëndrrën për medalje të artë olimpike.
“Kurrë nuk kisha menduar se ia del ajo në këtë sport, ka qenë shumë e urtë dhe e butë, ka qenë e dashura e tërë familjes. Por mendoj se prezenca e vëllait të saj në këtë sport ka ndikuar, ai nuk kishte vëlla tjetër dhe stërvitej me Distrian, e merrte me vete dhe mendoj se e ka tërhequr në sport. Unë fillimisht nuk e kam mbështetur idenë që vajzat të jenë xhudiste, por tash po e shoh se kam qenë gabim. Shkolla i ka shkuar mirë, ka qenë gjithmonë e sjellshme dhe e urtë, si fëmijët e tjerë ka shkuar në shkollë të muzikës, vallëzim, por xhudon nuk e ka lënë kurrë, me të është marrë nonstop”, thotë zonja Krasniqi.
Në ‘Tokio 2020’ medalje të artë fitoi edhe Nora Gjakova, duke bërë që Kosova të renditet në vendin e parë në diciplinën e xhudos. Të dyja janë pjesë e ekipit të xhudos Ippon në qytetin e Pejës, me trajner Driton Kukën. Banorët e Pejës ndihen krenarë me arritjet e bashkëvendaseve të tyre.
“Është dëshmi se disponojmë me kualitet dhe se në sportet individuale shqiptarët mund ta gjejnë veten. Kanë diçka ndoshta natyrore, e kanë guximin, mburrjen, inatin dhe këto besoj se kanë qenë elementet që kanë sjellë te ky sukses i cili do të mbetet histori për xhudon botërore. Një vend kaq i vogël e me kaq kontribut, është fantastike, jemi të gëzuar të gjithë”, thotë një banor.
“Edhe Peja është krenare por edhe Kosova është krenare me këtë, është një ndjenjë e papërshkrueshme. Majlinda ua ka hapur dyert dhe këto po sjellin suksese një pas një, jemi shumë krenar edhe Kosova edhe gjithë shqiptaria”, thotë një tjetër.
Medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën e kishte fituar xhudistja, Majlinda Kelmendi, në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ndërsa në Tokio kësaj radhe ajo u ndalua në rrethin e parë të garës, meqë humbi nga hungarezja Reka Pupp.
Majlinda Kelmendi me këtë garë përfundoi edhe karrierën e saj në xhudo, përgjatë së cilës ajo është shpallur Kampione Evropiane dhe Botërore.
“Suksesi i Majlindës, suksesi vajzës sime, suksesi i Toni Kukës e Agronit. Sikur mos të ishte Majlinda për të hapur rrugën, nuk kishin ditur këta. Besimi që ka pasur Majlinda se mund të arrijë i ka bërë edhe këta të besojnë se mund të arrijnë si ajo”, thotë zonja Krasniqi.
Në Lojërat Olimpike të këtij viti, Kosova merr pjesë në garat në xhudo, mundje, not dhe atletikë. Kosova u anëtarësua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014./VOA